
Në një atmosferë festive dhe plot emocion, Gjimnazi i Ulqinit shënoi Ditën e Mësuesit me një program të larmishëm artistik, përgatitur me shumë përkushtim nga nxënësit e shkollës. Aktiviteti u organizua për të nderuar punën dhe përkushtimin e mësimdhënësve, të cilët me mund dhe dashuri i përkushtohen edukimit të brezave të rinj, shkruan Ulqini Online.
Në këtë aktivitet morën pjesë mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe mysafirë të ftuar, të cilët shijuan një program të pasur me recitime, këngë, humor dhe monologje. Nxënësit shprehën falënderimet e tyre për mësuesit përmes fjalëve të ndjera dhe interpretimeve artistike që ngjallën emocione te të pranishmit.
Fjalimet e mbajtura në këtë ditë veçuan rëndësinë e arsimit dhe rolin e pazëvendësueshëm të mësuesit në formësimin e shoqërisë. Të pranishmit u ndanë me përshtypje të mira, duke e përmbyllur këtë festë me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe respekti për ata që ndriçojnë rrugën e dijes.
Kjo ngjarje në Gjimnazin e Ulqinit edhe një herë dëshmoi se Dita e Mësuesit mbetet një moment i veçantë për të vlerësuar dhe nderuar ata që me përkushtim punojnë për të ardhmen e rinisë.