
Nga Xheladi Zeneli
Të Dielën,me 23 Shkurt 2025, Shoqata “Ana e Malit mbajti tubimin vjetor të radhës në lokalin që tani njihet si ‘Qendër e Komunitetit’ në Staten Island.Tubimi kishte për qëllim njoftimin e komunitetit lidhur me progresin e ndërtimit të Qendrës, me ç’rast kryetari i Shoqatës, z. Albert Salaj,në mes tjerash, njoftoj të pranishmit lidhur me përgatitjet që po bëhen për inaugurimin dhe hapjen solemne të saj ,që parashihet të ndodhin muajin e ardhshëm.
Në tubim muarën pjesë disa përfaqësues të zyrtarëve nga Staten Island-i të cilët, në fjalët e tyre shprehen përkrahjen për komunitetin shqiptar, përkatësisht përkrahjen për komunitetin e Anës së Malit në realizimin e Qendrës së tyre.Prezent ishte z.Griffin Fossella, kandidat për Këshillin Bashkiak të New York-ut , distrikti 51 i Staten Island. Përndryshe Griffin është djali i politikanit të njuhur dhe ish kongresistit në disa mandate dhe presidentit aktual të Bashkisë së Staten Island-it, Vito Fossella. Kjo zyrë, pra zyra e Bashkisë së Staten Island-it ishte e përfaqësuar në këte mbledhje nga bashkatdhetari ynë, z. Jasin Gjokaj. Gjithashtu në tubim muar pjesë dhe i përshëndeti pjesëmarrësit, znj. Sarah Salem, përfaqësuese e zyrës së senatorës së New York-ut Jessica Scarcella-Spanton.
Vlen të përmendet se në tubim, për arsye të panjohura, muarën pjesë një numër i vogël i pjesëtarëve të komunitetit anamalas edhe pse pritshmëria ishte për një pjesëmarrje më të madhe.
Një reflektim i shkurtë lidhur me ate se si është arritur deri këtu.Ideja e blerjes dhe posedimit të një objekti të cilin komuniteti anamalas në New York me rrethinë do ta konsideronin shtëpinë e tyre, egziston që nga koha e themelimit të Shoqatës, por edhe më heret. Por jetësimi i kësaj ideje, pra realizimi i këtij projekti erdhi në vitin 2020/2021 nga kryesia e atëhershme e Shoqatës me kryetar z.Safet Llolla i cili siguroi kontratën e pronësisë me ç’rast edhe filluan punimet e renovimit të ndërtesës në fjalë.Më pas, me ardhjen e kryesisë së re të Shoqatës dhe me kryetarin aktual z. Albert Salaj, vazhduan punimet intenzive në renovimin e objektit dhe me ç’rast erdhi deri te transformi rrënjësor të tij. Tani kanë mbetur vetëm disa detale dhe punime të vogla në përfundimin final të ndërtesës (Qendrës).
Përveç asaj se ky objekt do të shërbejnë si seli e Shoqatës “Ana e Malit”, aty do të mbahen mbledhje dhe tubime të ndryshme të komunitetit, kuptohet mvarësisht nga kapaciteti i tij, por ajo çka është më e rëndësishme kjo ndërtesë do jetë vendi i organizimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore që kanë për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, artit e kulturës së trashigimisë shqiptare dhe edukimin dhe përcjelljen e këtyre vlerave tona kombëtare te brezat e rinj në mërgatë.
Rikujtojmë se realizimi i këtij projekti, që nga blerja e ndërtesës deri te renovimi i plotë i tij, është rezulltat i kontributeve, punës vullnetare dhe donacioneve financiare të qindra pjesëtarëve të komunitetit anamalas, por edhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit shqiptar.
Shkurt 2025