
Ilustrim
Seanca e sotme e Qeverisë së Malit të Zi ishte thelbësore për të ardhmen e objekteve të përkohshme në zonën e Të mirave detare, veçanërisht në kontekstin e të drejtave të komunave bregdetare për të menaxhuar territorin e tyre. Unë besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të respektohen interesat legjitime të të gjitha komunave, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë, kështu thuhet në një kumtesë për opinion të kryetarit të Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu.
Një nga qëllimet kryesore në këtë proces është përgatitja adekuate e sezonit turistik, e cila nuk duhet të rrezikohet nga planifikimi i dobët i politikave publike. Në këtë drejtim, përshëndes vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të mos miratuar planin për objektet e përkohshme në zonën e Të mirave detare. Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e ekonomisë së Komunës së Ulqinit, e cila në masë të madhe mbështetet në turizëm dhe e cila, përndryshe, do të përballej me sfida të mëdha.
Në periudhën e mëparshme, kemi bërë përpjekje të konsiderueshme për të hapur dialog me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, si dhe me Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Të mirave detare. Qëllimi ynë ishte të gjenim një zgjidhje kompromisi lidhur me qiranë dhe të siguronim një marrëdhënie të drejtë midis institucioneve shtetërore dhe ekonomisë lokale, vazhdon kumtesa.
Dëshiroj të theksoj veçanërisht rëndësinë e takimit të mbajtur në Komunën e Ulqinit, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë, NP Të mirat detare dhe qiramarrësit. Ky takim ishte një mundësi për të treguar drejtpërdrejt problemet me të cilat përballen komuna dhe qiramarrësit, si dhe për të shqyrtuar së bashku sfidat dhe zgjidhjet e mundshme. Me këtë rast, i falënderoj për pjesëmarrjen e tyre konstruktive. Ne besojmë se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen çështjet me interes publik.
Në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kontribuan në rezultatin pozitiv të sotëm dhe që parandaluan pasojat potencialisht negative për sezonin turistik. Tani kemi para nesh hapin tjetër të rëndësishëm – miratimin e ligjit të ri për Të mirat detare në Kuvendin e Malit të Zi. Miratimi i këtij ligji do të korrigjonte padrejtësinë shumëvjeçare ndaj komunave bregdetare dhe do t’u mundësonte atyre një pjesëmarrje më të madhe në menaxhimin e burimeve të tyre, përfundon kumtesa për opinion e kryetarit të Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu..