Foto: Villa Liamra
Ditë më parë në Ulqin u organizua aktiviteti ‘’Mundijali e Miqësisë’’ ku të ftuar ishin ish sportistë nga republikat e ish-Jugosllavisë por edhe nga Shqipëria.
Sipas listës së të ftuarëve në këtë aktivitet ka pasur të ftuar edhe ish-sportistë nga Kosova, shkruan Ulqini Online.
Një detaj që ndoshta ju ka ikur organizatorëve por që ka bërë jehonë të madhe në rrjetët sociale ka të bëjë me një flamur që u shpalos gjatë manifestimit. Në këtë flamur ishin të vendosur të gjithë flamujt e ish republikave të Jugosllavise, tashmë shtete në vehte. Mungesa e flamurit të Shqipërisë por më drastike ishte flamuri i Kosovës i vendosur brenda atij të Serbise, detaje që nuk lënë aspak shije të mirë në këtë aktivitet të mbajtur në qytetin e Ulqinit, qytet me shumicë dermuese shqiptare.
Pikërisht ky detaj ka ngritur reagime të shumta në rrjetet sociale. Në disa komente ky flamur u quajt edhe ‘’Flamuri i turpit’’.
Duhet shtuar se shteti i Malit të Zi e njeh Republikën e Kosovës si shtet në vehte.
Edhe përkundër dëshirës së mirë të organizatorëve për këtë organizim, momente të tilla provokative në qytetin tonë nuk i bëjnë aspak mirë bashkëjetesës në këtë qytet që shquhet për mikpritje.