Ilustrim: Nga aktiviteti i viteve të kaluara

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 3-5 gusht 2024 edicionin e 32-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”.

Mbrëmja e parë do t’i kushtohet shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar, Ismail Kadare, i ndarë nga jeta para pak kohësh, ndërsa dy mbrëmjet e tjera autoriale studiuesit të letërsisë Ali Aliu (Akademik) dhe shkrimtarit Sadik Bejko.

Kalimera Poetike është manifestimi letrar kryesor ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe një nga më të rëndësishmit e këtij lloji në hapësirën shqiptare nëse kemi parasysh emrat e shkrimtarëve mysafirë të këtij manifestimi përgjatë viteve. Si e tillë, ajo vazhdon të promovojë vlerat më të mira letrare që krijohen gjithandej në botën shqiptare, vendet e rajonit dhe më gjerë. Rrugëtimi i deritashëm i Kalimerës Poetike nuk ka qenë i lehtë, por tashmë që ka hyrë në dekadën e katërt, tradita e mirë është mbështetëse e fuqishme për të ardhmen e këtij manifestimi.

Edhe edicioni i këtij viti do të mbahet në tri vende të ndryshme në komunën e Ulqinit (Muzeun e Ulqinit në Kala, Librarinë “Ulqini” dhe Muzeun Etnografik në Draginë), duke synuar që përpos letërsisë të promovojē edhe trashëgiminë historike e kulturore dhe potencialet turistike të këtij qyteti.

By admini