
Kryetari i Komunës së Pljevljes, Dario Vranesh, ka refuzuar të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë, i cili po mbahet nga 16 deri më 17 prill me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, pasi siç tha ai nuk e njeh Kosovën si shtet.
“I ashtuquajturi shtet i Kosovës nuk ekziston, është krahina serbe e Kosovës dhe Metohisë. Vitin tjetër në Prizren”, është përgjigjur Vranesh në një email që është publikuar në rrjete bashkë me letrën e ftesës.
Në lidhje me këtë ka reaguar Ilir Çapuni, deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, shkruan Ulqini Online.
Përgjigja e kryetarit të Komunës së Pljevljës ndaj ftesës për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë nuk është vetëm reflektim i mungesës së kulturës dhe nxitimit, por edhe i mosrespektimit të institucioneve të Malit të Zi, marrëveshjeve dhe detyrimeve të tij ndërkombëtare si dhe Marrëveshjes për mbështetjen parlamentare, konstituimin e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv dhe prioritetet politike të Qeverisë së 44-të të Malit të Zi dhe shumicës parlamentare të mbledhjes së 28-të të Parlamentit të Malit të Zi, duke filluar nga preambula deri në nenin e fundit, deklaron z. Çapuni.
Për momentin, këto shpërthime emocionesh janë vetëm sensacione mediatike, por ne shprehim indinjatën e thellë për to dhe u bëjmë thirrje nënshkruesve të Marrëveshjes dhe Qeverisë së Malit të Zi që të distancohen qartë prej tyre.
Kryetari i Komunës së Plevlës nuk duhet të presë vitin e ardhshëm për të shkuar në Prizren. Mund të shkoj këtë vit dhe tani. Në pikën kufitare do të mirëpritet nga institucionet e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, ku do të mësojë diçka për promovimin e turizmit vendor e rajonal, bukuritë natyrore, pasuritë kulturore, si dhe atraksionet turistike të Kosovës dhe rajonit.
Nëse vendos të hyjë nga një “hyrje” tjetër, do të përshëndetet profesionalisht nga Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-i, përfundon reagimin dr. Ilir Çapuni.