Nga Frank Shkreli

Për mua java e kaluar ishte një javë që është vështirë të harrohet në rrjedhën e ngjarjeve të turpshme të politikës shqiptare në përgjithësi dhe asaj dhe ndër-shqiptare, në veçanti. Elita politike nga të dy anët e kufirit i tregoi botës – por sidomos miqëve të Kombit shqiptar – një pasqyrë, një fotografi të tmershme — që vetëm armiqët më të mëdhëj historikë të shqiptarëve do mund ta vizatonin e t’ia paraqisnin miqëve dhe armiqëve të kombit, për tu treguar se kush vërtetë janë shqiptarët dhe cilat janë, sidomos, marrëdhëniet me njëri tjetrin. E kam fjalën për fjalorin e ndyrë prej rrugaçësh, përdorur nga disa anëtarë të klasës politike aktuale që sot përfaqëson Kombin shqiptar — në nivel kombëtar e ndërkombëtar—por në veçanti – përleshjet dhe përplasjet, shtyrjet fizike në parlamentin e Shqipërisë dhe sulmet me grushta në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto sjellje banale, në hapësirat e dy kuvendeve shqiptare, nga disa ligjvenës shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri, i treguan botës se sa konfliktuale është sot klasa politike në mes vedi dhe midis dy shteteve shqiptare – një situatë ndër-shqiptare që për fat të keq të shquiptarëve është, pikërisht, aty ku i ka dashur gjithmonë, historikisht, Beogradi e Moska shqiptarët – të ndarë e të përçarë!

“Një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë”, ashtu si nuk mund të qëndrojë edhe një familje kur anëtarët e saj nuk merren veshë me njëri-tjetrin.  

Kjo thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara, 1861-1865 dhe nga të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25).  Kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë, ashtu si nuk mund të qëndrojë as të mbijetojë edhe një familje, kur anëtarët e saj nuk merren vesh me njëri tjetrin. Shikoni fotografitë ose videot e punimeve të javës që kaloi në Parlamentin e Kosovës dhe në Kuvendin e Shqipërisë – por edhe për fat të keq edhe karrigien bosh të Kosovës në takimin informal në Tiranë për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi. Ku morën pjesë gjithashtu Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić. Karrigia e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, ishte bosh.

Për mua është vështirë t’i shikoj këto foto e video më shumë se njëherë sepse është vështirë tu besoj syve — jo se këto fotografi e video tregojnë ndonjë gjë të re, pasi këto pasqyrojnë realitetin fatkeq të marrëdhënieve aktuale shqiptaro-shqiptare për disa vite tani — por për zhgënjimin tim jo vetëm personal, por besoj se edhe të shumë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Për vet faktin se ku qendrojnë sot marrëdhëniet politike në familjen e përbashkët shqiptare. Karrigia bosh e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në Tiranë, javën e kaluar, vërteton, atë që nuk e kisha besuar kurrë se vetë shqiptarët po ndërtojnë një “mur të ri të Berlinit”, jo midis shqiptarëve dhe botës tjetër, siç bënte dikur regjimi i Enver që izoloi Kombin për një gjysëm shekulli nga bota, por duket sikurë sot po ndërtohet një mur virtual midis shqiptarëve – nga vet shqiptarët.

 Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – nëqoftse ekzistojnë fare – dhe nëse ekziston besimi i ndërsjelltë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar, me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.

I shikoj këto video e foto të sjelljeve të turpëshme të parlamentarëve shqiptarë në Prishtinë e Tiranë dhe i them vetes  se kjo klasë politike shqiptare është një klasë politike e dështuar – e pa shpresë se këta, vërtetë, po e tregojnë herë pas here, se nuk janë në nivelin e duhur – në nivelin që sot – në këtë moment historik — i nevojiten Kombit dhe interesave të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta.

Por, unë jam gjithnjë optimist se populli shqiptar – nga të dy anët e kufirit virtual politik – që po ndërtojnë përfaqsuesit e tij sot, do të dijë, më në fund të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis vëllëzërve dhe mortave të një gjaku, një gjuhe e të një Kombi – Shqipëri-Kosovë. Jam i besimit se shqiptarët e vërtetë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë Kombin e lashtë iliro-arbëror. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm i detyrave dhe objektivave të pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit, me “Armiqësi kunder askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se lufta për të drejta, për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë, nuk do të ndalen asnjëherë. 

Në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia – megjithëse nuk është e përsosur — është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anë e mbanë botës, përfshirë shqiptarët dhe fqinjtë e tyre — popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë, të cilët për interesa jo kombëtare – por për përfitime personale dhe partiake — në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme e në kurriz të interesave të përgjithëshme kombëtare – në emër të demokracisë, po luajnë me fatin e Kombit, duke rrezikuar kështu shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare. At Gjergj Fishta do të thoshte se demokracia është diçka më tepër se, “me vu kapelë në krye e me lidhë kravatë në fyt”.

Sjelljet primitive prej rrugaçësh të parlamentarve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, javën që kaloi, në sytë e botës – miqëve dhe armiqëve –i nxinë fytyrën Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Me sjelljet tuaja në hapësirat e përfaqësuesve të popullit – në vendin më të shenjtë të demokracisë – botërisht, ju keni koritur vetën, familjet tuaja dhe emrin e mirë shqiptar. Duhet të ndërmirren hetime nga organet kompetente, me rezoluta të veçanta, tu kërkohet falje shqiptarëve anë e mbanë trojeve për sjelljet primitive të të ashtuquajturve ligjëvenës dhe të miratohen ligje që sjellje të tilla në dy parlamentet shqiptare, të mos ndodhin kurrë më – në shkelje të dhunëshme të vlerave kombëtare dhe interesave të shqiptarëve.

By admini