Do të ndërtohen tri akse rrugore ndërshtetërore – Rozhajë-Pejë, Plavë-Deçan dhe Prishtinë-Pejë-Kollashin

Nga Shaban Hasangjekaj

Rozhajë – Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi për zhvillim rajonal dhe ministër i Investimeve Kapitale, Ervin Ibrahimoviq dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, të premten më 28 tetor 2022, kanë nënshkruar Memorandumin mbi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në realizimin e projekteve infrastrukturore në mes të Malit të Zi dhe Kosovës.
Memorandumi është nënshkruar në ambientin e Qendrës për Kulturë në Rozhajë, ku në takimin e ministrave kanë qenë të pranishëm edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka me bashkëpunëtorë, kryetari i Komunës së Rozhajës, Rahman Husoviq, dhe përfaqësuesit e komunave të Bijello Poles, Gucisë dhe Andrijevicës.
“Memorandumi i nënshkruar sot paraqet hap përpara kah thellimi i qëndrimeve bilaterale të dy fqinjëve, dhe veç janë arritur marrëveshjet e projekteve konkrete të cilat do të jenë temë e bashkëpunimit të mëtejmë”, ka theksuar Ibrahimoviq, duke shtuar se zhvillimi i projekteve infrastrukturore do të ketë ndikim të fuqishëm në zhvillimin e komunave të cilat gravitojnë në këtë trevë dhe padyshim do të mundësojnë qarkullimin e sigurt të mallrave dhe udhëtarëve.
Realizimi i projekteve me interes të përbashkët ndërshtetëror është gjithsesi në linjën e politikës së BE-së mbi nxitjen e hapësirës së përbashkët ekonomike, derisa debutimi i përbashkët kah investitorët potencialë krijon parashikime për joshje të partnerëve të mëdhenj ndërkombëtarë. Fuqizimi i lidhjeve infrastrukturore me Kosovën do të thotë lidhje më të mirë të Portit të Tivarit me pjesën e tregut të tij potencial.
Me Memorandum është paraparë formimi i ekipeve të cilat operativisht do të veprojnë në krijimin e parakushteve për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe do të shkëmbejnë planet strategjike dhe informatacionet. Po ashtu, palët janë pajtuar rreth listës së projekteve parësore, realizimi i të cilave është me rëndësi të dyanshme rajonale. Projektet të cilat tani janë të njohura me interes të përbashkët janë ndërtimi i akseve ndërshtetërore rrugore Rozhajë-Pejë, Plavë-Deçan dhe Prishtinë-Pejë-Kollashin (pjesë e aksit të dikurshëm rrugor SEETO 6b). Siç është porositur nga takimi i dy ministrave, kjo listë mund të revidohet shtesë varësisht nga pjekuria e projekteve dhe të interesit strategjik të të dy anëve. /Koha Javore/

By admini