Nga Rajmond Gjonaj*

Si një nga përfaqësuesit e studentëve të Ulqinit, ju njoftoj se dje, me iniciativën e z. Arian Murati është mbajtur takimi i studentëve dhe sekretarit të Sekretariatit për Financa dhe Buxhet. Tema e takimit ishte rritja e shumës së bursës studentore, e cila ishte mjaft e ulët vite më parë dhe ishte një nga çështjet më të rëndësishme për studentët, veçanërisht në dy vitet e fundit. Në takim u ra dakord që nga buxheti të parashikohet një shumë prej 60,000€ për këtë qëllim.

Si përkujtim, për vitin akademik 2020/21 për të njëjtin qëllim janë caktuar 15,000 €, pas letrave të shumta (për të cilat ende nuk morëm përgjigje), peticioneve dhe deklaratave në media, që të mos ndërpritet bursa studentore atë vit, ndërsa për vitin akademik 2021/22 ishin paraparë 30,000 €, që ishte 65€/ në muaj për student, që ishte shuma më e ulët në të gjitha komunat bregdetare dhe ndër më të ulëtat në të gjitha komunat e Malit të Zi.

Veçmas na gëzon fakti që ne jemi ftuar këtë vit  nga zyrtarët e Komunës së Ulqinit për t’i shqyrtuar edhe mendimet tona dhe për t’u përfshirë në zgjidhjen e çështjeve studentore të Komunës sonë, gjë që deri më tani (së paku në 5 vitet e fundit), e them me keqardhje , nuk kemi pasur mundësi.

Jemi optimistë se me shumën e sivjetshme të paraparë për bursë do të plotësohen nevojat tona të përditshme, për të bërë një jetë studentore sa më dinjitoze dhe kështu të motivohemi për të përvetësuar më tej njohuritë gjatë shkollimit, gjë që shpresoj se do të arrijmë t’ia kthejmë qytetit tonë.

*Student i Fakultetit të Mjekësisë në Podgoricë

By admini