Zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla viziton Komunën e Ulqinit

Dje në Ulqin, në vizitë zyrtare, qendroi zv/kryeministrja dhe ministrja e e punëve të jashtme dhe diasporës e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz. Ajo u priti nga kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari.

Në takim ishin të pranishëm dhe kryetari i Kuvendit Komunal Ardijan Mavriq, nënkryetarët e Komunës së Ulqinit Sabri Sallaj dhe Beqir Sella, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi Faik Nika, si dhe nënkryetari i Komunës së Gucisë Edon Balidemaj, kështu mësohet nga një shkrim i kryetarit të Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari, transmeton Ulqini Online.

Në një atmosferë tejet miqësore u përmendën një sërë çështjesh me rëndësi për pozitën e shqiptarëve, si dhe u bisedua për situatën ekonomike në komunën e Ulqinit, Tuzit, Tivarit, Plavës dhe Gucisë. Kryetari Bajraktari e njoftoi ministren Gërvalla-Schwarz për projektet që po realizohen në komunë të Ulqin, në rend të parë projekti i urës mbi Lumi Buna, por edhe projektet e tjera që priten të realizohen në fushën e infrastrukturës dhe turizmit. Ai theksoi rëndësinë e prezencës më të madhe të Republikës së Kosovës në Ulqin nëpërmjet një konsullate apo ndonjë institucioni tjetër që do të përkrah arsimin, kulturën, biznesin, trashëgiminë e shqiptarëve në Mal të Zi.

Ministrja Gërvalla-Schwarz, duke iu falenderuar nikoqirëve për mikpritje, tha se është e gatshme maksimalisht të angazhohet në këtë drejtim, dhe se shqiptarët e Malit të Zi duhet t’i mirëartikulojnë kërkesat e tyre. Ajo u pajtua që Kosova duhet të jetë e përfaqësuar në Ulqin nëpërmjet një zyreje bashkëpunimi për arsim, kulturë, investime dhe fusha të tjera me interes për shqiptarët në Mal të Zi.

By admini