Me rastin e 95 – vjetorit të lindjes
Nga Gjeke Gjonaj
Mësuesem njohur nga Shestani Paulinë Pepgjonaj e kam njohur që kur isha në Gjimnazin e Tuzit. Prej atëherë kisha dëgjuar fjalë të mira për këtë shestaneshë e cila ua çeli shqiptarëve rrugën e dritës dhe diturisë nga koleget dhe koleget e saj, sikurse edhe nga prindërit në Malësi. Më vonë e kam takuar dhe e kam vizituar disa herë në shtëpinë e saj ne Ulqin. Takimi im i fundit me këtë mesuese 82 vjecare e cila misionin e saj e kreu me dashurinë dhe përkushtimin më të madh të mundshem ishte më 15 qershor 2009 ne shoqërim të Prof.Dr. Simë Gjon Dobrecit. Mësusesja Paulinë na u gëzua shumë dhe shprehi kënaqësinë që e kemi kujtuar, sepse sië na tha prej se ka dalë në pension e kanë harruar të gjithë dhe i vjen keq që puna e saj shumëvjecare ne edukimin dhe arsimimin e shqiptarëve pak vlerësohet në Mal të Zi. E gjetëm dhe e lamë të vetmuar pa asnjë njeri në shtëpi, larg zhurmës së qytetit, në fshatin e lindjes në Braticë të Ulqinit ku ajo vazhdon të jetojë jetën e saj fisnike.
Paulinë Pepgjonaj u lindi më 1927 në fsahatin Braticë. Prinëdrit e saj babi Pjetër dhe nëna Dilë qëndruan një kohë në Tiranë, ku , siç thotë ajo, kreu shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën italiane, ndërsa Shkollën Normale në Shkup në gjuhën shqipe në vitin 1948. Sapo u diplomua për mësuese, thotë Paulina, kthehet në vendlindje dhe fillon punën me nxënës në shkollën e sotme Fillore “Boshko Strugar” në Ulqin. “Në këtë shkollë kam punuar 10 vjet. Prej mësueseve femra para meje këtu ka punuar kroatja Antonie Markoviq, e cila i mësonte shqiptarët në gjuhën e tyre amtare. Pas Ulqinit kam punuar në Ostros të Krajës 5 vjet, prej nga kaloj në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz , ku kam punuar deri në pension. Fillimet e mia si mësuese kanë qenë të kënaqshme. Nxënësit e mi kanë qenë të rritshëm dhe të mrekullueshëm. Disa nga ata kanë qenë dy vjet më të moshuar se unë. Vitin e parë të punës sime me nxënës në Ulqin
nuk kishte asnjë femër, kurse ato filluan të ndjekin shkollimin viteve tjera , por në numër të vogël. Nxënësit e klasave të ulëta mësonin lëndën e matematikës, gjuhën shqipe, historinë gjeografinë e lëndë të tjera, por jo si sot. Këto lëndë mësoheshin sipërfaqësisht, krejt pak. Tekstet shkollore ishin të vjetra . Mungonin mjetet mësimore dhe didaktike. Nuk kishin plane e programe mësimore. Orën e organizonim vetë. Rëndësi më të madhe i kushtonim bukurshkrimit dhe punës me dorë si për shembull rrobaqepësisë. Puna jonë kontrollohej nga inspektorët e arsimit.” rrëfen Paulina.
Mesuesja Paulinë është ndër të parat shqiptare në Mal të Zi e cila për 40 vjet radhazi ua çeli nxënësve shqiptarë rrugën e dritës dhe të diturisë. Ajo ka kontribuar aq shumë në shkollimin dhe edukimin e shqiptarëve në Ulqin, Anë të Malit, Krajë e Malësi saqë meriton përkujdesje dhe respekt shumë më të madh nga shoqëria. Kjo mësuese është emër i njohur në fushën e arsimit shqip në trevat etnike shqiptare në Mal të Zi.
Edhe pse në kohën e mësimdhënies së saj gëzonte autoritet , ajo sot është e harruar, siç janë harruar shpesh edhe shumë njerëz të kulturës dhe arsimit në këto treva.
Ajo edhe kur udhëtonte këmbë katër orë në ditë në acarin e dimrit të atyre maleve të egra për të arritur në shkollën e Krajës rrezatonte të njëjtën krenari e dinjitet. Në të parë as pas tragjedisë së madhe familjare, kur i vdiq Vinkoja, djali i saj i vetëm, në moshë të re, nuk u ligështua kurrë, duke e mposhtur me dinjitet dhimbjen e hidhërimin e saj që ia ka lënduar rëndë zemrën dhe shpirtin. Prandaj të gjithë nxënësit dhe kolegët sot nuk kanë sesi të mos thonë: “ Nderim dhe respekt për detyrën e shenjtë të mësueses. Nderim vuajtjeve të tua, o mësuesja jonë e dashur! Ti hape horizonte të reja në arsimin kombëtar.”
Të gjithë ata që e kane njohur mësuesen Paulinë thonë se kishte një përgatitje profesionale, se ishte e pajisur me një kulturë të shëndoshë, se ishte e palodhshme në punë , e dashur me nxënës kolegë e prindër, entuziaste dhe pedagoge e mirë. Dhe pikërisht ky mision i rëndësishëm u është ngarkuar mësuesve, pra edhe Paulinës.
“ Po, unë dhe kolegët e mi bëmë ç’ishte e mundur jo vetëm për të mësuar , por edhe për të edukuar rininë tonë shqiptare, sepse ishim të bindur se ajo është shpresa e të ardhmes tonë”, na tha Paulina.
Ajo në vazhdim të bisedës shpalos përshtypjet, mbresat dhe kujtimet e saj gjatë punës në Ostros dhe në Tuz. Ajo që duhet veçuar nga kujtimet e saj gjithsesi është pasioni dhe dashuria për nxënës dhe prindër. “ Për me qenë mësues i mirë duhet me i dashtë jo vetëm nxënësit por edhe prindërit. Nëse nuk vendos raporte të mira me prindër nuk mundesh të kesh sukses me nxënës. Nxënësi mëson më mirë dhe është më i sjellshëm kur e di se ke raporte të mira me prindërit e tij. E prishe punën me prindër, e ke prish edhe me nxënës”, pohoi Paulina, duke shtuar se kurrë nuk ka ndier lodhje me nxënës , por me padurim priste të kalojë fundjava për t’u takuar sërish me ta.
Mësuesja Palulinë gjatë punës në Malësi, respektivisht në Tuz shprehet: “ Malësorët janë aq njerëz të mirë saqë nuk mund ta besosh. Fjala e tyre ka qenë e besueshme . Ajo për ta ka qenë ligj, e shenjtë dhe kurrë s’ka mund të ndryshojë. Karakteristikë tjetër e tyre ka qenë edhe burrëria”.
Ndërkohë, edhe nxënësit e kujtojnë me dashamirësi mësuesen e tyre të dashur.
“Përpara nesh fuqishëm na tërhiqte fytyra e mësueses Paulinë Pepgjonaj. Ajo përherë ishte e buzëqeshur , kurse fjala e saj gjithmonë e ngrohtë. Na mësoi me aq dashuri saqë nuk pati forcë sado e egër që ta ndalë rrugëtimin tonë drejt shtigjeve të dritës. Sepse fytyra e saj e njomë , e bukur, fjala e saj e fuqishme e plot dashuri ndaj vlerave morale të njeriut na tërhiqte me shkëlqimin e vet rrezatues , siç i tërhiqte dikur ai fanari i Aleksandrisë së lashtë anijet e shtegtarëve që përplaseshin mbi valët e detit të trazuar”, shprehen ish-nxënësit e saj.
E ndiera mësuesja veterane, Paulinë Pepgjonaj do mbahet mend ndër breza nxënësish, për aftësinë, urtësinë, intelektin, komunikimin e mirëfilltë me nxënës dhe tiparet e larta ndërnjerëzore e ndërkolegiale.
Shestani duhet të mburret me këtë bijë të vetën , sepse ajo gjithmonë , madje edhe atëherë e vetmuar pa askënd në shtëpi, me përjashtim të vizitës së herëpashershme të vajzës Vera nga Gjermania dhe mbesës Daniela nga Tuzi , nuk u përkul kurrë, por qëndroi gjithnjë e palëkundur në misionin e saj të shenjtë dhe shkëlqeu përherë si një meteor.