Sot ka dalur në një konferencë për media nënkryetari i Forcës së Re Demokratike Dr Ilir Çapuni, të cilën e ka mbajtur në selinë partisë së tyre. Ndër të tjerave Çapuni ka bërë ftesë publike për një debat televiziv mes të gjithë bartësve të listës që garojnë në zgjedhjet e 27 marsit, transmeton Ulqini Online.

Fjala e plotë të Çapunit mund ta lexoni më poshtë.

Të nderuar,

Përmes kësaj konference, në emër të Forcës, bëj ftesë publike për një debat televiziv mes të gjithë bartësve të listës që garojnë në zgjedhjet e 27 marsit.

Debati është një shtyllë e rëndësishme e demokracisë sepse ndihmon që politika të jetë sa më transparente dhe përmbajtësore.

Politika në demokraci nuk është monolog, por debat, rrahje idesh dhe bindjesh, ballafaqim qëndrimesh dhe konkurrencë vizionesh.

Nëpërmjet një debati të hapur e konstruktiv mes bartësve të listave, ne i japim qytetarëve informacionin e nevojshëm në mënyrë që ata të marrin një vendim të pjekur e mirë informuar për kë të votojnë.

Nëpërmjet një debati të barabartë e të ndershëm mes konkurrentëve ne mund të rikthejmë besimin e qytetarëve tek proceset demokratike. Përmes debateve publike do të shihet se kush është më i përgatitur për të udhëhequr Komunën e Ulqinit.

Ne si Forcë jemi të hapur për të diskutuar për kushtet, vendin dhe formën se si organizohet debati mjafton që bartësit e listave të tjera të pranojnë të debatojnë publikisht para qytetarëve.

Ne i bëjmë thirrje partive të tjera që të ndjekin shembullin e Forcës që të shpalosin e debatojnë publikisht kandidaturat, programin elektoral si dhe të shpjegojnë mënyrat se si ata mendojnë se do i vënë në jetë zotimet.

Ne jemi të bindur se për të jetuar në mirëqenie duke gëzuar të drejtat kombëtare nevojitet FORCA.

Ne jemi të sigurtë se vetëm Forca e ofron një qeverisje të ndershme dhe kompetente për të rritur ekonominë dhe punësimin si dhe për të ndalur emigracionin.

Shmangia e debatit dhe ballafaqimit do të na sjellë në derexhenë e kryetarit të Komunës i cili me monologje dhe ballona lyen gjysmën e përmendores në ditën e gabuar, shtron gjysma asfaltesh dhe për një vit nuk ka qenë i zoti për të rregulluar këndin e lojërave në Ranë.

Po ashtu, “të rinjve të bukurve dhe të mençurve”, që u shfaqën në valët e liturgjive duke pretenduar demokraci i bëjmë thirrje të mbroni demokracinë me debate.

Sfidojmë në debat bartësit e listave të tjera për të ballafaquar ofertat politike, kur, ku dhe si ta duan ata.

Votoni Forcën e Re Demokratike.

Votoni ndershëm dhe drejtë!

Nënkryetar i Forcës së Re Demokratike

Kandidat për këshilltar

Dr Ilir Çapuni

By admini