
Mbrëmë në Qendren për kulturë në Ulqin u mbajt tubimi i koalicionit ‘’Fillimi i ri’’. Të pranishmeve ju drejtua edhe lideri i Lëvizjes Qytetare URA dhe mandatari për përbërjen e Qeverisë së 43-të të Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq..
“Jam jashtëzakonisht krenar që jam këtu sonte. Kush dëshiron të punojë për të mirën e qytetit, për të mirën e Ulqinit – është i mirëpritur. Vazhdimisht po flasim për potenciale dhe të gjithë politikanët vetëm flasin për potencialin e Ulqinit. Por çdo potencial do të jetë i parëndësishëm nëse nuk fillojmë të punojmë ndryshe. Duhet t’i kthehemi qytetit tonë”, tha Dr. Dritan Abazoviq, transmeton Ulqini Online.
Ai poshtu tha se koalicioni të cilit i prin Omer Bajraktari nuk është i mbyllur për askend dhe se ky është treni i fundit.
‘’Kush tash nuk hynë në tren, treni s’dihet a ka me ardhë ma’’, tha ai.
Sipas Abazoviq, Ulqini është një nga pikat më të rëndësishme zhvillimore në Mal të Zi.
“Fokusi i fushatës sonë zgjedhore do të jetë infrastruktura. Ne mund të bëjmë një mrekulli. Por investitorët nuk mund të vijnë në qytetin tonë dhe të interesohen për diçka, nëse ne vetë nuk jemi të interesuar. Duhet të pastrojmë portin e Milenës, të zhbllokojmë Galeb-in, të rregullojmë Plazhin e Vogël. Të mundësojmë një termocentral diellor, trendet po ndryshojnë. Askush në Podgoricë nuk punon kundër Ulqinit, por askush nuk do të ngrihet posaçërisht për qytetin tonë. Një nga pikat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Mal të Zi është Ulqini. Të ngrihemi si ullinjtë tonë”, përfundoi ai.