Nga Qani  Osmani

   Në këtë kohë kur vlerat demokratike dhe qytetërimi evropian e botëror po sulmohet në mënyrë më barbare nga makineria ushtarake e regjimit kriminel të Rusisë, puna më e mençur dhe e dobishme për interesin kombëtar të shqiptarëve është rreshtimi përkrah popullit liridashës të ukrainës, veprimi në një frymë me popujt dhe vendet demokratike kundër krimeve e barbarive ushtarake ruse në Ukrainë, solidarizimi dhe ndihma në të gjitha format e popullit të Ukrainës, i cili këto ditë po përjeton krimet dhe gjenocidin e tmershëm, siç e ka përjetuar më parë edhe populli shqiptar, së paku në dy shekujt e fundit, nga regjimi okupator i Serbisë në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.

   Pas muajve të tërë të qëndrimit përreth kufijve të Ukrainës ushtria ruse e sulmoi atë nga të katër anët – nga toka, qielli e deti. Është ky hapi të cilin shtetet perëndimore e paralajmëruan prej kohësh, kurse Rusia e mohoi, duke e prezentuar grumbullimin e armatimit dhe ushtarëve përreth ukrainës si një manovër të zakonshme të bërë bashkë me aleaten e saj besnike, Bellorusinë.

   Putini e mashtroi botën edhe ditën kur e nënshkroi dekretin për njohjen e pavarsisë së dy krahinave separatiste ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, duke ushqyer shpresën e botës se me kaq do të përfundojë invazionin. Por, tash 12 ditë, ai kryen sulme të fuqishme artilerike duke mos e bërë dallimin ndërmjet infrastrukturës së armatës ukrainase dhe spitaleve, shkollave e objekteve të banimit në qytetet e mëdha si Kievi, Odesa…

   Këtë fashizëm të nxitur nga një mendje shizofrenike bota e ndogji fillimisht e nemitur nga frika e një lufte eventuale bërthamore që mund ta zhdukë jetën në planetin tokë. Por në momentin kur Putini vuri në gatishmëri të lartë armët bërthamore, ajo (bota) u zgjua, e ndëshkoi agresorin me sanksione të rrepta, nisi ta furnizojë ushtrinë ukrainase me armë moderne mbrojtëse dhe t’ia thejë dhëmbët një nga një, në radhë të parë falë heroizmit të pashoq që tregojnë vetë ukrainasit e gatshëm të vdesin për lirinë dhe atdheun e tyre.

   Kjo rezistencë e fortë dhe e papritur jo vetëm nga rusët, ka ndalur përparimin e ushtrisë ruse dhe e ka dëmtuar atë duke ia shkatërruar armatimet e rënda dhe duke i vrarë e zënë robër mijëra ushtarë të shashtrisur, që pandehën se ukrainasit do t’i presin me lule. Sidoqoftë, betejat serioze posa kanë filluar dhe ka shumë gjasa që lufta të përhapet papritur edhe në vendet tjera evropiane, sepse diktatori rus ashiqare është budallepsur fare dhe sepse një tërhekje me turp nga fronti i luftës që e nxiti vetë do të shënonte fundin e karierës së tij politike.

   Dhe, sado që shtetet tjera evropiane janë bërë një  me SHBA-në në dhënien fund të kësaj tragjedie që, sa çel e mbyll sytë bëri refugjatë lufte miliona njerëz të pafajshëm, gjithsecili gjen kohë për t’u kujdesur edhe për vetveten. Ata pastrojnë armët ekzistuese, blejnë me të madhe armë mbrojtëse prej më të fortëve, sigurojnë ushqimet më të domosdoshme për një periudhë të pacaktuar kohore, siç dihet, Rusia dhe Ukraina janë eksportuesit e gati 30% të drithërave të botës.

   Ata e dinë se gjëja e parë që t’i ndodhë njerëzimit pas përshkallëzimit eventual të konfliktit, do të jetë mungesa e ushqimeve dhe karburantëve, prandaj janë syçelë. Kështu veprojnë të gjithë, hiq ca shtete si Shqipëria jonë që nuk mërzitet dhe mbrojtjen e atdheut e lë në duart e të tjerëve. Të shpresojmë se kjo është pasojë e shqetësimit të pësuar për shkak të përfundimit të edicionit të Big Brother dhe pamundësisë për të vëzhguar gjithë natën e lume, kush me kë do të puthet, kush kë do ta tradhëtojë etj.

   Për habinë e habive të Zotit, posa u zbut pak shqetësimi i lartëpërmendur dhe nisi emitimi i debateve më serioze për pasojat e mundshme që mund të ketë edhe në viset tona nga konflikti ruso-ukrainas, dolën në shesh  mediet dhe gazetarucët serbofilë, të cilët nga 100 herë në ditë e përsërisin lajmin: “OKB votoirezolutën për ndërprerjen e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, kurse Sërbia votoi PRO”. Kaq iu desht për tu futur brenda kllapave faktin se Serbia e Vuçiqit është aleatja e vetme serioze e Putinit në kontinentin evropian, se ajo deklaron pro forma se është edhe me vëllain rus edhe me ukrainasit, por nuk përkrah në asnjë mënyrë sansionet kundër agresorit, sepse është kryekëput proputiniste, sepse për momentin ka drojë nga humbja e Putinit se ndryshe nuk do ta ulte bishtin, po do t’ua mësynte jo vetëm tokave shqiptare por edhe ballkanike me plot kuaj troje.

Por shokë lojalë Putini ka edhe mes politikanëve dhe qytetarëve të Malit të Zi. Përfaqësues të partive proserbe qartazi shprehën përkrahje për Rusinë në emër të idealeve, gjë që i bëri ata të arsyetojnë një sulm agresor ndaj një shteti të pavarur. Sa patetike të arsyetosh një sulm të tillë ndërsa gjithë kohën të thirresh në të drejtë dhe drejtësi! Poashtu, ka qytetarë të respektuar dhe “intelektualë të lartë” që i shpallosin hapur qëndrimet e tyre përkrahëse për Putinin. Kjo është kohë e mirë për të ndarë shapin nga sheqeri dhe për të parë ku qëndrojmë si shoqëri. Ata që janë përkrahës të agresorit, po patën rastin bëhen edhe vet agresorë të pamëshirshëm, prandaj është mirë t’i mbajmë mend.

Me këtë rast, një punë e dobishme nga shqiptarët që e duan lirinë, kombin dhe shtetin e tyre, duhet të jetë kujdesi permanent edhe nga bandat kriminale vendëse, të cilat në mënyrë të hapur ose të sofistikuar janë në anën e kundër të historisë, janë me armikun e shqiptarëve dhe të qytetërimit evropian. Këto banda të kuqe rusomane në media dhe rrjetet sociale, si gjithmon mundohet të ngre krye edhe në këto rrethana, për ta njollosur dhe kompromentuar kombin shqiptar para botës dhe para historisë.

By admini