Më poshtë mund të lexoni të plotë fjalimin nga Konferenca për shtyp e Forcës së Re Demokratike lidhur me buxhetin e Komunës së Ulqinit për vitin 2021 dhe 2022
Një ndër arsyet kryesore të daljes së Forcës së Re Demokratike prej koalicionit në Komunën e Ulqinit ka qenë mosrealizimi dhe keq planifikimi i buxhetit për secilin vit. Ju kujtojmë që ne nuk votuam rebalancin e vitit 2020 dhe buxhetin për vitin 2021 sepse kanë pasur probleme me ligjin dhe realitetin siç po vërtetohet sot dhe me propozimin e Buxhetit për vitin 2022 dhe realizimin e buxhetit për 2021. Përsëri vazhdohet me planifikime që lirisht mund të trajtohen si keqpërdorime dhe mashtrime.
Buxheti për vitin 2021 është planifikuar në shumë prej 15.000.000 EUR, kurse rebalanci i cili është shpërndarë këshilltarëve, e që nuk ka marrë pëlqim nga Ministria e Financave, është përgatitur në shumë prej 13.500.000 EUR, kurse realizimi deri në fund të nëntorit është rreth 8.500.000 EUR.
Pjesa kryesore e buxhetit që i intereson më së shumti qytetarët janë investimet kapitale.
Për vitin 2021 janë të parapara investime kapitale ne shume prej 7.000.000 EUR kurse realizimi deri në fund të nëntorit është rreth 600.000 EUR, pra rreth 8,5%.
Në Llogarinë përfundimtare për vitin 2020 janë të prezantuara obligimet e Komunës dhe ndërmarrjeve publike, pra në bazë të informatave zyrtare. Komuna, pa llogaritur kreditë për investimet në infrastrukturë ka borxh shumën prej 8.105.000 EUR, ndërmarrjet publike 10.034.000 EUR.
Sa i përket investimeve kapitale, kujtojmë që në vitin 2020 janë planifikuar 6.326.000 dhe realizuar 803.925, pra vetëm 12.7%. Për vitin 2021 janë planifikuar 7.167.000 EUR e deri në nëntor janë realizuar 600.000 EUR, pra 8.37%. Për vitin 2022 planifikohen 8.365.000 EUR dhe, sipas të gjitha gjasave, lista e investimeve kapitale do të mbetet listë dëshirash të cilat i sjellin partnerët e koalicionet në mbledhjen e koalicionet në natën përpara mbledhjes së Kuvendit.
Pra, deficiti i paraparë në buxhet, ose thënë thjeshtë mjetet që mungojnë për vitin 2022 janë 6.870.000 EUR, prej të cilave deficiti primar 5.935.000 EUR. Në këtë deficit nuk janë të llogaritura obligimet kreditore, pra deficiti real duhet të rritet për 3.844.626 EUR. Pra deficiti total për vitin 2022 shkon deri në 9,779,626 EUR.
Në buxhetin e propozuar për vitin 2022 janë paraparë që të kthehen borxhe kreditore në shumë prej 1.570.000 EUR, çka do të thotë se nuk janë të përfshira mjetet në shumë prej 2.274.626 EUR. Pra, shuma prej 2.274.626 EUR mungon vetëm për kredi.
Sa i përket të ardhurave, është bërë praktikë që në buxhet të shtohet një shumë paushallë e të ardhurave nga shitja e pronës. Në vitit 2021 është shkruar 2.107.000 EUR e deri në nëntor është realizuar 300.000 EUR. Këtë vit, kjo shifër është fryrë në 2.800.000 EUR. E nëse nuk arrihen të shiten këto prona, deficiti do të rritet edhe për 2.800.000 EUR.
Mirëpo, si edhe më parë, as qytetarët e as këshilltarët nuk e kanë pasqyrën dhe listën e pronave të Komunës dhe nuk jepet as plani i shitjes as nuk pyeten këshilltarët se cilat prona planifikohen të shiten.
Nga e tërë kjo, shihet se Ministria e Financave nuk e ka analizuar propozim buxhetin e Komunës së Ulqinit për vitit 2022 si eksperte, sepse nuk i ka parë këto parregullsi dhe fryrjet e shifrave me qëllim që të arrihen parametrat ligjor të planifikimit të buxhetit.