Antje Jackelén
Kryepeshkope e Kishës (protestante) të Suedisë

   Me datën 08.06.2021, përmes Agjencisë së lajmeve të Suedisë (TT) u shpërnda lajmi se Kisha e Suedisë (që u nda nga shteti në vitin 2000!), do të paraqes zyrtarisht kërkesën e saj për falje nga populli sam, për dhunën e ushtruar gjatë historisë.

   ─ Ne jemi të detyruar ta mësojmë më afër atë histori të errtë, ndonëse ajo shkakton edhe dhimbje, thotë Antje Jackelén (Anqe Jakelen), kryepeshkope e Kishës së Suedisë. Ajo shtoi se kërkesa jonë për falje po përgatitet me kujdes.

     Lutja për falje u publikua zyrtarisht në sesionin vjetor të Kryesisë së Kishës gjatë shërbesës festive me 24.11.2021 në Katedralen e Upsallës, si edhe në Katedralen e qytetit Luleo (selia e Ipeshkvisë së veriut) ku bëjnë pjesë shumica e besimtarëve të popullit sam).

─ Ne e tradhtuam popullin sam, po ashtu e mashtruam veten, por edhe Perëndinë. Tashti por bëmë një hap të rëndësishëm përpara, kur Kryesia e Kishës sonë, mori vendim t’i kërkoi publikisht falje popullit sam, shton kryepeshkopja. Hulumtimi, ndriçimi si edhe publikimi për pjesëmarrjen tonë gjatë historisë dhe falje samëve nisi në vitin 2011, kur u publikua një “Libër i bardhë” si edhe libri shkollor për nomadët, që u botua në vitin 2016.

     Lutja për falje para popullit sam është pjesë e procesit të pajtimit, që është në vijim.

    Antje Jackelén  është femra e parë peshkope e Kishës së Suedisë.

     Me 1921 femra suedeze fitoi të drejtën e votës. Këto ditë, pra 100 vjet më vonë u zgjodh femra e parë kryeministreshë e Suedisë (ekonomistja Magdalena Andershon), që duket e çuditshme, pse Suedia është shteti i fundit nordik të ketë një femër kryeministre!

    Të theksojmë se parlamenti suedez e ka caktuar një komision për pajtim nga pjesëtarë të shoqatave same dhe disa deputetë të parlamentit për të hartuar programin e pajtimit.

     ─ Kush janë samët?

     ─ Në literaturë, më herët, pra edhe tek ne është përdorë emri laponë (më duket sikur u përkthye nga rusishtja), por ata e quajnë vetën sam dhe atdheun e tyre e quajnë SAPMI. Samet janë një popull i lashtë, paqedashës, i cili në fjalorin e tij nuk e ka fjalën luftë. Ani se ka katërmbëdhjetë emërtime për formën e fluskës së borës dhe katërmbëdhjetë emërtime për degët e bririt të drerit të veriut, kultivimi i të cilëve është veprimtaria e tyre kryesore. Që nga kohët e lashta ishin nomad dhe jetonin të lirë në veri të kontinentit të Evropës.

 Sapmi shtrihet në veri në Norvegjisë, të Suedisë, të Finlandës dhe veriperëndim të Rusisë.

    Në këtë vend, duke filluar nga gjysma e dhjetorit e deri në gjysmë të janarit, gjatë dimrit nuk lindë dielli fare, pra është natë. Nuk është tërësisht terr për shkak të borës, por edhe për shkak të “rrezeve të ndritshme të natës”, që është një mrekulli në hemisferën veriore. Poashtu, gjatë verës, që nga gjysma e qershorit e deri në gjysmë të korrikut, në Sapmi nuk perëndon dielli për afro një muaj. Në vendin Abisko, një kodër e zhveshur është atraksion turistik, ku një numër i madh vizitorësh vijnë nga e gjithë bota ta përjetojnë atë fenomen.

   Është interesant se Suedia nuk e ka nënshkruar Konventën e Organizatës Botërore të punës (ILO) për popujt e lashtë. Nuk ua ka njohur samëve, por as pakicave tjera të drejtën e gjuhës deri në vitin 1994 kur u bë anëtare e BE! Atëherë u pranuan katër minoritete të Suedisë: Samët (afro 17.000 persona), Finlandezët (quhet dialekti menkieli, që flitet në Luginën e lumit Turneo), më se 70.000 vetë, hebrenjtë dhe romët (numri i të cilëve është jo i sigurtë). Në ato komuna ku jetojnë samët e finlandezët, është obligim ligjor të mësohet gjuha amtare për vetëm pesë fëmijë e më shumë, si dhe përdorimi i gjuhës edhe shkrimi në kontakte me shkollat, institucionet shëndetësore, si edhe me administratën shtetërore.

    Janë hapësira të mëdha të pyjeve, kullosave, të mineraleve, të lumenjëve e bishave.

    Të gjitha këto shtete kanë përdorë dhunë, plaçkitje, tatime, shpërngulje, shpronësime, krishterimin (me dhunë bashkë me kishën), deri edhe marrjen e fëmijëve, “civilizimin” e tyre dhe kolonizimin e këtyre viseve me banorë të “shtetformues”. Janë pasuri të mëdha natyrore, minerare, të cilat janë bazë e industrisë së hekurit, të drurit e më së shumti për prodhimin e energjisë elektrike. Edhe sot, në forma të ndryshme iu kufizohen kullosat nga kompanitë e mëdha, të cilat i eksploatojnë tëra këto burime të mëdha natyrore.

     Në Suedi kundërshtari më i madh i kthimit të pronave, kullosave e maleve të samëve është një shoqatë, që çuditërisht pati ndikim shumë të madh te ligjvënësit suedezë, tek pushtetarët, tek elita shoqërore, por opinioni publik, veçantë në dekadat e fundit është pro samëve, sidomos ambientalistët: Kjo është Lidhja e gjuetarëve dhe e peshkatarëve. Në Sapmi, uji i lumenjve dhe liqeve të shumtë janë të pasura me shumë lloje peshqish.

    Në vitet e fundit, qeveritë, ministritë, muzetë dhe organizatat kulturore u angazhuan deri në nivelet ndërkombëtare për restitucionin ndajë samëve (ajo që është e mundur): Të kthehen rrobat, skulpturat nga  druri e ashti i drerëve (që është një art i rrallë në botë).  Më e dhimbshmja për samët është ajo se, gjatë viteve 1950 janë zhvarrosur shumë nga të vdekurit e tyre, janë marrë skeletet, janë vendosur në ekspozita të shumë muzeve dhe samët kërkojnë që ato të kthehen, që bashkëkombësit e tyre të prehen në qetësi në Sapmi.

    Finlanda i dorëzoi të tëra gjësendet, eksponatet dhe eshtrat, sidomos kafkat muzeut sam të qytetit verior Enere. Suedia, muzeut të qytetit verior Jok-mok (një komunë me hapësirë më e madhe se Kosova, (ka 11.000 km2, por ka vetëm 20.000. Po, po, njëzetmijë banorë)! Norvegjia këtë veprim e bëri më herët, si pionier i veriut për të drejtat e samëve. Si duket, një risi që e zbaton njëri vend nordik, shpejt, apo më lehtë e pranojnë, e pasojnë, paksa e përpunojnë dhe e zbatojnë edhe shtetet tjera për rreth. Do theksuar se vendet nordike na ishin të parat në Evropë, që i hapën kufijtë shtetërorë, para Luftës së Parë Botërore, gjë që këtyre vendeve ju solli prosperitetin shoqëror, kulturor, ekonomik, më së shumti paqësor dhe unik në botë. Këtë të mirë e përqafoi edhe po e zbaton Bashkimi Evropian.

     Si filloi procesi i pajtimit dhe paraqitja e faljes ndaj popullit sam?

   Si duket, kur zezakët në Amerikë fituan të drejtat qytetare, pastaj lëvizja e Mendelës në Afrikën e Jugut, sikur zgjuan edhe opinionin botëror dhe Kombet e Bashkuara. Australia iu kërkoi falje aborixhinjëve. Zelanda e re maurëve, Kanada inuitëve, gjë që i shtyti njerëzit e pendës, organizatat humanitare, poetë, shkrimtarë e artistë, të ngritin zërin se edhe në Veri të Evropës, ku bota shikon me admirim përparimin social, se këtu jeton një popull, që u shtyp, u pakësua, bile ishte gati para zhdukjes fizike, i cili duhet t’i gëzojë të drejtat si të tjerët. Burrështeti i parë nordik, që në kuvendin vjetor sam (2011) i kërkoi falje popullit sam në Norvegji ishte mbreti norvegjez, Ullafi. Ishte emocional fjalimi i tij para kuvendit sam. Ato ditë, ministresha suedeze e bujqësisë iu kërkoi ndjesë, por me pak fjalë. Një sam i moshuar, i pyetur për koment në TV deklaroi: “drerët e mi nuk ushqehen këtij dimri me fjalët tuaja!” Për çudi, një ministër finlandez deklaroi se Finlanda as nuk e ka ndërmend të kërkoi falje. Koha, ngjarjet dhe përparimi i të drejtave të popullit sam nuk i dha të drejtë.

   Edhe sot, në librat e samëve, që shtypën me subvencionin e shtetit, theksohet se pos të tjerave, veprimi më denigrues ishte fotografimi lakuriq i femrave dhe meshkujve sam. Por edhe më shumë matja e kafkave të tyre, përshkrimi në detale i ballit, i veshëve, të syve, të mjekrës, të shpatullave e deri në pjesë intime, kinse samët janë racë më e ultë se suedezët.

   Ky veprim denigrues u zhvillua me pajtim të gjitha partive politike të Suedisë, që i kishin deputetët në parlament në vitin 1921. Pak sish kundërshtuan, por për çështje ekonomike!

   Të gjitha këto janë të dokumentuara me fotografi dhe shënime në viset veriore të Sapmit. Me këtë të kaluar të errtë, por edhe shumë të dhimbshme për popullin sam, shtetet dhe të gjithë popujt e përparuar të veriut (pos Rusisë), duan ta spastrojnë, ta sqarojnë, por edhe ta zbardhin, që brezat e ardhshme të mos i bartin më hipotekat e së kaluarës. Sa ky proces është i hapur, vlen të theksohet ky rast: Para disa vitesh, një vajzë, gjyshi i së cilës ishte ndër mjekët, apo si i quajnë “Biologë të racës” në Upsallë, e zgjodhi tërë dokumentacionin e gjyshit të vet për të doktoruar. Ajo e botoi librin me titull simbolik: “Gjyshi im racist!”

     Gjuha same-jugore, të cilën e flasin vetëm pesëqind banorë, gëzon atë tretman dhe për fëmijtë e tyre shkruhen, vizatohen, botohen dhe shtypën libra të tëra niveleve shkollore.

  Të shtojmë se, shteti suedez e financon mësimin e gjuhës shqipe në shkollat fillore e në disa gjimnaze. Ka mundësi ligjore të hapet një gjimnaz elitar në gjuhën shqipe (siç është gjimnazi gjerman në Stokholm, i financuar nga shteti suedez, por me programin gjerman), ku më të pasurit e më të diturit, përpiqen t’i regjistrojnë fëmijtë e vet, sepse nga aty dalin kuadro kulminante të shkencë, që nuk dështojnë). Për këtë gjë këtu ka mundësi ligjore, ka numër impozant nxënësish, ka edhe kuadro, por duket se nuk ka interesim!? Këto ditë, gjatë javës kulturore shqiptare në Malmo, një mësues i ri, entuziast, por i zhgënjyer me suksesin e dobët të gjuhës shqipe nga nxënësit shqiptarë, dukshëm me mllef deklaroi se:

“Suedia paguan e tregon vullnet të na ruajë si shqiptarë, por prindërit tanë jo, apo pak”.

   Gjatë këtij procesi të pajtimit në vendet nordike, shqiptarët mund të shtronim pyetjen:

   ─ Vallë, kur kleri i kishës serbe, maqedonase (që doli nga ajo serbe, por u bë më agresive se ajo) dhe kisha greke do t’i kërkojnë falje popullit shqiptar për tëra ato tmerre, mizori dhe padrejtësitë shekullore ndaj shqiptarëve, më së shpeshti edhe duke i bekuar krimet?

     Ndërkombëtarët, që e morën shembull Finlandën me Suedinë, që mërgimtarët tanë e kundërshtuan, e sqaruan se këto vende nuk ngjajnë fare me Kosovën dhe me Serbinë. Ndoshta, ndonjë largpamës, pati parasysh ardhmëri më paqësore të Evropës juglindore.

     Vallë, a mund të ndodhë “skandinavizimi” i Ballkanit, së paku gjatë këtij shekulli?

Hamit Gurguri

hgurguri45@gmail.com

Tel. 0046762518888

By admini