(Pjesëmarrja e përfaqësuesve të pakicave kombëtare në jetën publike e politike të Malit të Zi)
29-30 maj 2021, Hotel “Otrant” Ulqin
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në kuadër të Planit të Veprimit për implementimin e Strategjisë për pakicat kombëtare 2019-2023, për periudhën 2021-2022, do të organizojë Trajnimin për të rinj me temë “Rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve shqiptarë në Mal të Zi në jetën publike e politike”.
Ftojmë të rinjtë shqiptar (nga Rozhaja, Plava, Gucia, Tuzi-Malësia, Tivari e Ulqini) të moshës nga 16 deri në 25 vjeç, të cilët kanë prirje dhe e përcjellin me vëmendje jetën publike dhe politike në Mal të Zi, të aplikojnë për të marrë pjesë në “Trajnim për Liderë të Rinj”.
Aplikimi bëhet përmes e-maileve: kksh@gmail.com ose knsh@t-com.me duke dërguar të dhënat personale si: emër, mbiemër, viti i lindjes, kontakt telefoni, adresa e-mail, adresa e vendbanimit aktual dhe shkolla ose shkollimi që ndjek. Për shkak të masave kufizuese kundër pandemisë COVID-19, numri i pjesëmarrësve është i kufizuar dhe varion nga 20 deri në 25 persona (përparësi në përzgjedhje do të kenë përsonat të cilët aplikojnë të parët për pjesëmarrje).
Për pjesëmarrësit nga jashtë territorit të Komunës së Ulqinit, Këshilli do të mbulojë shpenzimet e akomodimit, ushqimit dhe udhëtimit. Ndërsa për pjesmarrësit nga territori i Komunës së Ulqinit do të sigurohen vaktet e shuajtjeve gjatë qëndrimit në trajnim dhe kompenzimi i udhëtimit nëse vendbanimi i pjesëmarrësit është më larg se 20 km nga vendi i mbajtjes së trajnimit.
Informatë për trajnimin.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi si pjesë aktive në hartimin dhe implementimin e Strategjisë për politikat e pakicave kombëtare në Mal të Zi 2019-2023, të cilën e udhëheq Ministria e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, ku marrin pjesë edhe institucione të ndryshme shtetërore. Në kuadër të këtij Plani të Veprimit, Këshillat e pakicave kombëtare janë të obliguar veçmas ose në bashkëpunim me institucione të tjera, të realizojnë një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë me avancimin dhe promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Ndër të tjera, një kapitull i rëndësishëm i Strategjisë është edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve autentik të pakicave kombëtare në jetën politike të Malit të Zi.
Përse ky trajnim?
Për arsyet e përmendura më lart, e po ashtu, duke e pasur fokusin nga e ardhmja e shqiptarëve në Malin e Zi, Këshilli planifikon të organizojë aktivitete të ndryshme me të rinjtë shqiptarë. Të bindur se të rinjtë gjithnjë e më shumë kontribuojnë për komunitetin nëpërmjet zgjidhjeve dhe ideve inovatore, duke nxitur progresin dhe duke frymëzuar iniciativa të ndryshme shoqërore. Ata janë aktorët e ardhshëm të ndryshimit, të cilët do të kenë ndikim në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve në Mal të Zi. Prandaj, Këshilli Kombëtar do ta organizojë këtë trajnim, i cili synon të pajisë të rinjtë shqiptarë në Mal të Zi, me njohuri e shkathtësi që do i ndihmojnë të bëhen liderë të suksesshëm në të ardhmen.
Si organizohet trajnimi?
Programi është konceptuar të jetë dyditor dhe do të përfshijë një sërë seancash mësimore të kombinuara të teorisë dhe praktikës. Pjesë e trajnimit do të jetë edhe një seancë intensive gjysmëditore, përgatitje mediatike e të rinjve pjesëmarrës për të mësuar se si të paraqiten sa më mirë në mediat audio-vizive (Tv-Radio etj). Në fund të trajnimit pjesëmarrësit do të pajisen me çertifikatë për njohuritë e fituara.
Kush mund të marrë pjesë?
Programi i Trajnimit të Liderëve të Rinj është i hapur për të gjithë të rinjtë e talentuar të moshës 16-25 vjeçare, që kanë dëshirë dhe ambicie që në të ardhmen të marrin role drejtuese në komunitetin shqiptar të Malit të Zi. Pjesëmarrësit mund të jenë nxënës të shkollës së mesme ose studentë të cilët kanë aspirata për t’u bërë liderë në politikë, media, shoqëri civile, administratë shtetërore apo biznese.
Po ashtu, ftohen prindërit, mësimdhënësit, profesorët, aktivistët e shoqërisë civile apo sipërmarrësit, që duke na shkruar në këto adresa emaili kksh.mn@gmail.com ose knsh@t-com.me të rekomandojnë ose nominojnë të rinj për pjesëmarrje në këtë trajnim, për të cilët ata gjykojnë se e meritojnë të jenë pjesë e këtij trajnimi. Pra ju lutemi të aplikoni vetë ose të rekomandoni të rinj shqiptarë që kanë potencial për t’u bërë liderë në fusha të ndryshme duke shkruajtur tek adresat e e-mailit të shënuara më lart.
Për informacione plotësuese mund të dergoni pyetje në adresat e e-mailit të theksuara më lart, përmes telefonit 030/411-302 ose mund të interesoheni pranë zyrave të Këshillit Kombëtar në Ulqin, Bulevardi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pranë Shkollës së Muzikës.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi