Nga Qani Osmani                                

Përderisa në mbarë botën politikanët janë bërë bashkë për ta luftuar pandemin “Covid-19”, në Kosovë po ndodhë e kundërta, politikanët karrieristë dhe të prishtë, egoist dhe mashtrues po abuzojnë me “Coronavirusin” duke zhvilluar luftë të ashpër kundër njëri-tjetrit për pushtet.

Partizanët e pushtetit në shtetin e Kosovës nuk flejnë edhe në situata të krizës shëndetsore globale. Për ta, prioritet mbi prioritetin është të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, sepse pas tij u duket se vjen kiameti…! Nuk pritën as 100 ditët e Bontonit politik dhe e shfrytëzuan mungesën e përvojës institucionale dhe çastin e “pakujdesisë momentale” të kryeministrit Kurti, i cili po përballej me një vështërsi të madhe dhe të paparë deri tani, dhe “hienat” politike të së kaluarës të cilët e ndjenin se u vinte fundi, ia bënë atij në një mënyrë hilen dhe dallaveren e rradhës dhe e treguan fytyrën e tyre të vërtetë.

S’ka dyshim se prapa “puçistëve” është prapaskena antireformë dhe vazhdimsia e të vjetrës, në prapaskenë është edhe sfida e dialogut me Srbinë. Ky diskurs polarizues mes Vetëvendosjes dhe të partive politike të tjera te qytetarët kosovar krijon huti dhe hamendje, bile te pjesa më e madhe e tyre ka krijuar papajtushmëri gati revolucionare e masovizuar frikshëm kundër rrëzimit të Kurtit. Kjo masë popullore në sasi të konsideruar krijon një ambient që reflekton padëgjueshmëri qytetare e cila është akumuluar pothuajse që nga mbarrimi i luftës e këtej. Prandaj, nëse u referohemi praktikave në Kosovë, ky vrerë i akumuluar lehtë mundet të shpërthej, kurse Kosovën ta katandis edhe më keq.

Argument legal opozitar për qeveri tjetër pa zgjedhje të reja, realishtë nuk e ka mbështetjen popullore, por edhe më shum se kaq: Së pari, rrëzimi i qeverisë Kurti nuk i mbushi as 100 ditët kurtuaze; Së dyti, ndodhi në rrethana të pandemisë shkatërruese globale kur qeverit fuqizohen edhe më shumë e jo të dobësohen; Së treti, rrëzimi nuk e ndoqi rrugën e suksesit, respektivishtë mosuksesit. Pra, nëse rrëzimi i qeverisë pati legjitimitet, apsolutisht ishte e paarsyeshme dhe e papërgjegjshme.

Sidoqoft, është për keqardhje që Kosova sot kolaudon dëmet nga rrëzimi i Qeverisë, që është pasojë e kalkulimeve që nuk mund të jenë impresive dhe nuk stimulojn projekte progresiste për te. Në fakt, dështimin e politikës në Kosovë duhet kërkuar në institucionet e trashiguara, në tranzicionin e vënuar, në mungesën  e theksuar të njohurive dhe të kulturës politike, bashk me shkallën e lartë të korrupsionit që po lebeditet si kancer në Ballkanin Përendimor, i ektazuar ekstremisht në kastën politike shqiptare. Mbase në Kosovë arsye shtesë është edhe gjatmbetja e krahut ushtarak në pushtet, që faktikisht argumenton qëndrimin e gabuar që ushtarakët u konvertuan pa merita në politikë. Ky krah ushtarak në Kosovë pos fuqisë dhe guximit që mori nga lufta, u fuqizua edhe nga forca e pushtetit, që është bërë pengesë e përparimit të demokracisë dhe e zhvillimit ekonomik të shtetit të Kosovës.

Nuk kemi si ta quajmë ndryshe shtetin e Kosovës, por veç si shtet të brishtë, i cili për dy dekada liri nuk po arrinë të krijojë institucione kredibile. I brishtë është edhe për vet faktin se më vlerë ka fjala e një ambasadori të akredituar në Kosovë sesa fjala e një politikani të zgjedhur nga populli, më vlerë ka pasuria e një politikani të korruptuar sesa jetërat e mijëra njerëzve, më të vlerësuar para drejtësisë janë hajdutët dhe kriminelët sesa qytetarët e zakontë dhe të ndershëm të këtij vendi.

Mirëpo për fatin e mirë, përballë kusarëve dhe uzurpatorëve politik Kosova e ka një armatë të qytetarëve të ndershëm, një bërthamë të shëndoshë dhe shumë të fuqishme të intelektualëve, atdhetarëve dhe veprimtarëve të devotshëm, gazetarëve, analistëve dhe publicistëve të pathyeshëm në misionin e shenjtë për një shtet ligjor dhe demokratik, për barazi qytetare dhe kombëtare.

Atdhetarët asnjëherë nuk viktimizohen dhe as nuk dorzohen, nderojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u ngritur lartë sipas veprave e jo sipas fjalëve boshe dhe frazeologjive mashtruese. Për dallim nga atdhetarët, politikanët e sotëm kosovarë janë shndërruar në ujqër kundër njëri-tjetrit, duke u munduar t’i nxjerin nga goja kafshatën e gjahut të grabitur.

Për shtetin e Kosovës lirishtë mund të themi së është bërë poligon i politikanëve egoistë dhe karrierist, të prishtë dhe të pistë, lakmitarë të pushtetit dhe të pa ngopshëm në pasurimin e skajshëm kundrejt një popullate të varfër e të pashpresë për jetë në vendlindjen e vet. Fundi i politikanëve të korruptuar dhe politikanëve mashtrues me kauza të rrejshme, për aq sa varet nga vetëdija qytetare, varet edhe nga organizimi i elitës intelektuale dhe mobilizimi i mërgatës. Pa marrë parasysh se si do të zhvillohen ngjarjet, Kosova do të mbetet fatkeqësishtë shembulli i vetëm “i keq” i rrëzimit të Qeverisë në kohën e pandemisë dhe epidemisë më të rrezikshme në botë.

   

By admini