Nga prof. dr. Ruzhdi Ushaku
Panoramë e malit të Sumës
Nuk e di ç’më shtyri në një mëngjes veror të gushtit të vitit 2001, që me disa miq të mi të ngjitem Malit të Sumës, kur pritej, si zakonisht, një ditë e nxehtë e përcëlluese. Ishte kjo një dëshirë, fuqi magjepse, kërshëri që më tërheqte që të lidhja disi kujtimet e mia të para 44 vjetëve, kur në moshën rinore, si mësues në këtë anë pata vizituar gërmadhat e një kështjelle në maje të këtij mali të çuditshëm i cili disi qëndron krenar mes realitetit historik dhe ngjarjeve legjendare. Aventura ime ishte vërtetë e çudit-shme, jo e peshuar mirë me fuqinë time fizike por e nxitur fort nga pjekuria dhe kërshëria intelektuale e shkencore për të depërtuar më thellë shpirtërisht, fizikisht dhe shkencërisht në misteret e Malit të Sumës. Ekspeditës i printe një udhërrëfyes vendës, një djalosh “alpinist” dhe gjuetar të cilin e lidhte në mënyrë të çuditshme edhe emri familjar Suma me emrin e Malit apo fshatit omonim. Ekipin e përbënte një mjek, intelektual dhe shkencëtar i njohur i kësaj ane, biri i tij nga Kanadaja i martuar me një femër të huaj të cilën e tërhiqte dëshira dhe kureshtja për trevën e vendlindjes së bashkëshortit. Kjo zonjë e re, nga një vend i largët, i qëndroi me stoicizëm sprovës së ngjitjes dhe zbritjes nga ky mal i lartë rreth 500 metra, por që duheshin të pushtoheshin me zigzake të shumta nëpër shkurre e shkëmbinje ku mund t’i thenin këmbët edhe dhitë e egra të cilat si duket nuk ishin zotuar të ngjiten në maje të këtij mali të shkretë dhe e kishin braktisur njëherë e përgjithmonë këtë vend të rrezikshëm dhe jomikpritës. Vështirësitë e ngjitjes ishin të mëdha sepse, siç pohoi edhe udhërrëfyesi ynë i cili çante kohë pas kohe shkurret me këmesën e tij, një farë rruge më e sigurtë dhe më e shkurtër që ishte dikur kishte humbur nën mëshirën e kohës dhe në mungesën e bagëtive që dikur në mënyrë instinktive e çelshin shtegun të paktën në brezin e poshtëm të malit ku kishte shkurre për kullotë. Ishte kjo arsyeja që udhëtimi i cili këtu e dyzet vjet më parë pat zgjatur në një drejtim rreth një ore, kësaj rradhe zgjati mbi dy orë. Në maje të malit arritëm më në fund te mbeturinat gati të zhdukura të gër-madhës së një kështjelle e cila gjatë vizitës sime të mëhershme ishin më të dukshme, më impozante, por ku katër dekada kishin shlyer mjaft gjurmë dhe gati e kishin shkrirë me një mimikri natyrore, konfiguracionin e majes së malit me themelin e fundit. Sikur natyra dhe koha ishin kujdesur ta fshinin përgjithmonë gjurmën historike nga e cila do të mbetej vetëm legjenda për gjeneratat që vijnë. Por ç’e do kur kërshëria profesionale e intelektuale dhe një guxim i cili vështirë se mund të përsëritet edhe njëherë, nuk lejoi që kjo gërmadhë të shkrihet në legjendë nebuloze, të paktën sipërfaqësore ashtu siç jemi shpesh të prirur t’i kuptojmë dhe përjetojmë legjendat dhe gojëdhënat. Duke mënjanuar sadopak barin dhe shkurret që iu kishin futur për themel kështjellës së dikurshme dhe sikur donin që ta rrënonin definitivisht nga faqja e dheut dhe kujtesa, nisën të qitnin krye konturat e murit rrethues të gjerë rreth l metre, gjurmët e një saranxhe, gurët e disa kthinave të shembura deri në themel dhe fragmentet e tjegullave, dëshmi këto të pamohueshme të veprës së njeriut me një prejardhje dhe histori të padefinuar saktësisht, por jo edhe të çveshur nga hipotezat dhe legjendat inspirative, gjithsesi jo krejt fiktive dhe të pabaza. Derisa miqët e mi bënin fotografi për amshim, qoftë të konturave të mbetura të fortesës qoftë të panoramës madhështore që shtrihej prej majes së malit në hapësirën e Liqenit të Shasit, Bunës dhe fshatrave përreth, më kapluan disa përsiatje dhe kujtime që i kisha lexuar aty këtu për Malin e Sumës. Gojëdhënat ishin të llojllojshme dhe, kuptohet, në versione të ndryshme, prej atyre se kjo ishte një fortifikatë apo pushimore për mbretërit apo sunduesit ilirë të kësaj hapësire, deri te legjenda sipas të cilës këtu u zu rob Shën Gjon Vladimiri nga perandor Samuili. Nuk do mend se disa gjurmë të kësaj legjende gjejnë mbështetje në faktin se sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë dhe në disa burime të tjera thuhet se Vladimiri u zu rob në një vend afër Tivarit dhe se për një kronikë të asaj kohe nuk mund të pritet ndonjë saktësim më i madh gjeografik ku ka ndodhur kjo ngjarje. Sidoqoftë, Samuili më vonë, apo dikush tjetër më herët, do të ketë arritur të zënte rob ndonjë sundues i cili aty mund të kishte qenë i strehuar qoftë për rekreacion qoftë për t’i shpëtuar armikut, por është e vërtetë se në këtë pikë strategjike dhe të papushtueshme një tog i vogël luftëtarësh do të mund t’i bënte ballë një fuqie shumëfish më të madhe ushtarake, përveç ndonjë depërtimi më të lehtë me tradhëti që ka mundur të ndodhte. Bedeni megjithatë hesht. Hesht edhe mbeturina e saranxhës së dimensioneve relativisht të mëdha e punuar me gurë dhe gëlqere për rezervat e ujit të domosdoshëm për jetë dhe ekzistencë në këtë vend me bukuri që vret. Gërmadha thua se pret që të çvarroset nga ngujimi mijëvjeçar, por ende janë të rrallë ata që do të mund t’i hynin kësaj aventure të vështirë dhe të shtrenjtë. Më rradhiten kujtime dhe asociacione se ky monument i lashtë i shndërruar në gërmadhë gati të padukshme, mund të ketë shërbyer në kohë të ndryshme për qëllime të ndryshme dhe se këta gurë, themele, kjo saranxhë, këto fragmente të tjegullave, po të dinin të flisnin do të na tregonin për idila dashurie, përjetime frike e tmerri në errësirën e netëve të gjata dhe shekujve, në ndërrimin e stinëve me vapë dhe rrebeshe e rrufe që shkrepnin që nga antika perënditë vendore. Historia për Vladimirin, qoftë kjo edhe si ngjarje e mëvonshme, mund të jetë edhe si legjendë, më e kapshme historikisht, dhe se fati i këtij të shenjti u lidh, pa marrë parasysh hipotezat dhe mendimet për prejardhjen e tij, me historinë e Kishës së Shën Mërisë apo të Zonjës së Papërlyer të Krajës, me shkuarjen e tij në Prespë dhe me vrasjen e tij me tradhti më l016 nga Vladislavi, para dyerve të kishës. Por çka i shtyri epirotasit, siç ceket në një vend, që më 1215 t’i çojnë arkivolet e Vladimirit dhe Kosarës në Durrës e pastaj në Elbasan ku gjenden edhe sot në Manastirin e Shën Gjonit? Këtu duket se legjenda afrohet me ngjarjet historike për princ Shën Gjon Vladimirin që e nxiti piktorin shqiptar Konstantin Shpatarakun që kujtesën në Shën Gjon Vladimirin ta përjetësojë në shekullin XVIII në ikonën e këtij të shenjti. Mbetet që legjenda për Vladimirin apo Shën Gjon Vladimirin të lexohet jo vetëm historikisht por edhe të përjetohet intelektualisht e artistikisht. Në disa burime thuhet se vendbanimi i sotëm i Katërkollit, i quajtur dhe i shënuar edhe me variantin tjetër Vladimir (në një pakt të vitit 1405 si Shën Vladimir, krahas me Shën Mërinë në luginën e Romaneut, të Rumisë), sipas të gjitha gjasave; shëmim i redaktorit, duhet të lidhet me po këtë mal apo kështjellën ku sipas legjendës ka jetuar një kohë dhe ka qenë i robëruar Shën Gjon Vladimiri. Mali në fjalë njihet me emrin Mali i Sumës (Mali Sum’s), e për këtë mal legjenda mbi Krojet e Sumës dhe sundimtarin i cili vriste çdo të ri i cili nuk mund t’i numronte saktësisht sa kroje ka rrëzë Malit të Sumës. Këtë legjendë e përjetova në mënyrë të veçantë kur pas zbritjes shumë të vështirë nga ana veriperëndimore arritëm te Kroni i Sumës i cili gjendej afër 3-4 shtëpive të vetmuara. Kroni i Sumës, për ekipin dhe për mua, mund të thuhet se ishte “Kroni i shpëtimit”, sepse në atë vapë që na zuri, shishja e ujit që e pinim nga një gërç sa për t’ i lagur buzët, ishte gati e shterur. Në jetën time kurrë nuk kam pirë ujë më të mirë. Ajo pije hyjnore sikur më solli prej agonisë në jetë. Do të thonte dikush se ashtu më është dukur sepse isha i lodhur, i raskapirut dhe i etshëm, por jo. Nuk dija të ngopesha me atë freski e shije dhe nuk më rëndonte aspak pesha e tre katër litrave që i piva me intervale; në një burim më tej, kur sërish me kapi etja, uji që piva ishte krejtësisht me shije tjetër. Nuk më habit se ky krua kryesor e kishte marrë emrin Kroni i Sumës, sepse ai ishte eliksir i vërtetë për çdo kalimtar, për banorët e këtyre tre katër shtëpive në afërsi, të cilat në këtë tokë përcëlluese dhe natyrë mjaft të vrazhdë të tokës arbërore ishte burim i jetës, burim hyjnor. Duke iu afruar ngadalë rrëzës së Malit ku i kishim parkuar veturat, mendoja si në ëndërr në toponime e emra familjarë që ishin rrënjosur dhe dëshmuar historikisht në mesjetë si ata Suma, e më konkretisht fshati Suma në veri të Bunës, si dhe Dhimitër Suma i cili me vojvodë Bogojen në vitin l332 qëndroi në krye të kryengritjes kundër mbretit Dushan, pra mu në vitin historik kur Brokardi në Tivar, pra jo shumë larg Malit të Sumës, dëshmon paradoksalisht se shqiptarët kishin librat e tyre që i shkruanin me gërma latine, e ku për fat të keq nuk gjetëm, të paktën deri më sot, asnjë gërrithje shkrimi në gërmadhat e fortesës së Malit të Sumës. Zinxhiri i këtij emri familjar vazhdon në rrjedhat e kohës edhe në vitin 1425 më emrin e familjes bujare Suma, e me këtë emër familjar quhej edhe një peshkop i Lezhës në vitin 1426. Në vazhdim, në vitin 1816 përmendet një tregtar shkodran me emër Antun Summa në veloren “S. Nicolo” ku ishte kapiten i quajturi Jusuf Jakov Nicov. Edhe në Ulqin, sipas disa shënimeve, deri në fillim të shekullit XX, ka jetuar familja e pasur Suma (Summa), ndoshta me ndonjë lidhje me atë të Dhimitër Sumës. Ky emër familjar Summa ka qenë i përhapur edhe gjatë mesjetës: në Drisht dhe në Tuz më 1330 prmendet edhe Pjetër Suma kurse në fillim të shekullit XVII një fshat në Anë të Malit njihet me emrin Suma (Summa), apo shtëpia e famshme e Sumës në gadishullin e Sukës në Ulqin, ku qëndroi disa ditë knjaz Nikolla, shtëpi kjo që u përjetësua në disa fotografi të vjetra. Hallkën e zinxhirit të këtij emri familjar të pashkëputur e kisha pranë meje, para meje, e kisha në emrin familjar të këtij djaloshi bujar dhe të shkathët, i cili me durim e sukses të plotë na ktheu shëndosh e mirë deri në vendin kur para rreth 7 orëve ishim nisur për një aventurë jo të vogël për të kërkuar gërmadhat e kështjellës në Malin e Sumës. U ndam përzemërsisht prej këtij djaloshi të guximshëm me dëshirë dhe shpresë se do të takohemi edhe ndonjëherë në jetë, por sa më takon mua, kurrë më në një aventurë të tillë, sepse për diç të tillë, më nuk mbetet kohë as fuqi fizike. Ajo mund të mbetet vetëm një hallkë kujtimi apo nxitjeje që dikush tjetër në një kohë të ardhme të shërbejë si hallkë kërkimi të misterit të Malit të Sumës, ashtu siç mbeti legjenda dhe dëshmitë onomastike me këtë emër impresiv por që, duhet ta pranoj, e përjetoj me një rrëqethje plot emocione dhe etje fizike për ta shuar nën Kronin e Sumës dhe mallëngjim e etje shpirtërore për të mësuar e ditur diç më shumë për misterin e Malit të Sumës.
Projekti ”Të lexojmë shqip” është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.