Kryetari i Kuvendit komunal të Ulqinit z. Ilir Çapuni ka thirrur ditën e hënë një mbledhje të jashtëzakonshme. Sipas njoftimit që është publikuar në faqen e Komunës së Ulqinit mësohet se në rend dite janë dy pika, shkruan Ulqini Online.
Pikat e rendit të ditës janë si më poshtë:
• Propozim Vendimi për shitjen e tokës në pronësi të Komunës së Ulqinit dhe
• Propozim Vendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit për buxhetin e Komunës së Ulqinit për vitin 2019
Këshilltarët e Kuvendit komunal të Ulqinit duhet që të deklarohen për të dy pikat e rendit të ditës por me shumë kureshtje pritet deklarimi i tyre rreth pikës së parë, Propozim Vendimi për shitjen e tokës në pronësi të Komunës së Ulqinit.
Muajin e kaluar në Ulqin ka pasur edhe protestë të qytetarëve pas paralajmërimit se Komuna e Ulqinit do të kalojë në pronësi të qeverisë rreth 8000 m2 tokë në pjesën më atraktive të qytetit të Ulqinit. Toka për të cilën bëhet fjalë shtrihet në mes të ish hotelit Galeb dhe hotelit Albatros.
Mbledhja do të mbahet më 28.10.2019 më fillim në orën 11:00 në Sallën e Madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.