
Gjekë Gjonlekaj/New York
Zonja dhe zotërinjë;
Jemi mbledhur sot këtu në
Royal Regency Hotel në New York për të nderuar legjendën e racës arbërore Adem
Demaçin, i cili u nda nga kjo jetë me 26 korrik 2018. Pas lirimit nga burgu u
prit me nderimet më të mëdha në Kosovë. Dhjetëra mijëra shqiptarë shkuan për t’i
dhënë dorën këtij profeti. Adem Demaçi u largua nga kjo jetë në jubileun e disa
datave historike të popullit shqiptar. Sivjet kujtojmë 550-vjetorin e vdekjes së
Gjergj Kastriot Skendërbeut,140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,
110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Adem Demaçi ishte i lidhur shpirtërisht me të gjitha këto data historike, por
dita më e lumtur e jetës së tij kishte qënë 17 shkurti i vitit 2008. Pas shumë
vuajtjesh e mundimesh më në fund arriti ta shohë Kosovën e tij të dashur të lirë
dhe të pavarur. Vlen për ta shënuar se sivjet është 82-vjetori i lindjes së
Ismail Kadaresë, është gjithashtu 82-vjetori i lindjes së Rexhep Qosjës dhe
82-vjetori i lindjes së Adem Demaçit. Ky tresh I famshëm kishte lindur në vitin
1936. Krijimtaria e tyre letrare, pasuron dhe nderon kombin shqiptarë brenda e
jashtë atdheut. Të gjitha këto data historike kishin qënë frumëzim për Adem
Demaçin, ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës ishin pjesa më e dhimbshme dhe më
e lumtur e jetës së tij. Për Kosovën e tij të dashur kishte përjetuar ditët e
kryqëzimit.”Kalvarin e Kosovës” Adem Demaçi e kishte përjetuar më rëndë se asnjë
shqiptar tjetër. Të gjtha këto data janë të rrafshit kombëtar. Por ky ishte
idealist i rrafshit ndërkombëtar. Adem Demaçi veproi paralelisht me
personalitetet më të njohura të botës në fushëbetejën e lirisë dhe të drejtave
të njeriut. Sivjet është 50-vjetori i rënjes tragjike të Martin Luther King Jr.
Martini i Amerikës dhe Ademi i Kosovës kishin shumë karakteristika të njëjta.
Martin Luther King Jr. ishte trim siç ishte edhe Adem Demaçi, pastaj ishte
orator siç ishte edhe Ademi. Matin Luther King Jr. ishte i pa korruptueshëm, i
tillë ishte edhe Adem Demaçi. Martin Luther King Jr. është personaliteti më i
nderuar i Shteteve të Bashkuara. Ditëlindja e tij dhe ditëlindja e Jezu Krishtit
janë festat kombëtare dhe asnjë peronalitet tjetër i historisë amerikane nuk e
gëzon këtë nderim. Disa historianë të kombit dhe të fesë e quajnë Martin Luther
profet. Ai ka thënë: “ ata që kanë frikë vdekjen nuk e fitojnë lirinë”.
Nga
historia e kombit tonë kisha mësuar se Gjergj Kastriot Skenderebu nuk kishte
frikë vdekjen dhe sukseset e tij ishin rezultatet e trimërisë së tij. Unë
personalisht kam takuar një shqiptare që nuk kishte frikë vdekjen. Ajo ishte
Nëna Tereze. Më vonë takova edhe një shqiptar tjetër që nuk kishte frikë
vdekjen. Ai ishte Adem Demaçi. Nëna Tereze e adhuronte jetën ashtu siç e
adhuronte edhe Adem Demaçi. Ai mund të fliste gjithë ditën për shëndetin, për
ushqimet e shëndetëshme për rëndësinë e gjimnastikës dhe ushtrimeve të tjera
fizike. Dukej si të ishte profesor i mjekësisë. Asnjë ditë në jetën e tij nuk u
ndalua pa thënë të vërtetën për Kosovën. Ai fliste vazhdimisht kundër
korrupsioneve të ndryshme. Gjatë një bisede telefonike e pyeta nëse kishte
frikë ndërkombëtarët sepse ata mund ta burgosnin për deklaratat e tij tepër të
ashpëra. Ai tha: “Do të isha me fat sikur të më burgosnin. Burgimi im nga
ndërkomëtarët do të zgjonte kurajon e gazetarëve të huaj rreth problemeve të
Kosovës” Një herë tjetër e pyeta për kushtet e jetesës dhe për të ardhurat
muajore. Ai tha se pensioni i tij ishte 100 marka në muaj. Po kjo sasi është
tepër e vogël për ju zotni Demaçi. Nuk është problem, është në rregull, ngase
është njësoj si rroga e shumicës së qytetarëve të këtij vendi. Unë nuk dua më
shumë. Jam i kënaqur me kaq tha Demaçi, e u kishte bërë shumë vërejtje
ndërkombëtarëve sidomos për korrupsion. Ai thoshte që politikanët e Kosovës janë
të korruptuar dhe si pasojë ata nuk mund të veprojnë për të mirën e Kosovës.
Këtë qëndrim e ilustronte me themelimin e Gjykatës Speciale të Hagës për
Kosovën. Ai thoshte që edhe luftëtarët e lirisë ishin korruptuar aq shumë sa që
nuk kishin forcë morale dhe as politike të kundërshtojnë themelimin e kësaj
Gjykate të mbrapshtë. Ato ditë iu luta t’i jepte një intevistë “Zërit të
Amerikës”. E pranoi megjithë deshirë, bile tha shumë gjëra në atë interviste.
Këta ishin luftëtarë të lirisë dhe deri që u bënë miqë me ju nuk ishin të
korruptuar. Të gjitha akuzat i ilustronte me fakte, siç kishte ndodhur me
falimentimin e bankës gjermane dhe fondet e pensonistëve të Kosovës.
Sivjet
është 100-vjetori i lindjes së Nelson Mandelës, që ishte njëri prej disidentëve
më të njohur të botës. Nelson Mandela është shpërblyer me Çmimin Nobel siç është
shpërblyer edhe Martin Luther King Jr. Mandela dhe Martin Luther King gjatë
kohës së mundimeve kishin mbështetje të madhe kombëtare dhe ndërkombetare.
Nelson Mandela kishte përkrahjen morale të 40 e sa vëndeve afrikane, ku jetojnë
500 milionë afrikanë. Ndërsa Adem Demaçi ishte qyqe vetëm. Ata u shpërblyen me
Çmimin Nobel por jo Adem Demaçi, pavarësisht se e meritonte njësoj si ata. Por
ky është fati i popujve të vegjël. Nelson Mandela u pasurua shumë pas ardhjes së
tij në pushtet. Bile ai u akuzua për korrupsion. Në paradën që ishte organizuar
për nder të tij në New York, Mandela përshëndeti njerëzit me atë grushtin e
“famshëm” komunist, sepse miqtë e tij në burg kishin qënë regjimet komuniste në
krye me Fidel Kastron. Ajo paradë kalonte përpara zyrës së VOA në Federal Plaza,
bile dola në rrugë për ta parë dhe bëra një reportazh për atë ceremoni. Për çudi
Nelson Mandela ishte në anën e Millosheviqit gjatë Luftës së Kosovës. Të mos
harrojmë se edhe Ivo Andriqi ishte nobelist. Leonard Fox, ish professor i
Universitetit Columbia në New York, ka thënë se Adem Demaçi ishte disidenti më i
pa korruptuar në botë
Për shqiptarët e Amerikës Adem Demaçi ishte simbol
i lirisë së Kosovës. Në gjitha demonstratat tona e mbanim në duar portretin e
tij që shkruante: “Free Kosova, Free Adem Demaçi” (Lironi Kosovën, Lironi Adem
Demaçin).Organizata për të Drejtat e Njeriut dhe Human Rights Watch dhe Amnesty
International ishin shumë të brengosura për gjëndjen e tij shëndetësore në
burg, ata kishin frikë se ai mund të verbohej ngase tërë kohën e kalonte në
terr. Gazetarët e huaj e kishin vizituar në burgun e Sremska Mitrovicës. Adem
Demaçi vuante dyfish, sepse kishte bërë thirrje dhe veprime për bashkimin e
Kosovës me Shqipërinë. Ai ishte armik i sovranitetit dhe integritetit të
Jugosllavisë. Pastaj ishte armik i diktaturës komuniste jugosllave. Kolegët e
tij në burgjet jugosllave ishin atje sepse kishin kritikuar regjimin. Të tillë
kishin qënë Mihaillovi e Gjillasi. Adem Demaçi kishte qëndruar për një kohë të
gjatë në burgun e Sremska Mitrovicës ku kishte qënë edhe shkrimtari dhe
disidenti i njohur Millovan Gjillas. Demaçi dhe Gjillasi ishin përplasur shumë
herë kundër njëri tjetrit rreth problemeve shqiptare në Jugosllavi. Adem Demaçi
tregonte se Millovan Gjillas ishte nacionalist.
Emëri i djalit të Adem
Demaçit është “Shqiptar Demaçi”, ndërsa emëri i bijës së tij është Abetare
Demaçi. Unë kurrë në jetën time nuk kam takuar shqiptar me emërin Shqiptar.
Shqiptari në këtë rast personifikon kombin. Abetarja arsimin. Kombi dhe arsimi
janë alfa dhe omega. Ata u shkolluan në kushte tepër të vështira. Megjthatë
Shqiptari është mjek dhe kirurg i njohur në Prishtinë, ndërsa Abetarja
elektro-inxhinere në Londër. Të dy janë të martuar dhe kanë fëmijë. Për
shkollimin e tyre të vështirë tregon Hysen Ulaj . Ai kishte qënë në kohën e tyre
student në Universitetin e Prishtinës. Zoti Ulaj tregon se ata ishin shumë të
izoluar,sepse ishin në sy të pushtetit. Për arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm dhe
edukatën e mrekullueshme merita kryesore i takon nënës së tyre Xhemajles. Ajo
ishte bashkëshorte e vërtetë dhe nënë e shkëlqyeshme. Ishte mësuese shumë e
përkushtuar. Në mesin e viteve 50′ Adem Demaçi u bë shkrimtar i njohur sidomos
pas botimit të romanit “Gjarpërinjtë e Gjakut”. Kjo vepër ishte ndaluar
menjëherë pas botimit. Është njëra prej veprave më të mira të letërsisë sonë.
Thirrja e tij biblike “shtrije dorën e pajtimit e jo dorën e krimit” është mbase
fjalia më e bukur e gjuhës shqipe. Kjo është thirrje biblike që do të citohet
përgjithmonë. Shumë nga thënjet e tij janë profetike.
Në vitin 1991
Parlamenti Evropian e kishte shpërblyer me Çmimin Saharov, që është çmimi më i
lartë i këtij lloji pas Çmimit Nobel. Ai ishte ftuar në Strasburg për këtë
dhuratë shumë të çmuar. Më këtë rast kishte mbajtur një fjalim para Parlamentit,
duke i falenderuar për këtë shpërblim. Kishte folur gjërë e gjatë për historinë
e Ballkanit dhe të popullit shqiptar. Adem Demaçi kishte folur gjerësisht për
dhunën sllave mbi shqiptarët. Ai ua kishte thënë deputetëve evropianë se
vuajtjet dhe mundimet e popullit shqiptar janë pasojë e politikës evropiane,
ngase ata i kishin ndarë e coptuar tokat shqiptare. Adem Demaçi ishte treguar
shumë i guximshëm. Kështu kishte folur At.Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës
në Paris në vitin 1919 dhe Imzot Noli në Gjenevë në Organizatën e Kombeve të
Bashkuara në vitin 1924.
Fondacioni “Dedë Gjo’Luli” në New York në mars të
vitit 1992 e kishte ftuar për të marrë pjesë në kremtimin e Kryengritjes së
Malësisë së Madhe të vitit 1911. Edhe pse në atë kohë gjendej në Suedi, Adem
Demaçi mori pjesë shumë i lumtur në festën tonë. Bile bëri pak humor kur tha:
“Ju falënderoj ju malësorëve dhe Dedë Gjo’Lulin që më ftuat në këtë festë”. Ai
tregonte se gjatë kohës kur kishte qëndëruar në burg e kishte dëgjuar shumë herë
këngën:”Dedë Gjo’Luli shkruan një letër”. Bile kishte thënë një herë se ajo
këngë kishte qënë frymëzim për të. Pas disa ditësh organizova një pritje dhe
interivistë me gazetarët amerikanë dhe të huaj në studion e madhe të Zërit të
Amerikës në New York. Drejtori i VOA’s, Al Banks e priti mirë, bile kur i dha
dorën I tha:”Ku ishe zoti Demaçi që të pres tash 30 vjet”(where have you been
Mr.Demaçi, I’ve been waiting for you for 30 years). Gazetarët biseduan me Ademin
për më shumë se një orë. Ai u la përshtypje të mrekullueshme. Ai foli gjërësisht
për Sllobodan Millosheviqin dhe tragjedinë që do t’u sjellë popujve të
Ballkanit, sidomos shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Intervista e tij u
transmetua në të gjitha gjuhët e Zërit të Amerikës, bile edhe në anglisht. Ata
thanë se Adem Demaçi ishte humanist i madh. Disa ditë më vonë u ftua për një
konferencë me gazetarët në Kombet e Bashkuara. Këtë takim e organizoi i
Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në OKB, Sokol Necaj.
Një javë më vonë u prit
nga Komuniti Shqiptar. Këtë takim e drejtoi aktivisti Luigj Gjokaj. Ndërsa po
fliste për rëndësinë e demokracisë, Dodë Gega përndryshe antikomunist i njohur
nga Puka e pyeti. Ju zotni Demaçi dikur keni folur ndryshe e jo siç po flisni
sot. Ademi buzëqeshi,” e dijë e dijë zotni ku e ke fjalën dhe vazhdoi”: “vitin
e kaluar isha në Shqipëri e vizitova atë vend fund e maje dhe dua t’ua themë të
vërtetën e hidhur se as krijesat e marsit nuk kishin dijtë me e shkatrrua
Shqipërinë siç e ka shkatërruar Enver Hoxha dhe Partia e tij e Punës”. Pas
këtyre fjalëve Dodë Gega u ngrit në këmbë i dha dorën dhe u përqafuan. Të
pranishmit u emocionuan.
Një javë më vonë Joseph Dio Guardi kishte
organizuar takime të rëndësishme në Washington për Adem Demaçin.Atje u prit nga
senatori Robert Dole dhe me disa kongresmen të njohur. Por takimi më i
rëndësishëm kishte qënë me Sekretarin e Shtetit Lawrence Eagelburger. Në këtë
takim morën pjesë Mark Krasniqi edhe Elez Biberaj. Adem Demaçi e kishte pyetur
sekretarin Eagelburger nëse Shtetet e Bashkuara do ta njohin pavarësinë e
Kosovës? Zoti Eagelbuer ishte përgjigjur tash për tash jo, por i kishte thënë
mos gabo me u thënë shqiptarëve nesër po sepse kam me të demantaua menjëherë.
Elezi tregon se ata kishin hyrë për një derë, dhe kishin dalur për një derë
tjetër, ngase aty në koridor tek dera kryesore priste amabasadori jugosllav për
një takim me zotni Eagelburgër. Për këto, dhe episode të tjera mund të tregojë
vetëm Elez Biberaj, ngase asnjëri prej tyre nuk jeton më. Më vonë Adem Demaçi
kishte shkuar në Detroit për një vizitë të Komunitetit të Malësisë. Atje kishte
shumë miqë malësorë dhe siç tregonte ata e kishin pritur me nderime të mëdha.
Malësorët e Detroitit i kishin dhuruar një sasi të konsiderueshme të hollash që
i kishte përdorur për një turne poltik në Evropë,në Australi, në Zelandën e Re
dhe në Turqi. Kurdoherë kam folur me të në telefon më porosiste t’i falenderoja
malësorët për miqësi dhe sjellje bujare. Ai ishte mirënjohës i
jashtzakonshëm.Por njeriu që e ka nderuar më shumë se kushdo tjetër Adem Demaçin
në Amerikë është Shaqir Gashi dhe familja e tij. Shtëpia e Shaqir Gashit ishte
si shtëpia e tij. Shaqir Gashi i kishte krijuar kushte të shkëlqyeshme për
jetesën e Ademit në New York. Kishte vënë në dispozicion një apartament shumë
komod ku mund të takonte shqiptarët dhe amerikanët për vizita të ndryshme. Aty
Shaqiri kishte një restaurant luksoz. Zonja Gashi kishte jetuar derë më derë me
familjen e Adem Demaçit në Prishtinë.
Në verën e vitit 2001 gazeta “The New
York Times” botoi një artikull të gjatë për Adem Demaçin. Titulli i atij shkrimi
ishte “Adem Demaçi Kampion i Lirisë së Kosovës”(Adem Demaçi Champion of Free
Kosova) Sipas kësaj gazete Ademi është kampion i lirisë së Kosovës e jo dikush
tjetër siç mendojnë disa dallaveraxhi. Adem Demaçi u sha dhe u fye më shumë se
anjë shqiptar tjetër në Kosovë. Ai më tregonte për ato shpifje të cilat shumë
herë e kishin munduar shpirtërisht më shumë se torturat në burgjet jugosllave.
Armiqët e tij kishin përhapur propagandë se ai gjoja kishte jetuar në hotelet më
të mira të Jugosllavisë dhe se atje kishte kaluar kohën me gratë dhe vajzat më
të bukura dhe më të mbrapshta të qytetit. Adem Demaçi nuk ua fali kurrë ato
shpifje. Ata e treguan idiotsinë e tyre edhe në ditën e vdekjes së tij. Adem
Demaçi meriton shumë nderime. Meriton ngritjen e një memoriali ashtu siç është
Memoriali i Skenderebeut në Krujë, ose Memoriali i Abraham Lincolnit në
Washington. Ai meriton një tempull ku do të luten shqiptarët para këtij burri të
madh të kombit. Ai ishte njeriu më humanist që kam parë në jetë, pas Nënës
Tereze. Adem Demaçi ka qënë shkrimtar, orator dhe filozof si të kishte qënë i
shkolllës së Sokratit. Asnjë ditë në jetë nuk bëri kompromise në dëm të
çështjes kombëtare. Ai ishte personalitet I përmasave botërore. Breznitë e
ardhshme duhet patjetër të mësojnë nga ky gjigant i kombit tonë. Kishte dhunti
profetike të Abrahamit dhe të Moisiut. Ishte si një Promethe i lidhur në Shkëmb
të Shumadisë. Adem Demaçi është gurthemeli i parë dhe kryesor i lirisë dhe
pavarësisë së Kosovës. Unë personalisht mësova shumë nga nga ky trim legjendar
dhe jam krenar që jam i fisit të një trimi kaq të madh. Kosova duhet ta shpallë
ditëlindjen e tij festë kombëtare.
P.S. Ky fjalim që është mbajtur në gusht të vitit të kalaur në orën përkujtimore për Adem Demacin në New York botohet me disa ndryshime të vogla. Një mik i imi i Adem Demaçit, më sugjeroi që kjo elegji të mbetet e shkruar.