Nga Gjekë Gjonaj

Kompleksi turistik në malin Mavrian do të ketë tri hotele resor me 5 yje , një hotel kazino po ashtu me 5 yje dhe 105 vila, me gjithsejt 4-5 mijë shtretër, u tha në prezentimin e projektit ideor të kompleksit të ardhshëm. “Vlera e investimit është prej 600 milion deri në 1 miliard eura. Do të ndërmarrim të gjitha aktivitetet për gjetjen e investitorëve për këtë projekt të cilin e kam iniciuar unë dhe e ka pranuar edhe Qeveria e Malit të Zi. Për këtë projekt ideor, të cilin e ka punuar ndërmarrja e njohur ING Invest nga Podgorica , veç janë interesuar kompanitë nga Katari dhe Egjipti , përfaqësuesit e të cilëve së shpejti do të vijnë në Ulqin”, tha kryetari Nrekiq,

Ai pohoi se trualli në të cilin duhet të ndërtohet kompleksi turistik është pronë e komunës, dhe se investitorët , siç u shpreh ai, mund të ndërtojnë pa asnjë problem në këtë pjesë jashtëzakonisht të bukur të qytetit të Ulqinit.

” Zona e planifikuar për kompleksin turistik në Mavrian përfshinë 41.4 ha dhe 21.3 ha të cilën e përbën pjesa e bregut me marinë , apo gjithsej 62.7 ha, ndërsa bruto sipërfaqja e kompleksit është afro 177 mijë metra katrorë”, tha Nrekiq.

Arkitekti kryesor i Komunës së Ulqinit Aleksandar Daboviq përmes nj kuadrove filmikë paraqiti detaje të hollësishme për këtë projekt, i cili u vlerësua shumë i rëndësishëm jo vetëm për Ulqinin , por edhe për Malin e Zi.

Kryetari i Kuvendit të Komunës, dr. Ilir Çapuni, pas prezantimit të këtij projekti në deklaratën e tij dhënë Radios së Malit të Zi mohoi pohimet e sotme të kryetarit Nrekiq, se me nismën e tij është realizuar ky projekt ideor.

“Në vitin 2007 pushteti i atëhershëm ka propozuar që aty të bëhet deponia sanitare dhe kanë bërë gati dokumentacionin për Bankën Botërore. Mbi 3 muaj ka zgjatur lufta e Forcës së Re Demokratike që në atë lokalitet mos të ndërtohet deponia sanitare. Në fund u vendos që deponia të bëhet në Tivar ku është edhe sot. Me kërkesë të ish kryetarit Nazif Cungu, filloi dedikimi i saj për zonë ekskluzive turistike dhe si e tillë është përfshirë në Planin Hapësinor të Ulqinit. Në vitin 2017, janë nisur procedurat për realizimin e projektit të kësaj zone turistike. Kjo është një dëshmi që përfaqësimi në Parlament është i domosdoshëm”, pohoi Çapuni.

By admini