Shkruan Qani Osmani
Nëntori është muaji i festave kombëtare, muaj i rëndësishëm ku tradicionalisht promovohen vlerat e identitetit shqiptar. Pjesë e këtij promovimi ka qenë gjithmonë krenaria për prejardhjen dhe mbijetesën shekullor të një kombi autokton dhe të larmishëm, të një kombi që ka praktikuar disa religjione të ndryshme e megjithatë është bashkuar gjithnjë rreth një boshti të vetëm të identitetit kombëtar, i cili ka mbijetuar të gjitha ndasitë dhe të gjitha rreziqet e asimilimit.
28 Nëntori është padyshim data që i bashkon të gjithë shqiptarët në festën e flamurit të përbashkët. Është data që shënon shumë momente të rëndësishme historike. Datë kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti për herë të parë flamurin me të cilin sot e kësaj dite identifikohen shqiptarët kudo që janë, atë flamur që më vonë e ngriti Ismail Qemali për të shënuar krijimin e shtetit të pavarur shqiptar pas një pushtimi pesëqind vjeçar nga Perandoria Osmane. Ngritja e atij flamuri shënon dy momente historike të rezistencës nga asimilimi.
Momenti i parë është ai kur një djalë i marrur peng nga Perandoria Osmane, i shndërruar në jeniçer, e rigjen identitetin e vetë dhe kthehet për të luftuar e për të mbajtur rezistencën e kombit të vetë por edhe të vlerave evropiane të asaj kohe, përballë një pushtuesi i cili ishte në rritje dhe ekspansion. Përtej rezistencës prej disa dekadash, sërish ky komb bie nën pushtimin e asaj fuqie që në atë kohë ishte në rritje e që pastaj për 500 vite me radhë ushtroi pushtetin dhe hegjemoninë e tij në vendet që Skënderbeu i kishte çliruar. Jo rastësishtë kësaj figure historike i thuren lavde edhe nga shkrimtarë evropian dhe kujtimi i tij është skalitur në shumë qytete moderne evropiane. Momenti i dytë tregon përfundimin e kësaj hegjemonie 500 vjeçare dhe rivendosjen e vlerave kombëtare shqiptare tani më në mënyrë institucionale, duke krijuar shtetin e parë shqiptar, shtet ky i cili sërish promovoi vlerat perëndimore, vlera të tolerancës dhe të zhvillimit karakteristik për shtetet moderne evropiane.
Një pyetje me vend është si arriti që të ruhet ky identitet edhe përtej pushtimeve të ndryshme hegjemonike? Përgjigja është tek festa e cila festohet një javë para ditës së flamurit, dita kur në Kongresin e Manastirit përpilohet alfabeti i unifikuar i gjuhës shqipe. Kjo është festa e cila i solli të gjitha festat tjera, sepse vetëm përmes arsimimit si dhe punës së palodhshme intelektuale të rilindasve ishte e mundur të mbijetoj dhe të kultivohet ai identitet i cili u rezistoi shumë rreziqeve për asimilim. Që në momentin kur Naum Veqilharxhi e Konstandin Kristoforidhi krijuan alfabetet e para të gjuhës shqipe të cilat më vonë u unifikuan në Kongresin e Manastirit filloi rimëkëmbja institucionale e atij identiteti që për 500 vjet kishte mbijetuar falë traditës zakonore të familjes shqiptare. Krijimi i shkollës së parë në Korçë, datë të cilën poashtu e festojmë si festë kombëtare me 7 Mars, mundësoi përhapjen e vlerave kombëtare përmes arsimimit në gjuhën shqipe. Këto tri festa janë esenca e identitetit mbarë shqiptar, data të lidhura njëra me tjetrën historikisht, data të cilat mbeten përgjithmonë në kujtesën kolektive të një kombi krenar për prejardhjen e vetë.
Sot këto festa që sollën njëra tjetrën festohen në shumë mënyra. Gjithnjë e më tepër në këto festa paraqiten vlerat moderne artistike të kombit shqiptar të cilat japin një kënaqësi të veçant gjatë festimit. Por mbi të gjitha është e rëndësishme që të mos harrohet asnjëher fakti që pikërisht “arsimimi” na ka bërë të mundur mbijetesën si gjuhë dhe si komb, ai arsimimi të cilin sot nuk e marrim seriozisht, ai arsimim të cilin shpesh jemi në gjendje ta sakrifikojmë për gjëra më pak të rëndësishme duke harruar thënien shekullore të Naim Frashërit: “Vetëm popujt e arsimuar s’mund të jenë të robëruar”. Tani kur shikohen shkollat tona të të gjitha niveleve(cikleve), dhe kur merret parasysh kjo thënje e Naimit shumë gjëra bëhen të qarta. Ne mund të bëjmë shumë më tepër për të pasur një arsimim kualitativ dhe jo vetëm formal. Ne mund të investojmë më tepër në dije dhe kulturë, ne mund ta marrim më seriosisht arsimin dhe të insistojmë në atë që nxënësit dhe studentët tanë të fitojnë dije të vërteta dhe jo fiktive, njohuri që do t’i bëjnë ata të aftë të maten me bashkënxënësit e tyre evropianë.
Ne kemi dëshmuar historikisht se mund ta bëjmë këtë, në kohët kur shkollat tona kanë qenë të njohura ndërkombëtarisht dhe kur nxënësit tanë vërtetë kanë garuar me nxënës nga e gjithë bota. Sot vështirë është të shihet një kualitet i tillë i arsimit dhe kjo gjë sikur neglizhohet nga pak nga e gjithë shoqëria shqiptare. Është e dhimbshme të neglizhohet arsimi nga vetë pjestarët e një kombi kaq krenar, është dhimbshme që gjërat të mësohen shkel e shko dhe jo me thellësinë e duhur që një studim duhet ta ketë. Prandaj, duhet gjithmonë të kujtohemi, se festat tona që sollën të gjitha festat tjera, janë pikërisht ato që lidhen me arsimimin e një populli të sunduar me shekuj.
Dhe momenti i dytë për të shprehur në mënyrë moderne patriotizmin është momenti i sundimit të së “drejtës”. Shqiptarët sot, në të gjitha shtetet ku ata jetojnë, kanë mundësinë dhe rastin të marrin pjesë në sundimin e së drejtës dhe të përhapin drejtësinë fundamentale, duke qenë prokurorë e gjyqtarë e duke e ndjekur pa mëshirë kriminalitetin. Ajo që i ka bërë historikisht shqiptarët t’i mbijetojnë asimilimit ka qenë rezistenca ndaj pushtuesit përmes rruajtjes së vlerave tradicionale kombëtare. Por ajo që e bën një komb modern të mbijetojë është mundësimi i sundimit të së drejtës dhe ligjit. Pa këto vlera shtetet kthehen në shtete totalitare dhe hegjemonike të cilat e dëmtojnë pikërisht identitetin kombëtar të atyre popujve që jetojnë në atë shoqëri.
Në shtetet ku nuk ka sundim të ligjit nuk ka as edhe përparim ekonomik dhe nuk ka perspektivë për të rinjtë, të cilët të dëshpruar e lëshojnë vendin dhe tani më vullnetarisht asimilohen dhe e mundësojnë realizimin e atij qëllimi të cilin pushtuas të ndryshëm nuk kanë arritur ta realizojnë me forcë. Në këto kohëra moderne, për ta zhdukur një popull është shumë lehtë: shkatëro arsimin dhe sistemin e së drejtës dhe gjithëçka tjetër do të vetëshkatrohet. Sepse një komb në një botë moderne nuk arrin të mbijetojë pa këto dy shtylla të rëndësishme, pa drejtësi dhe pa arsim.
Prandaj, këto dy gjëra, duhet shikuar si vlera patriotike të të gjitha kombeve krenare që synojnë të mbijetojnë edhe kohën e modernizimit dhe jo vetëm të jenë të ngujuara në të kaluarën, në rezistencën historike ndaj së keqes dhe pushtuesit. Në mënyrë që kjo rezistencë të vazhdojë edhe në të ardhmen, duhet investuar më shumë dhe duhet trajtuar më seriosishtë drejtësia dhe arsimi.