(Për të larguar çdo keqkuptim, që në fillim po deklaroj hapur besimin tim islam dhe gjithë respektin që kam për të gjitha besimet tjera, në veçanti për besimet që ka përqafuar populli im…)
Shkruan Qani Osmani
Imami shqiptar i cili sot i prin një grupi të besimtarëve në rrethin e vet ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ai duhet të jetë vigjilent dhe përgjegjës për fjalën e tij publike, dhe i vetëdijshëm për rrugën të cilën e ndjek në interpretimin e mësimeve fetare. Pozicioni ynë gjeografik dhe gjeopolitik kërkon nga ne një qasje të matur, të balancuar dhe shumë mirë të studiuar. Rreshtimi pas shkollave dhe orientimeve të jashtme, dhe pasimi i tyre sipas modelit copy-paste, është qartë i dëmshëm si për fenë të cilës i takojmë, ashtu edhe për kombin dhe të armen e qytetarëve shqiptar.
Nëqoftë se bëjmë një vështrim të shkurtër përgjatë dekadave të fundit që po lëmë pas, shihet se krahas sukseseve në misionin tuaj si imam, një pjes e juaj ka bërë edhe disa gabime dhe lëshime të cilat nuk do të duhej të ishin pjesë e punës tuaj. Fakti që vërehet është se në mes jush nuk ka ekzistuar një unitet i duhur për të pasur qëndrime dhe udhëzime të përbashkëta fetare të mësimeve fetare islame. Prandaj, si rezultat i këtij moskoordinimi kyç, në mesin e besimtarëve islam të rëndomtë është krijuar një laramani e paqenë më herët. Këtë e dëshmon fakti se sot në shumë foltore-xhami mund të hasësh në dy e tri forma të ndryshme të rreshtimit në namaz, pastaj të lëvizjeve dhe të pozicionimit të çakorduar të besimtarëve. Si imam(hoxhë) një pjesë e juaj ka marrë guximin që të veprojë krejtësishtë i pavarur në mesin e besimtarëve, dhe jo si një trup me një qëndrim unifikues zyrtar.
Megjithatë, vlen të thuhet se pjesa më e madhe e juaja vazhdon të ndjekë vijën e interpretimit tradicional të fesë islame në shoqërin tonë, e cila ishte dhe është bashkuese për të gjitha shtresat e besimtarëve tanë. Fatkeqësishtë, duhet cekur se në radhët tuaja ka munguar edhe vigjilenca në kohë se ku mund të përfundojnë këto divergjenca të predikimit fetar dhe se cili mund të jetë epilogu i tyre. Është evidente se një pjesë e juaj me dhe pa vetëdije keni rënë nën ndikimin e individëve dhe shkollave të jashtme të cilat në asnjë mënyrë nuk përputhen me interesin e besimtarëve dhe qytetarëve tanë. Populli shqiptar i besimit islam si në të kaluarën ashtu edhe sot ka nevojë për ndihmën e të tjerëve dhe për miq të jashtëm, po kuptohet se asnjëherë nuk do të na bëjë nder një dorë ndihmëse e cila na dëmton dhe na godet në ecjen dhe në orientimin tonë kombëtar.
Falëndëroj Zotin për kohën që më ka dhënë të jem pjesë e studiuesve të Kurhanit dhe të Biblës dhe të mundohem të jap një mendim me plot kompetencë lidhur me bastardimin e gjuhës shqipe që i bëjnë një numër enorm i imamëve (hoxhallarëve). E them me përgjegjësi të plotë se në asnjë rreshtë të Kurhanit të Madhëruar, që e përbëjnë 114 kaptina nuk thuhet se Kurhani është përkthyer në gjuhën shqipe që t’u mundësoj shqiptarëve të kuptojnë arabishten…Logjika më e thjeshtë njerëzore e thot se Kurhani është përkthyer që shqiptarët ta kuptojnë Fjalën e Zotit!… Të gjitha urdhëresat e tij janë: “Flisni sa ma bukur me besimtarët. Mos ua rëndoni, por t’ua lehtësoni fenë njerëzve. U krijuam të ndryshëm që të njiheni më mirë ndërmjet veti” etj, etj.
Po në cilën gjuhë bindet njeriu, ose në cilën gjuhë e kupton më mirë njeriu fjalën e bukur të Krijuesit!…E kundërta e kësaj, ajo që bëjnë disa imamë, si nëpër foltore, si në mjetet publike të informimit, duke folur gjysëm për gjysëm (nga që duket që nuk e njohin mirë gjuhën shqipr), e rëndojnë fjalën e Zotit, e bëjnë të pakuptueshme për besimtarët dhe me këtë bëjnë mëkat!…
Imamëve të këtij lloji dëshiroj të ju them respektoni gjuhën që u mundësoi të njihni Krijuesin, ndryshe do të përgjigjeni përpara Tij për çdo person që largohet nga radhët tuaja për shkak të rëndimit që i bëni Fesë Islame…Askush nuk va merr të drejtën të hapni kurse gjuhësore për mësimin e arabishtes, por askush nuk ju lejon të shpërdëroni pozitat tuaja për të shpërbërë gjuhën amtare!…
Është fakt i pa mohueshëm se një pjesë e imamëve nuk ishte dhe fatkeqësisht ende vazhdon të mbetet e pa vetëdishme për të ndarë islamin me traditën dhe kulturën e vendit nga ku një pjesë e juaj jeni edukuar dhe arsimuar. Nga ju ende ka të tillë që besojnë se fetvat, dekretet fetare të dijetarëve musliman mbi rregullimin e jetës sociale të shoqërive muslimane, të nxjera shekuj më herët, mund të aplikohen plotësisht edhe sot, dhe aq ma keq i konsideroni si të pa zëvendësueshme. Imamët e këtillë duhet të kuptojnë njëherë e përgjithmonë se vetëm teksti i Kurhanit-urtexti i tij, është i shenjtë, ndërsa në asnjë mënyrë jo edhe mendimi i cilit do dietari mbi të.
Në dekadat e kaluara e deri më sot nuk keni arritur të bëni as seleksionimin e literaturës fetare, e cila u është servuar nga autorët e ndryshëm, e përpiluar dhe e shkruar në emër të mësimeve fetare, me tendenca dhe ngjyrime politike dhe ideologjike, për t’u shërbyer kauzave lokale dhe gjeopolitike të vendeve ku autorët jetojnë dhe veprojnë. Një literaturë kjo, e cila asgjë nuk ka të bëj me rrethanat tona sociale, politike dhe fetare. Ne duhet të punojmë që të jemi e vetja e jonë, dhe për asnjë çmim të mos vëmë në rrezik interesin tonë kombëtar, duke u ndikuar nga të tjerët në emër të interpretimeve të veçanta të fesë.
Është mëkat dhe veprim i pafalshëm për ne dhe fëmijët tanë, që vlerat tona fetare sot, t’i përziejmë me fraksione dhe lëvizje politike fetare të jashtme, të cilat atje ku kan lindur dhe janë aktive, deri më sot historikisht janë treguar dhe dëshmuar si të dëmshme dhe me përmasa katastrofale për besimtarët dhe qytetarët e tyre. Në vend të kësaj është më se e nevojshme që të përqendrohemi në vlera fetare mbi etikën dhe moralin, respektin dhe dashurin për njëri tjetrin, mbi elementet që na bashkojnë e na forcojnë si shoqëri, komb dhe shtet.