
Me 67 vota “për”, Kuvendi i Malit të Zi miratoi propozimin që të gjitha zgjedhjet lokale në vend të mbahen në një ditë të vetme – më 13 qershor 2027. Ky vendim synon unifikimin e cikleve zgjedhore lokale dhe zhvillimin e tyre paralelisht me zgjedhjet parlamentare, shkruan Ulqini Online.
Për të arritur këtë qëllim, do të bëhet zgjatja ose shkurtimi i mandateve të kuvendeve komunale, varësisht nga data e mbajtjes së zgjedhjeve të fundit në secilën komunë. Deputetët e kanë cilësuar këtë vendim si një kompromis të arsyeshëm dhe një hap drejt stabilizimit dhe racionalizimit të sistemit zgjedhor vendor në Mal të Zi.
Ky vendim ka një rëndësi të veçantë për komunën e Ulqinit, ku zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur në mars të vitit 2022. Sipas rregullores aktuale, mandati katërvjeçar i Kuvendit Komunal të Ulqinit do të përfundonte në 2026. Mirëpo, me vendimin e ri, mandati zgjatet për diçka me shumë se një vit, përkatësisht deri më 13 qershor 2027, kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale në këtë komunë.
Kjo nënkupton se qeverisja aktuale lokale në Ulqin do të vazhdojë ushtrimin e funksionit të saj përtej afatit të paraparë fillestar, duke fituar kohë shtesë për realizimin e projekteve të planifikuara dhe për përgatitjen më të mirë të procesit zgjedhor.