Akoma pa u shuar mirë plagët nga djegia e ullishtës në Bashbylyk, me ç’rast u dogjën disa qindra ullinj të vjetër (qindravjeçarë) duke shkaktuar një dëm të pakompensueshëm, një tjetër lajm i keq bëhet i ditur në lidhje me ullishtën në Valdanos. Paralajmërimi i qeverisë së Malit të Zi për mundësinë e shkëmbimit të pronës së një firme nga Nikshiqi me pronën në Valdanos, është ngacmimi i një varre tjetër të vjetër dhe provokimi i radhës që u bëhet qytetarëve të Ulqinit nga qeveria e Malit të Z, kështu shkruan ndër të tjera gazetari dhe profesori i njohur nga Ulqini Ismet Kalllaba.
Prof. Kallaba në shkrimin e tij „Ulqini, skenë e teatrit absurd“ për të përjavshmen Koha Javore shton se privatizimet e dyshimta, që kanë çuar në shkatërrimin e ndërmarrjeve, uzurpimet e pronave në pjesët më atraktive, menaxhimi i bregdetit të Ulqinit nga një ndërmarrje shtetërore, dhënia me koncesion e pronave në Mozhur, Malin e Brisë, Shas etj., për të cilat nuk dihet se cila është dobia e qytetarëve të Ulqinit, sinjalizojnë pushtimin ekonomik të Ulqinit, që pashmangshëm në planin afatgjatë çon drejt asimilimit të popullatës shumicë autoktone shqiptare dhe ndryshimit të strukturës demografike. Nga ana tjetër, vetë Komuna e Ulqinit nuk ka krijuar, rrjedhimisht as zbatuar një politikë të zhvillimit të planifikuar dhe demografike me qëllim të mbrojtjes së popullatës vendore.
Për fat të keq, duhet pranuar se Ulqini sot nuk ka politikanë dhe personalitete me autoritet, të cilët jo vetëm që do të kundërshtonin idetë dhe projektet e dyshimta që vijnë nga lart, por të cilëve u dëgjohet zëri në qarqet vendimmarrëse në Malin e Zi, përfundon z. Kallaba.