Nikë Gashaj
Termi diskriminim është marrë nga gjuha latine – discrimino, diskriminare dhe ka kuptimin e ndarjes, dallimit, trajtimit në mënyrë të ndryshme, i kufizimit të të drejtave, ose të vendosjes së pabarazisë. Termi diskriminim është spjeguar në nenin 1 të Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial. Sipas tij, termi”diskriminimi racial” në Konventë ”ka të bëjë me çdo dallim, përjashtim, kufizim ose dhënie të përparsive, që është e bazuar në racë, ngjyrë, prejardhje, origjinë kombëtare ose etnike, që ka për qëllim ose për rezultat të shkatërrojë ose të komprometoj njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në kushtet e barazisë, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, në fushat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore ose në çfarëdo fushe tjetër të jetës publike”(neni 1).
Diskriminimi si një ndër format më të vrazhdta të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore është fenomen mjaft i përhapur dhe bazohet në “doktrina” mbi superioritetin ose inferioritetin e racave, të popujve, të gjinive, etj., në bazë të cilave disa raca kanë vlerë më të vogël dhe nevojë të sundohen nga racat më të vlefshme ( racat e larta).
Manifestimet e diskriminimit të hapët ose të kamufluar i hasim edhe sot në shumë vende të botës në ç’grup bënë pjesë dhe Mali i Zi. Kërkesat për një pozitë të veçantë të ndonjë grupi në krahasim me grupin a grupet e tjera kanë qenë fenomen mjaftë i shpeshtë gjatë historisë. Më së shpeshti kërkesat e tilla mbështeten në teori raciste për arsyetimin e kërkesave për pozitë të privilegjuar.
Idetë e tilla në të kaluarën, por edhe në ditët e sotme kanë implikime edhe për shqiptarë. Për shembull: Vlladan Gjorgjeviqi, Stojan Protiqi, Nikolla Pashiqi dhe racistë e shovinistë të ndryshëm, janë përpjekur që t’i paraqesin shqiptarët si popull të paqytetëruar, të prapambetur, të paedukuar, papuntorë (përtacë), dinakë, agresivë, dhunues, të dobët, etj. Kualifikimet e këtilla kanë qenë çdo herë në funksion të përpjekjeve për të siguruar pozitë të privilegjuar a dominuese për një popull a për një grup, në dëm të popujve të tjerë a grupeve të ndryshme. Si të këtilla, ato janë në mënyrë shkencore të pa baza dhe moralisht për gjykim. Pikërisht për këtë intelektuali i njohur Ashraf Pahlavi, përpjeket për të vërtetuar inferioritetin e njerëzëve vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës a karakteristikave etnike, i ka çmuar si shenja të “mendjes së luajtur ose devijimit shpirtëror”.
Ekzistimi i të drejtave të natyrshme subjektive e të patjetërsuara të njeriut dhe të qytetarit dhe nevoja që ato të drejta të mbrohen ka qenë themel mbi të cilat është ndertuar e drejta publike.
Aktet e para më të rëndësishme janë të aprovuara: Kushtetuta e Virgjinisë e vitit 1776, Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vitit 1776, Deklarata franceze për të Drejtat e Njeriut e të Qytetarit e vitit 1789 dhe Kushtetuta e Montanjarit e vitit 1793. Ato kanë vënë standardet themelore të të drejtave të njeriut dhe janë bërë udhërrëfyese për popuj dhe shtete të tjera, me çka kanë hyrë dhe kanë fituar vend të rëndësishëm në historinë e njerëzimit.
Komuniteti ndërkombëtar nga gjysma e dytë e shekullit XIX gjithënjë e më tepër angazhohet për të siguruar barazinë e plotë ndërmjet shtetasave, pa marrë parasysh dallimet racore, kombëtare, fetare, gjuhësore, etj.
Dispozitat të rëndësishme për ndalimin e diskriminimit hasen në marrëveshje të paqes që janë lidhur që nga Lufta e Krimesë deri te marrëveshjet që janë lidhur pas luftës së Dytë Botërore. Kështu, Traktati i Paqes i Parisit, i lidhur më 1856, në nenin 9 e detyronte Portën për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar lirinë e plotë të gjithë shtetasve të vet, pa marrë parasysh dallimet fetare ose racore.
Kongresi i Berlinit e ka zgjeruar rrethin e shteteve të detyruara. Sipas nenit 62 të Traktatit të Berlinit, Turqia ishte detyruar të respektonte lirinë fetare, kurse Serbia, Mali i Zi, Rumunia dhe Bullgaria të mbronin pakicat fetare, përkatësisht të garantonin liritë fetare dhe të ndalonin çfarëdo diskriminimi në bazë të fesë, përsa i përketë zgjedhjes së venqendrimit, ushtrimit të të drejtave politike dhe pranimit në shërbime publike.
Çështja e njohjes dhe të mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë, në pikëpamje të racës, gjuhës dhe fesë, ka qenë objekt i rregullimit të shumë kontratave ndërkombëtare të lidhura pas Luftës së Dytë Botërore. Disa prej tyre përmbajnë dispozita të cilat shprehimisht ndalojnë diskriminimin, në bazë të racës, gjuhës ose të fesë.
Karta e Kombëve të Bashkuara në nenet 1, 13, 55 dhe 76, duke bërë fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, thekson se kjo duhet bërë pa kurrfarë dallimi përsa i përket racës, gjinisë, gjuhës apo fesë, që në esencë paraqet ndalim implicit të diskriminimit. Edhe Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut parasheh se të drejtat nga ajo i takojnë çdo njeriu pa kurrfarë dallimi përsa i përket racës, ngjyrës, gjuhës, fesë (besimit), mendimit politik ose mendimit tjetër, origjinës kombëtare ose shoqërore, pasurisë, lindjes ose rrethanave të tjera (neni 2.). Deklarata parasheh gjithashtu (nenet 7,23, 26) se të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit; se çdo kush ka të drejtë në punë, në shkollim, etj.
Bashkësia ndërkombëtare, krahas dokumentave të përgjithshme ka nxjerrë dhe dokumenta të veçanta të cilat duhen të sigurojnë eliminimin e formave të posaçme të diskriminimit. Në atë drejtim, ka ardhur deri te aprovimi i dy dokumentave me rëndësi ndërkombëtare të cilat drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me diskriminimin Racor. Ato janë: Deklarata e Kombëve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor(1963) dhe Konventa e BK për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor(1965).
Me Kushtetuten Malit të Zi është përcaktuar:”Ndalohet çdo diskriminim i drejtpërdrejtë dhe indirekt mbi çfarë do baze”(neni 8, alineja 1). Mali i Zi e ka aprovuar dhe Ligjin për ndalimin e diskriminimit. Mirëpo, ekzistimi i rregullave për ndalimin e diskriminimit në ndonjë Kushtetutë ose Ligj nuk mund të merret sikurse diskriminimi nuk është i lejuar dhe se nuk ekziston. Krahas supozimeve juridike, ajo varet dhe nga klima e përgjithshme shoqërore, kultura politike dhe juridike, vetëdija qytetare demokratike, vullneti politik, si dhe nga ekzistimi i kapaciteve demokratike dhe të resurseve njerëzore të shoqërisë dhe shtetit përkatës që janë të afta, të vendosura dhe të gatshme që në mënyrë efikase e konsekuente të luftojnë kundra diskriminimit. Mirëpo, mund të konkludohet se në atë pikëpamje Mali i Zi është në gjendje deficitare. Kështu, vetëm një krahasim i praktikës së vendeve skadinave, kushtetutat e të cilave nuk kanë këso rregullash dhe disa vendeve të tjera, kushtetutat e të cilave përmbajnë shumë rregulla për ndalimin e tij, tregon tërë shproporcionin ekzistues. Aty ku formalisht mund të pritej të ketë diskriminim fare s’ka; aty ku konsiderohet se është i pamundshëm, aty ekziston. Nga kjo del se krejt varet nga shteti, organet dhe individët, se sa janë të gatshëm dhe të aftë për ta luftuar diskriminimin, për shkak se ka plot shembuj kur ndonjë shtet zhvillon aso politike që ka për qëllim t’u sigurojë pozitë të privilegjuar anëtarëve të një grupi dhe t’i diskriminojë anëtarët e grupit a të grupeve të tjera në ndarjen e pasurisë shoqërore (shfrytëzimi i banesave, kredive të ndryshme, mundësive për punësim, avansim në punë për pozita të ndryshme, shkollim, mjekim etj.) siç ka raste në Mal të Zi, në veçanti për pjesëtarë të komunitetit shqiptar.