Trieshi

 

Nga Gjekë Gjonaj

Ngjarjet e  ndryshme historike që kanë ndodhur në të kaluarën e lashtë  në malin e Trieshit   janë shënuar dhe janë ruajtur në kujtesën e  banuesve vendas, por edhe të tjerëve të cilët  i kanë rrëfyer ( treguar)  ato  me gojë dhe me shkrim.  Të tilla ka mjaft. Por kësaj herë po sjellim në  kujtesë  gojëdhënën e  konfliktit të hershëm midis fiseve të Trieshit dhe  të Kastratit, e cila lidhet ngusht me  një rast të gjakmarrjes, që është bërë pasi gjaku është shkumuar dhe është derdhur nga gota. Në bazë të kësaj gojëdhëne popullore   një grup malësorësh të armatosur të Kastratit i sulmuan kopetë dhe barinjtë e Trieshit në Bardhaj, afër lumit Cem. Sulmi ndodhi  herët në mëngjes, kur drita zbardhë dhe ndahet nga nata. Gjatë sulmit, ata e vodhën bagëtinë dhe i vranë  barinjtë. Mirëpo, aty qëlloi edhe një vogëlush  i quajtur Brunçi, i cili i ruante dhitë e tij. Ata e dinin se nuk kishte kuptim që ta vrisnin vogëlushin, sepse ai ishte njeri tejet  i vogël për të mbajtur armë  ( mund të vritet vetëm burri që është i zoti të vrasë dikë).  Ata vendosën që të mos e vrasin fëmijën, por kur vogëlushi vuri re se dhitë e tij po largoheshin me nxitim, ai vrapoi pas tyre dhe askujt nuk i ra në sy. Ai u bashkua kopesë dhe eci tërë natën. Kur agoi dita, sulmuesit e vunë re dhe e pyetën:

Kush je ti?

Unë jam  biri i Mark Pjetrit, u përgjigj vocërraku.

Por kah po ia mban kështu ?

Unë po i ruaj dhitë e mia.

Ama ne nuk jemi prej këtu more vocërraku i ngratë dhe ne i kemi marrë të gjitha dhitë e tua. Por, ty po ta falim një dhi. Merre atë dhe shko në shtëpi. Brunçi i vogël mori një dhi dhe e qiti pas qafe dhe u nis ngadalë duke kaluar para të gjithë luftëtarëve të armatosur të Kastratit. Ata e shikonin vocërrakun se si po e çonte dhinë në shtëpi. Ata që disa orë më parë kishin bërë kërdinë dhe kishin plaçkitur çdo gjë që kishin gjetur vogëlushin e hijshëm të cilin  po e shikonin me pa të keq, jo si vrasës që ishin. Ndërkaq, në mesin e malësorëve që kish sulmuar  ishte njëfarë Cuc Caka, një luftëtar i krisur,  i cili, si një bishë e egër po i shikonte sulmuesit e tjerë. Kur e diktoi vocërrakun me dhi, ai e ndali dhe e pyeti:

Kush je ti?

Unë jam biri i Mark Pjetrit, u përgjigj vocërraku.

Luftëtari e nxori shpatën nga brezi dhe filloi të vringëllonte para fëmijës.

Tash kam me ta pre kokën.

Vogëlushi nuk u tremb dhe iu drejtua me trimëri:

S’ta mbanë!

E prej kujt thua që s’ma mbanë?

Prej vëllait tim , Prelës!

Me të dëgjuar këtë përgjigje, luftëtari desh u çmend dhe me një të goditur ia preu kokën Brunçit të vogël. Sakaq të gjithë luftëtarët e tjerë  filluan të pështyjnë dhe ta mallkojnë vrasësin për krimin e bërë kundër një vocërraku i cili nuk e kishte mbërritur moshën për të mbajtur armë dhe për të shkuar në luftë.

Kur Marku, i ati i Brunçit të vogël, e gjeti trupin e pa kokë të të birit, ai e mbushi  gotën  me gjakun e të birit. Kështu gota mbeti e pa trazuar disa vite, por një ditë prej ditësh filloi të shkumëzonte dhe të vlonte pastaj të derdhej nga gota. Kur e pa gjakun  të shkumëzuar, Marku e mori shpatën e tij dhe shkoi në lëmin mbas shtëpisë së tij. Ai herë vringëllonte me shpatën e tij, herë sulmonte dhe herë zmbrapsej. Gratë e tre djemve, të cilat po mblidhnin bujashka për zjarr, filluan të qeshin kur i panë gjestet e plakut duke u sjellë vërdallë në  lëmë. Duke u kthyer në shtëpi, ato i thanë shoqja shoqes: “ pah shih, ”baba u prish nga mendja! “

Marku u kthye në shtëpi dhe u tregoi djemve të tij se gjaku i Brunçit të vogël kish filluar të shkumëzohej dhe të derdhej nga gota, prandaj kishte ardhur koha e hakmarrjes.

Unë tash jam i shtyrë në moshë dhe nuk mund ta përdor shpatën time. Atje në lëmë, e kuptova se nuk jam në gjendje ta kryej detyrën time. Mirëpo, ju jeni ende të rinj dhe të pa përvojë. Ju edhe pse nuk i njihni shtigjet e  Kastratit, besoj se mund të hakmerreni fare  lehtë pa e humbur jetën tuaj. Nga gjaku i shkumëzuar, është e qartë se se ka ardhur koha që vrasësi do të paguajë për krimin e bërë.

Kur i dëgjuan këto fjalë të plakut, gratë e djemve u turpëruan nga sjellja e t tyre e pamatur. Bijtë e plakut iu përgjigjën me këto fjalë: “ Mbasi ne nuk i njohim shtigjet, kurse ti nuk mund ta bësh detyrën tënde, ne jemi të gatshëm që të  të çojmë atje ku të duash në mënyrë që të na tregosh se çka duhet të bëjmë. Na trego më parë se ku dëshiron të shkosh. Kur të na tregosh se ç ‘duhet të bëjmë, ne të kthejmë ty në shtëpi dhe mandej do të shkojmë  ta gjejmë Cakën dhe do ta marrim gjakun  e Bruçit të vogël.  Kështu, të tre bijtë e tij, Prela, Dreshku dhe Gjoni e çuan Markun në malet e e larta të Kastratit, te maja më e lartë e maleve, prej nga mund të shihej çdo gjë që ata kishin nevojë të shihnin, me qëllim që ai t’i udhëzonte. Jo fort larg gjendej një shpellë me dy hyrje dhe në të kishte tridhjetë barinj dhe mbi 1.000 ( një mijë) krerë bagëti të trasha dhe të imëta. Kur u  kthyen në shtëpi, ata e pyetën Markun për çdo gjë që kishin parë. Ai u dha këto sqarime: Ju të tre vetëm nuk jeni të zot ta qëlloni Cucin  dhe të tridhjetë barinjtë që janë në shpellë. Më parë shkoni te Lalë Drekali  i cili do t’u japë treqind luftëtarë Kuç të cilët do ta sulmojnë shpellën. Tash, më leni këtu. Unë nuk do të luaj nga vendi pa e marr lajmin prej jush se e keni vrarë Cucin dhe të gjithë njerëzit e tij dhe i keni bërë copë e thërrime. Më sillni ca bukë dhe  ujë që të mos vdes nga uria dhe etja derisa të ktheheni. Të tërë vëllezërit u nisën për rrugë dhe pas tetë ditësh u kthyen me treqind burra të Kuçit. Atëherë djemtë e Markut e pyetën atë se si duhet ta sulmojmë shpellën. Ai u përgjigj: Shpella i ka dy hyrje, një hyrje të madhe dhe një hyrje të vogël. Te hyrja e  madhe janë  tridhjetë barinj, ndërsa te shpella e vogël ju do të gjeni Cucin me dy shokë. Prandaj, dy prej jush që jeni më të fortë , do ta sulmoni shpellën e vogël.  Si ta vrisni Cakën, dy shokët e tij do të hutohen dhe “ tremben”, dhe do të vrapojnë drejt hyrjes së madhe. Pikërisht atëherë, ju do të sulmoni me treqind malësorë. Mirëpo, ata e pyetën Markun plak:  “ Ne nuk dimë se cili prej nesh është më i forti që ta sulmojë hyrjen e vogël”. Marku u përgjigj: Ejani këtu  afër meje dhe unë do të ju  them se cili prej jush është më i forti”. Ai filloi të shtypë me gishta barkun e secilit prej tyre. Pastaj ai i tha Prelës, birit të tij: “ Ti je më i forti. Ti do ta sulmosh hyrjen e vogël”.

Më pas ai iu drejtua një luftëtari të Trieshit, të cilit ia kishte prekur barkun: “ Edhe ti je shumë i fortë dhe do ta sulmosh hyrjen e vogël”.

 

By admini