Sali Kabashi – Historian
Pa dyshim se çdo e sotshme do të mbetët e kaluar dhe çdo e kaluar është ngjarje historike! Por, a po krijojmë histori të rrejshme, që pas disa dekadash do të mësohet si Histori e vërtetë!
Mendoj që po!
Sot neve mund të themi se të gjithë e dimë të vërtetën për këtë dhe atë ngjarje, e dimë të vërtetën për këtë dhe atë person, e dimë për të gjitha ngjarjet dhe njerëzit që sot po i sjellin dëme Kosovës dhe popullit kosovar, por një ditë, këto ngjarje do të nxirren si heroike dhe personazhet e tyre do të shihen as më pak e as më shumë vetëm se heronj që e shpëtuan vendin nga armiqtë.
Pas 50 vitesh, do të flitet për një Ushtri të shenjtë e quajtur UÇK dhe radhët e saj të shumta, ku numri i tyre ishte mbi 60.000 e që shteti i drejtë dhe bujar, iu dha pensione në shenjë falënderimi (por në dokumente historike nuk do tu thuhet se në Luftën e Kosovës të vitit 1998-1999 numri i atyre që luftuan nën emblemën e UÇK-së ishte rreth 16.000 por që ky numër u shumëfishua për shkak të interesave personale)!
Pas 50 vitesh ngjarjet që sot po zhvillohen dhe po udhëhiqen nga një numër i caktuar njerëzish, do të shihen si kthesa të mëdha në të mirë të së ardhmes së popullit të Kosovës!
Pas 50 vitesh, do të thuhet se Kosova filloj bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe se ishin bisedime direkt politike me të gjitha opsionet në tavolinë dhe se bashkësia evropiane nuk e lejoi Kosovën të kërkoj të drejtat e saj si dëmshpërblim për luftën nga Serbia, kthimin e të pagjeturve, burgosjen e kriminelëve, kthimin e artefakteve historike e kulturore, kërkim faljen për gjenocid, etj., (por në dokumente historike nuk do të shkruhet se popullit iu tha se në Bruksel do të ketë bisedime teknike e të cilat ngadalë u tërhoqën në bisedime politike dhe deri në diskutim territoresh, si dhe nuk do u tregohet se pala kosovare nuk kërkoj asgjë nga Serbia që i takonte si viktimë e luftës)!
Pas 50 vitesh do të thuhet se shënjimi i kufirit me Maqedoninë, ishte një vepër e madhe e udhëhequr nga njerëz të mëdhenj dhe që me këtë marrëveshje Kosova bëri hapin e parë drejtë integrimit në BE (por në dokumente historike nuk do të jetë e shkruar se Kosova humbi mbi 3000 hektar dhe se kufiri me Maqedoninë iu erdhi kosovarëve në oborret e shtëpive)!
Pas 50 vitesh, shënjimi i kufirit me Malin e Zi do të jetë njëra ndër ngjarjet më të mëdha në çerekshekullin e pasluftës, ku u plotësua kushti për integrime euro-atlantike dhe se të rinjtë pas një viti udhëtuan pa viza në Evropë (por dokumente historike nuk do t’u tregohet se Kosova humbi mbi 8000 hektarë dhe se ishte marrëveshja më e dëmshme që iu bë territorit të Kosovës)!
Pas 50 vitesh, ndoshta ata që po flasin për shkëmbim territoresh (e që ndoshta do ta bëjnë këtë gjë), në librat e Historisë do të mësohen si politikanët më të shquar që arritën marrëveshje të mëdha me Serbinë (por në dokumente historike nuk do tu tregohet se populli i asaj kohe i shihte si gabime të mëdha këto marrëveshje dhe të dëmshme për vendin)!
Pra këto janë disa nga ngjarjet të dëmshme që po ndodhin në ditët e sotme, e që pas shumë vitesh sipas dokumenteve do të mësohen si heroizma historik, me plotë heronj e heroina!
Por gjithmonë kishte dhe do të ketë njerëz që e duan, e hulumtojnë dhe e thonë të vërtetën, andaj edhe në atë kohë të ardhme do të ketë të tillë, që nuk do u trembet syri ta thonë atë të fshehurën nga faktet historike.
Ai do të thotë se elita politike e Kosovës e nënshkroi faljen e gjithë atyre territoreve të Kosovës shteteve fqinjë; se elita politike pranoi asociacionin e komunave serbe brenda Kosovës (shtet brenda shtetit); se politikanët u bënë milionerë pas luftës dhe se heronjtë nuk janë të tillë; ai do të tregoi se si një Kryeministër i një shteti të varfër bënë rrogën 3000 euro ndërsa ish-shokët e tij të luftës nuk kishin kulm mbi kokë; ai do të thotë se fëmijët e politikanëve bënin jetë princërish me paratë e popullit durimtarë; do të tregoi se si në Kushtetutë kishim sistem demokratik, ndërsa në praktikë kishim një diktaturë me ligje të xhunglës ku i fuqishmi e shtypë të dobëtin; ai do të tregoi se nuk kishte prijës por kishte padronë e banda; etj., ai do të tregoi edhe shumëçka tjetër, e që do të jetë në kundërshtim me dogmat historik dhe atë që janë mësuar qytetarët ta dëgjojnë!
Sigurisht që pas thyerjes së kësaj tabuje, ai historian që do i thotë këto të vërteta të fshehura nga Historia dhe historianët, do të shpallët tradhtarë, do të kërcënohet, besa ndoshta edhe do të dënohet nga pushteti!
E gjithë kjo hap dilema për Historinë që tashmë ne e kemi mësuar! Mos ndoshta edhe kjo Histori që ne e dimë është e llojit të ngjarjeve që po ndodhin sot, ndërsa fakte e dokumente historike kanë mbet tjera nga e vërteta që ishte!? E kjo, mbetët sfidë e historianëve të sotshëm, vetëm duhet punë dhe guxim, sepse e vërteta është e fshehur aty, në të kaluarën.