Diskursi politik

 

Zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen të dielen me 4 shkurt, vlerësohen si zgjedhjet  ma të diskutueshme në Ulqin nga koha e miratimit të pluralizmit, jo se votohet për dhjetë lista zgjedhore, por kemi të bëjmë me një ofanzivë të paparë të subjekteve malazeze të cilat kanë dezintegruar elektoratin shqiptar  për të  ulur peshën e  subjektëve nacionale shqiptare, me qellim për tu bërë faktor kyç në pushtetin lokal, që do të ishte fillimi i asimilimit politik të shqiptarëve në këtë komunë.

Nail  Draga

“Vota është ma e fuqishme se plumbi! Me plumb mund të vrasësh armikun tënd, kurse me votë mund të vrasësh të ardhmen e fëmijeve të tu…!

Abraham Lincoln

Në sajë të përvojës nga zgjedhjet e kaluara qytetarët e komunës së Ulqinit gjatë tyre ditëve të fushatës parazgjedhore kanë pasur mundësi të përcjellin programet e subjekteve të ndryshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhje. Por, ekziston përshtypje e përgjithshme se si më parë edhe tash pak kush lexon programet përkatëse, por ma tepër bazohën në biseda dhe premtime te rastit, që janë bërë dukuri e zgjedhjeve. Në vendet me përvojë demokratike, qytetarët vlerësojnë programet e jo individet, duke gjykuar se cili subjekt do të jetë më real në realizimin e objektivave programore! Ndërsa ndryshe është tek ne, sepse çdo gjë ka të bëjë me individin pavarësisht deklaratave dhe realizimit të programit zgjedhor. Pra kemi të bëjmë me interesa personale dhe klaneve të ndryshme e jo  vlerave dhe referencave si dëshmi e përgatitjes profesionale të pjesëmarrësve në garën zgjedhore.

Votohet për dhjetë lista zgjedhore

Në zgjedhjet e së dielës me 4 shkurt  do marrin pjesë dhjetë lista zgjedhore, e nga to  tetë janë subjekte politike  dhe dy koalicione, nga del se krahas partive nacionale garojnë edhe  partitë malazeze, që sipas fjalorit të tyre trajtohen si qytetare.Nga partitë nacionale shqiptare janë tre lista(FORCA, UDSH dhe PD(LDMZ, LQ-Përspektiva) ndërsa nga ata malazeze janë DPS,SDP,URA,SD, DCG,DF-SNP dhe boshnjakët(BS).

Si rrallë herë në këtë fushatë parazgjedhore partitë malazeze, janë shumë aktive me të vetmin qellim për të përfituar sa më shumë votues, ku synim kanë marrjen e pushtetit lokal. Por, në veçanti bien ne sy partitë e vogla të cilat mund të marrin nga një  deri në dy këshilltarë ku  duan të legjitimohen si subjekte me ndikim ne skenën politike të Ulqinit. Të tillët edhe pse nuk mund të jenë faktor në formimin e pushtetit lokal, angazhimi i tyre ka ndikuar në dekompozimin  e elektoratit votues, kryesisht ate shqiptar, përmes formave të ndryshme të presionit, premtimeve të punësimit dhe manipulimeve ordinere për të siguruar vota.

Ndërsa si zona me atraktive si duket ishte Ana e Malit, ku edhe pse me një numër të konsideruar votuesish, këtu ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha partive politike, madje me kryetaret e tyre, çka jep për të kuptuar së për ta çdo votë ka peshë të madhe. Se si do të jetë rezultati i këtyre vizitave politike  mbetet të shohim  reagimin  praktik nga  elektorati votues  të dielen në ditën e votimit.

Demagogjia  dhe retorika parazgjedhore

Nga deklaratat e degjuara dhe të publikuara në media dhe  portalet e ndryshme nga përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike qe garojnë në zgjedhjet lokale del qartë se kemi të bëjmë me një retorikë demagogjike  që nuk ka të bëj me realitetin, por e tëra është në kuadër të fushatës parazgjedhore.Në veçanti kemi të bëjmë me subjektet politike qe janë vetë pushteti shtetëror(DPS dhe SD).

Kështu thënia nga përfaqësuesit e DPS-it se nuk mund të ketë zhvillim në Ulqin nëse kjo parti nuk e merr pushtetin, thënë më së buti është hipokrizi, sepse ata janë në koalicionin lokal dhe askush nuk i ka penguar në  projekte  dhe   investime  te ndryshme. Andaj është demagogji politike të premtohet para zgjedhjeve sepse ata janë në pushtetin qendror pa ndërpreje edhe në kohën e pluralizmit, dhe shkatërrimi total i ekonomisë së Ulqinit është bërë pikërisht  në kohën e tyre.

Përkujtojmë këtu shkatërrimin e kryporës, hoteleve, ndërmarrjeve të ndryshme përmes procesit  të  privatizimit  që ishte dështim i plotë që barazohet me plaçkitje ordinere të strukturave të ndryshme përkatëse, me bekimin e qeverisë shtetërore.

Ndërsa edhe investimet që janë realizuar për këto tri dekada ata  kanë qenë  të pakta dhe të vonuara,  edhe pse kërkesat kanë qenë të vazhdueshme, por  nuk ka ekzistuar vullneti i pushtetit qendror për investime konkrete.

Dhe pikërisht nga një status i tillë  diskriminues  socio-ekonomik, Ulqini është i vetmi qytet në regjionin bregdetar që ka rënie të numrit të banorëve dhe të punësuarve  nga njëri regjistrim në tjetrin. Pra, kemi të bëjmë me emigrimin e popullsisë proces që nuk ka të ndalur tash disa dekada, duke qenë fatal për shqiptarët në këtë mjedis.Dhe kur ndodhë diçka e tillë me Ulqinin që është kryeqendra e shqiptarëve në Mal të Zi, për vendbanimet tjera në zonat rurale as qe mund të diskutohet një qasje tjetër!

Andaj duke i pasur të njohura  këto të dhëna qytetarët e komunës së Ulqinit besoj se e  kanë të qartë se për kend të votohet, duke i thënë ndal  demagogjisë  parazgjedhore. Sepse të votohen partitë malazeze do të thot të pranosh me dorën tënde asimilimin politik, që do të jetë fatal për shqiptarët në këtë mjedis.

 

Çdo kush Zot shtëpie në shtëpi të vet

 

Pa mohuar të drejtën e qytetarëve të votojnë sipas bindjeve të tyre e them pa hezitim se partitë politike malazeze e duan Ulqinin vetëm për vota e jo se kanë ndonjë ndjenjë të veçantë  për këtë qytet. Dhe s ka si të jetë ndryshe sepse ata nuk e kanë selinë e tyre në Ulqin, por në Podgoricë.

I bindur se qytetarët e Ulqinit janë  të ndërgjegjshëm dhe i kuptojnë me seriozitet këto zgjedhje ata nuk do të lejojnë qe qyteti i tyre të  udhëhiqet nga të tjerët që komandohen nga Podgorica, që i huaji  të bëhët Zot shtëpie në shtëpinë tyre. Andaj zgjidhja e vetme është të votoni partitë shqiptare e për të cilën ju mbetet ju që të përcaktoheni. Me votën tuaj do vendosni se kush do të udhëheq ne mandatin e ardhshëm me Ulqinin. Pra, kujdes para kutive të votimit, vota e juaj është e ardhmja e Ulqinit! Ose më saktë kujtone thënien e A.Lincolnit!

                                                       

By admini