ADNAN KUQI DHE ALBERT RUDOVIQ

Anëtarët e Klubit të Karatesë “Ulqini” kthehen nga Kampionati Ballkanik me tri medalje: 1 të artë, 2 të bronzta dhe një refer ballkanik.

Më 08-10 dhjetor 2017 në Herceg Novi u mbajt Kampionati Ballkanik i Karatesë për Kadetë, Juniorë, Seniorë të Rinj U21 dhe licensimi për referë. Nga Klubi i Karatesë “Ulqini” morën pjesë dy garues për Përfaqësuesen e Malit të Zi Adnan Kuqi dhe Albert Rudoviq dhe referi Naim Duraku. E përzgjedhur për këtë Kampionat ishte edhe garuesja Diellëza Rama, por për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk mundi të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik.
Edhe pse ishte shumë e përgatitur dhe shpresat për një rezultat të mirë ishin shumë të mëdha, në momentin e fundit me sugjerimin e mjekut u detyrua të anulonte pjesëmarrjen.

Të kualifikuar ishin dhe garuesit Elvir Islami dhe Ridvan Xhurreta, por pjesëmarrja e tyre ishte e pamundur për shkaqe objektive.

Adnan Kuqi u shpall kampion ballkanik në luftëra ekipore për seniorë të rinj U21, ku mori pjesë me ekipin e Përfaqësueses të Malit të Zi.

Ekipi i Adnan Kuqit xhiron e parë e fitoi kundër ekipit të Bosnës, xhiron e dytë ndaj ekipit të Kroacisë, xhiron e tretë ndaj ekipit të Serbisë dhe në finale ndaj ekipit të Shqipërisë dhe kështu u shpallën Kampionë Ballkanikë për Seniorë të Rinj U21. Vlen të ceket se ky ekip për të dytin vit me rradhë shpallet kampion ballkanik, ku vitin e kaluar ishte pjesëtar i këtij ekipi Edin Kraja, kurse këtë vit Adnan Kuqi, të dy anëtarë të klubit tonë.

Albert Rudoviqi u kurorëzua me medalje të bronztë në luftëra individuale për kadetë -75 kg. Albert Rudoviqi u tregua shumë i fuqishëm dhe superior deri në gjysëm finale ku u ndalua nga garuesi bullgar kurse në meçin për medalje ai fitoi bindshëm garuesin serb me rezultatin 4:0. Në luftën e parë luftoi kundër garuesit nga Maqedonia, të dytën kundër garuesit nga Kosova, të tretën kundër garuesit nga Serbia . Në gjysëm finale humbi nga garuesi bullgar, kurse në luftën e pestë për medalje fiton garuesin serb 4:0.

Adnan Kuqi u kurorëzua edhe me medalje të bronztë në luftëra individuale për seniorë të rinj U21 +84 kg. Adnani xhiron e parë ishte i lirë, kurse luftën e dytë humbi nga garuesi serb. Në luftën e tretë dhe të katërt, ku luftoi për medalje fitoi garuesit nga Bosna: të parin me rezultat 5:3 dhe të dytin me rezultat 4:1.

Naim Duraku

Naim Duraku, referi i vetëm nga komuna e Ulqinit, i cili vjen nga radhët e Klubit të Karatesë “Uqini”, u licensua për refer ballkanik, duke e kaluar me sukses provimin për këtë titull. Naimi këtu nuk ka të ndalur.  Së shpejti do të marrë pjesë edhe në provimin për licensë evropiane.

Kryetrajneri Kujtim Sukaliqi,  udhëheqësit dhe trajnerët e Klubit të Karatesë “Ulqini” janë shumë të kënaqur me rezultatet e arritura në Kampionatin Ballkanik, pasi që tashmë sukseset janë të vazhdueshme dhe kurrë nuk mungojnë, por përkundrazi dita-ditës janë edhe më të mëdha.

Ata me këtë rast përgëzojnë të gjithë medalistët e klubeve të tjera nga Ulqini dhe ata të tjerët që kësaj here nuk e patën fatin që të kurorëzohen me ndonjë  medalje, pasi në përgjithësi të gjithë kishin një paraqitje të mirë.

Falënderim i veçantë shkon edhe për sponsorët që mundësuan pjesëmarrjen në këtë Kampionat, si dhe prindërit e garuesve.

Ulqin, më 12.12.2017 

 Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”

By admini