Në kuadër të projektit „ Asistencë Teknike për Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta” që realizohet për dy qarqe të përzgjedhura të Shqipërisë dhe që financohet nga BE sot në Ulqin qëndroi për një vizitë pune grupi i përbërë nga kryetarë Bashkish, dhe kryetarë të Këshillave rajonale të Kukësit dhe Dibrës.
Ata kishin objektiv kryesor për tu njoftuar më për së afërmi me funksionimin dhe menaxhimin e deponisë sanitare në Mozhur.
Mysafirët u pritën nga kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët detalisht bënë prezantimin dhe dhanë shpjegime të mjaftueshme për organizimin dhe menaxhimin e mbetjeve brenda komunës si dhe rreth strukturës organizative të bashkëpunimit ndër komunal, në rastin konkret me komunën e Tivarit.
Kryetari Cungu tha se ruajtja e ambientit luan një rrol vendimtar në zhvillimin e përgjithshëm, veçmas në fushën e turizmit. Ai u ndal më pas tek aktivitetet e Komunës, masat dhe vështirësitë që janë hasur deri në finalizimin dhe vënijen në funksion të deponisë sanitare në Mozhur. Sipas Cungut përvojat dhe bashkëpunimi rajonal janë të një rëndësie të madhe në këtë problematike.
Mysafirët nga Shqipëria parashtruan një sërë pyetjesh që lidheshin me deponinë sanitare, me tarifat dhe grumbullimin e mjeteve, nga ana e qytetarëve dhe subjekteve private. Në pyetje u përgjigjen, bashkëpunëtorët e kryetarit Cungu, drejtori i NP ,,Veprimtaritë Komunale,, Skender Kaleziq, sekretari Mustafa Gorana dhe anëtar i Bordit të deponisë sanitare Qemal Bajra.
Ishte konstatim i përbashkët se takime të këtij lloji janë të mirëseardhura dhe ata duhet vazhduar edhe në fusha të tjera.