Përfaqësuesit e Rrjetit të OJQ-ve lokale në Ulqin, i bëjnë thirrje Vetëqeverisjes Lokale që të përmbushë të gjitha obligimet ndaj organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë përfituar mbështetje financiare në Konkursin e vitit 2016.
Në takimin që u mbajt ditën e enjte, në hapësirat e “SOS telefonit për femra dhe fëmijë viktima të dhunës – Ulqin” u konkludua se: shumicës së OJQ-ve, në fillim të korrikut të këtij viti, iu janë paguar vetëm gjysma e mjeteve të përfituara nga Konkursi i vitit 2016, edhe pse sipas kontratave të nënshkruara, afati ka qenë deri më 29 janar 2017.
Konsiderojmë që menjëherë pas shlyerjes së këtyre obligimeve, duhet të shpallet Konkursi për vitin 2017, ashtu siç tashmë kanë bërë, gati të gjitha komunat në Mal të Zi. Në këtë mënyrë Vetëqeverisja Lokale do të përmbushë detyrimet e veta, por edhe do vlerësoj dhe respektojë shoqërinë civile, si njërin prej sektorëve më të suksesshëm në Komunën tonë.
OJQ-të lokale edhe njëherë potencuan kërkesën për pjesëmarrje në procesin e vendimmarrjes të akteve, planeve, vendimeve dhe strategjive lokale; sidomos në fazën e hartimit të tyre.
Nga ky takim iu dërgua edhe një apel të gjitha organizatave joqeveritare që, në bazë të mundësive të veta, të kontribuojnë me mjete financiare për shërimin e bashkëqytetares sonë Adea Dervishaga, e cila vuan nga paraliza cerebrale.