Kosova është sot në ditën e heshtjes zgjedhore para se votuesit e saj nesër në mëngjes të hedhin votën për koalicionin politik që duan t’i qeverisë në katër vitet e ardhshme, shkruan Top Channel.
Emin Islami, është inxhinier i drurit me profesion. Gati një jetë e ka çuar në tregun e kryeqytetit të Kosovës. Prodhimet nga fshati i shet në qytet. Shpresa e tij është për ndryshime për Kosovën pasi të shkuarën nuk e ndryshon dot.
“Unë nuk e shoh të arsyeshme. Kam 20 vjet me radhë, por nuk e di cili shtet në botë 10 euro fëmijës nuk ja jep. Unë jam në pension, por nuk e gëzoj pensionin pas luftës, pasi nuk kam dashur që të kërkoj nga pushtuesi serb pensionin”, shprehet Emin Islami, shitës në tregun e Prishtinës.
Policia e Kosovës dhe autoritet e tjera thanë se gjithçka është gati për zgjedhjet. Qytetarët kanë ende kohë të mendojnë për arsyet e mbështetjes së subjekteve politike.
“Është urgjente që gjykatat të ndryshojnë, sistemi i drejtësisë të funksionojë”, thotë një qytetar.
“Duhet të lëvizi, të ndryshojë ekonomia. Nga zgjedhjet e lira kemi shpresa të futemi në BE, të fitojmë liberalizimin e vizave që të rinjtë të punojnë jashtë”, shprehet një tjetër qytetar.
Zgjedhjet e Kosovës ndodhin 18 vjet pas hyrjes së NATO-s në Kosovë. Zhvillimi ekonomik duket më i rëndësishmi.
Shpresat e qytetarëve të Kosovës janë të mëdha nga këto zgjedhje dhe gjithçka duket se është gati.
Mbi 1milionë 800 mijë kosovarë do të kenë mundësi të zgjedhin në mesin e 900 kandidatëve për deputet.