Liria e medias e kërcënuar edhe në vende demokratike

“Reporterë pa kufij” prezantoi raportin për lirinë e shtypit 2017. Në të gjithë botën vihet re një përkeqësim i gjendjes së lirisë së shtypit. Shqipëria renditet në këtë raport e 76-a, Kosova e 82-a, Maqedonia e 111-a.

Retorika armiqësore kundër medias e politikanëve udhëheqës, ligjet më të ashpra, por edhe influenca e politikës edhe në vende demokratike kanë sjellë përkeqësimin e gjendjes së mediave në të gjithë botën. Ky është konkluzioni i organizatës  “Reporterë pa kufij” në raportin e publikuar, 2017, shkruan DW.

Nënvlerësim i medias
Në vende si SHBA, Polonia dhe Britania e Madhe liderë të politikës e shfaqin hapur përçmimin që kanë për gazetarët. Përkeqësimin e gjendjes e ka shkaktuar edhe sjellja e paskrupullt ndaj medias e qeverive të vendeve si Egjipti, apo Burundi. Në Turqi po ashtu është përkeqësuar  gjendja e gazetarëve dhe medias, pas një vale të pashembullt represioni që nga përpjekja për puç ushtarak verën e kaluar. Ndërsa në vendet e krizës apo aty ku luftohet, si Siria, Jemeni apo Libia gazetarët ndeshen me kërcënimin për jetën. Në vende të tjera grupet islamiste, si “Shteti Islamik” kërcënojnë rregullisht jetën e gazetarëve si Afganistan, ku talibanët vranë vitin e kaluar 10 gazetarë gjatë punës.
Kreu i organizatës “Reporterë pa kufij”, Michael Rediske është shprehur, se “shokuese është që edhe në vendet demokratike ka kufizime të pavarësisë së medias dhe punës së gazetarëve, në vend që liria e shtypit të mbahet lart, si një vlerë themelore.”

Përkeqësim në vendet demokratike
Shqetësim paraqet gjendja edhe në SHBA që renditet në vendin e 43 këtë vit. Nga gjysma e dytë e vitit të kaluar janë shtuar proceset juridike kundër gazetarëve investigativë dhe “zbuluesve” të skandaleve në SHBA. Presidenti Donald Trump me fyerjet e pandalura ndaj mediave kritike distancohet nga një traditë e vjetër e SHBA-së si mbrojtësja e lirisë së shtypit, kritikon organizata “Reporterë pa kufij”.

Edhe në Francë gazetarët ndeshen me fyerje të politikanëve gjatë fushatës zgjedhore, vëren raporti. Ndërsa në Poloni, qeveria nacional-konservatore ka vënë nën kontroll televizionin publik, thuhet në raportin e “Reporterëve pa kufij”. Më shumë se 22 gazetarë kanë humbur punën, që nga ndërrimi i pushtetit në Poloni. Hungaria po ashtu ulet në renditje, dhe kritikohet fakti, që në tetor 2016 një oligark i afërt me qeverinë bleu grupin mediatik “Mediaworks”, tek i cili dy javë më parë u mbyll gazeta opozitare “Nepszabasag” dhe ku bëjnë pjesë 12 gazeta rajonale e një gazetë sportive.
Vendin e parë në listë për gjendjen e mirë të lirisë së shtypit e zë Norvegjia dhe vendet nordike renditen pas saj, si Suedia e Finlanda. Gjermania renditet e 16-ta, pranë Luksemburgut dhe Sllovakisë. Rusia nuk ka ndryshuar renditje, ajo vazhdon të zënë vendin e 148-të në renditje dhe organizata kritikon faktin, që qeveria vepron ashpër kundër mediave kritike, shkruan DW.

Renditja e Europës Juglindore
Në rajonin e Europës Juglindore përkeqësim ka pasur Kroacia, që ka humbur 11 vende, duke u renditur e 74-a. Organizata kritikon faktin që qeveria kroate vitin e kaluar hoqi nga puna drejtorin e përgjithshëm të televizionit publik, HRT dhe e zëvendësoi atë me një proqeveritar.
Shqipëria renditet në vendin e 76, me një përmirësim prej 6 pikësh, krahasuar me vitin e kaluar, kur renditej në vendin e 82-të. Edhe Kosova ka një përmirësim të lirisë së shtypit, ajo renditet këtë vit në vendin e 82, ndërsa vitin e kaluar zinte vendin e 90-të. Maqedonia zë vendin e 111-të, megjithë një përmirësim me 7 pikë nga viti i kaluar. Megjithatë në grafikën globale të lirisë së shtypit vendet e Ballkanit janë të ngjyrosura me ngjyrën e portokallisë që tregon se këto vende ka probleme të ndjeshme me lirinë e shtypit. Vendet ku gjendja është e lirisë së shtypit është e kënaqshme kanë një renditje me ngjyrë të verdhë, ato me gjendje të mirë, zbardhojnë.

Mali i Zi në këtë renditje zë vendin e 106-të.

By admini