Nga Gjekë Gjonaj
Thuajse asnjë komunë në Mal të Zi nuk i ka shpëtuar korrupsionit. Këtij “kanceri” i cili vërehet sidomos në vendet që janë me zhvillim të ulët ekonomik, siç jemi ne, nuk i ka shpëtuar as Komuna e Ulqinit. Faktin e hidhur se korrupsioni është mjaft i thellë në Ulqin, se ky fenomen global mbetet një nga problemet kryesore të këtij qyteti dhe se vazhdon të jetë çështje shqetësuese, e vërtetoi anketa e OJQ-së “ Ul-info”. Përmasat e korrupsionit, i cili nuk shfaqet vetëm në formën financiare, por edhe në formën morale, politike e tjerë , sipas qytetarëve të anketuar në Ulqin, janë të dukshme, madje dominuese dhe alarmuese në shumë fusha. Sipas hulumtimit të përmendur rreth kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe mjaft të rrezikshme për një shoqëri të caktuar e cila kryhet nga keqpërdorimi i detyrës zyrtare, institucionet më të korruptuara paraqiten të jenë pushteti ekzekutiv, partitë politke dhe shëndetësia, rreth 80 për qind, pastaj policia, gjyqësori, prokuroria, mediet, Kuvendi i Malit të Zi dhe arsimi.
Shikuar në një aspekt, kjo nuk është befasi. Për më shumë deri diku është e kuptueshme, pasi që korrupsioni, që në mënyrën më të thjeshtë të kuptimit është keqpërdorim i autorizimeve publike për përfitime personale, lind dhe shtohet si pasojë e mungesës së transparencës dhe moskërkimit të llogaridhënies. Perceptimi i përgjithshëm qytetar është se edhe pse kuadri ligjor është shpesh në vend, nuk respektohet ose shpesh nuk përdoret për të sanksionuar shkeljen e ligjit. Me keqardhje mund të thuhet se ende jemi larg nga rritja e nivelit të kënaqshëm, që do të lehtësonte kërkimin e llogaridhënies nga bartësit e institucioneve vendore dhe qëndrore. Se çfarë pasojash mund t’i sjell korrupsioni Ulqinit , mjafton të marrim për bazë gjendjen e tanishme ekonomike dhe sociale të qytetarëve, kur vërehet çdo ditë e më tepër papunësi, skamje, mjerim, e në anën tjetër tek shumica e politikanëve që janë në pushtet ,ose që kanë qenë vërehet një pasqyrë krejtësisht tjetër, e cila as për së afërmi nuk përkon me atë të qytetarëve. E gjithë kjo ka si rezultat revoltën e qytetarëve ndaj pushtetit, mosbesimin, mosbashkëpunim, migrimin etj.
Problemi është se sa është politika lokale e gatshme që qytetit dhe popullit të vet t’i japë drejtimin e duhur, pas të gjitha shfaqjeve jo të kënaqshme të këtyre 27 viteve në pluralizëm e demokraci. Çështje kryesore që sot kërkon zgjidhje të shpejtë është se a mund të gjejmë një ekip njerëzish, të dinjitetshëm e të përgjegjshëm, që e bëjnë kthesën e duhur për këtë qytet. Unë jo vetëm se besoj, por madje jam i bindur se Ulqini ka njerëz që e duan qytetin dhe bashkëqytetarët e tyre, të cilët në një qeverisje të ardhshme do të kenë zero tolerancë ndaj k0rrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe formave të tjera që ulin kredibilitetin e zyrtarëve komunalë përball shërbimit që kërkojnë qytetarët dhe të cilët do të jenë të pamëshirshëm ndaj secilit tentim më të vogël korruptiv nga ana e tyre.
E dimë të gjithë se në ato vende ku ka korrupsion rrezikohet seriozisht realizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me ligj. Edhe pse çdo qytetari i janë të garantuara me kushtetutë dhe ligj të drejtat e barabarta , korrupsioni e bënë të parelizuar një gjë të tillë në praktikë. Prandaj në Ulqin përfundimisht ka ardhur koha për ndërtimin e një sistemi ku secili qytetar mbanë përgjegjësi për rendin dhe sigurinë publike. Më nuk duhet drejtuar gishti i fajësisë vetëm te organet e sigurisë e drejtësisë, por secili qytetar duhet të bashkëpunojë më këto organe në mënyrë që të nxirren para ligjit të gjithë ata që e shkelin ligjin. Po ashtu qytetarët duhet të zhvillojnë vetëdijen, që duke qenë viktima të korrupsionit, pra duke paguar ryshfet, gjithashtu edhe ata kontribuojnë për të keq në gjendjen tashmë të palakmueshme. Andaj edhe ata duhet të raportojnë rastet kur janë detyruar të paguajnë ryshfet e mit . Veç kësj publiku i gjerë duhet të jetë më këmbëngulës në kërkesën për një nivel më të lartë të përgjegjësisë dhe transparencës nga zyrtarët dhe institucionet komunale. Rritja e vetëdijesimit dhe ndjenjës së përgjegjësisë së qytetarëve do të mundësojë transformimin e këtyre në një faktor kyç në luftimin e korrupsionit.