Ndikimi i politikës në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave në Mal të Zi, përfshirë këtu edhe shkollat me mësim në gjuhën shqipe, është shumë i madh. Politizimi në shkolla, ( lexo në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar dhe universitar) respektivisht ndikimi i partive politike në emërimin e këshillave drejtuese dhe drejtorëve është përhapur në tërë Malin e Zi, kështu shprehej kohë më pare gazetari dhe publicist Gjekë Gjonaj rreth emërimeve politike në sistemin arsimor në Mal të Zi.
Në krye të të gjitha institucioneve shkollore ndodhen drejtorë politikë, sikur në sistemin komunist. Pra, libreza partiake është vendimtare, më e fort se ligji. Në këtë princip të emërimit të drejtorëve të shkollave dhe këshillave drejtuese nuk është imun asnjë parti politike. Të gjtha subjektet politike, me gjithë fuqinë e tyre vendimmarrëse që posedojnë, drejtpërdrejtë janë të përziera në emërimin e drejtorëve të shkollave, vazhdon Gjonaj.
Kohë më parë në qytetin e Ulqinit, përkatësisht në dy shkollat fillore të tij, ‘’Mareshali Tito’’ në Ulqin dhe ‘’Bedri Elezaga’’ në Katërkollë, ishte hapur konkursi për drejtor dhe sipas të gjitha gjasave asnjë risi nuk pritet të ndodh as kësaj here në mënyrën e zgjedhjes të udhëheqësve të këtyre institucioneve të rëndësishme.