Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-Gjenerali Michael Flynn dhe ish Këshilltarja e Presidentit Barack Obama për Sigurinë Kombëtare, Suzan Rice morën pjesë në konferencë

 

POLITIKA E JASHTME AMERIKANE DHE SHQIPTARËT NJË POLITIKË E MBËSHTETUR NGA DY PARTITË KRYESORE
Nga Frank Shkreli
Zgjedhjet e fundit për president në Shtetet e Bashkuara shkaktuan debate të ashpra jo vetëm midis kandidatëve të dy partive kryesore të këtij vendi, republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton, por edhe në radhët e mbështetsve të tyre – debate që shpesh ishin dhe vazhdojnë të jenë përçarse — mbi politikat e mbrendshme dhe të jashtme që duhet të ndjekin Shtetet e Bashkuara.

Pjesë e këtij debati, ishte një konferencë dy-ditëshe që u mbajt muajin e kaluar në Institutin e Shteteve të Bashkuara për Paqë në Washington, tubim ky që kaloi gati pa bujë dhe pothuaj me aspak mbulim nga media, por ishte një takim i rëndësishëm dhe domethënës për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, në të kaluarën por edhe për angazhimin e administratës së re në punët botërore dhe për rolin që Washingtoni duhet të luaj në këtë fushë.   Ishte kjo një konferencë ku morën pjesë, Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e ish-Presidentit Obama, Susan Rice dhe Këshilltari i ri Sigurisë Kombëtare në adminsitratën e Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn.  Në konferencë ishin gjithashtu të pranishëm edhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, Senatori republikan, Lindsey Graham dhe qindra ish-zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të administratës së re, diplomatë dhe ekspertë të pavarur të çështjeve ndërkombëtare të cilët përfaqsonin pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin e marrëdhënieve të Amerikës dhe mbi rolin e saj në botën e jashtëme.  Ndryshe nga debatet mbi zhvillimet e politikave të mbrendëshme, shpesh të acaruara politike dhe ekonomike, midis Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqsve të Partisë Demokrate, ky takim ku u diskutua pothuaj ekskluzivisht politika e jashtme e Shteteteve të Bashkuara — sipas Institutit për Paqë i cili sponsorizoi takimin —  ishte një tubim që vërtetoi se me anë të dialogut të mirëfilltë dhe ndërtues, mund të përcaktohen bazat e një politike të jashtme efektive,  që mund  të mbështetet nga dy partitë kryesore amerikane – një politikë që në të vërtetë është jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në një njoftim mbi zhvillimet e konferencës dy ditore thuhet se pjesëmarrsit në atë tubim, arritën përgjithsisht në marrëveshje mbi perimetrat e sfidave të sigurisë dhe të politikës së jashtme, me të cilat përballen sot Shtetet e Bashkuara.  Për një menazhim më efektiv të këtyre sfidave, pjesmarrsit në konferencë u dakorduan se roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara është i pazevëndsueshëm dhe se si i tillë nevojitë aleatë, anë e mbanë botës.  Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn u tha të pranishëmve se administrata e re amerikane beson se Shtetet e Bashkuara, “Duhet të marrin përsipër një rol më të madh — pa marrë parsyshë nëse kjo na pëlqen ose jo – pasi bota e kërkon një gjë të tillë.  Ai shtoi duke thënë se administrata e re do të “Rishqyrtojë të gjitha marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet anë e mbanë botës.”

Në debatet e tyre, përfaqsuesit demokratë dhe republikanë ishin të njëjtit mendim se më së pari Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë bazën e mbrendshme nga e cila varet roli i jashtëm i këtij vendi, e që sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Stephen Hadley, që ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit George W Bush, “nevojitë forcimin e ekonomisë ssë vendit, një politikë më bashkpunuese midis palëve dhe një ushtri më të fortë.”  Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit Bill Clinton, si edhe pjesëmarrës të tjerë civilë dhe ushtarakë, nënvijuan se Amerika në rolin e saj botëror ka nevojë gjithashtu edhe për përdorimin e mjeteve të forta të diplomacisë, të zhvillimit dhe të pajtimit ndërkombëtar.  Pjesëmarrsit në atë konferencë u pajtuan se Amerikës i duhet një përgjigje e mbështetur nga dy partitë kryesore të këtij vendi ndaj sulmeve që po kërcënojnë rregullat dhe rendin e tanishëm ndërkombëtar.  Udhëheqsit e të dy partive politike amerikane në atë tubim, shprehën gjithashtu edhe shqetësimin e tyre në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë, mbi manovrimet ushtarake në rritje nga ana e Kinës si edhe ndaj dobësimit të kohezionit në radhët e vendeve të Bashkimit Evropian, duke i cilësuar këto dukuri si shënjë e dobësimit të rendit ndërkombëtar, një sistem ky që pak a shumë, ka ruajtur paqën botërore gjatë 70-viteve të fundit.

Natyrisht se në një debat të tillë mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, ku morën pjesë ish-udhëheqës dhe zyrtarë të lartë me qendrime të ndryshme, nga administratat demokrate dhe republikane, nuk do të ketë gjithmonë një harmoni të plotë të pikëpamjeve. Por të gjithë pjesëmarrsit –pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike dhe partiake – treguan ashtu siç është  shpesh traditë në Amerikë, një angazhim që në fillim të administratës së re të punojnë drejtë një politike të përbashkët mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë — gjithmonë në interesin kombëtar të këtij vendi — duke treguar se megjithë ndasitë dhe përçarjet politike të mbrendshme shpesh të ashpëra – politika e jashtme e këtij vendi dhe roli që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë, gëzojnë gjithnjë mbështetjen e ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të dy partive kryesore të Amerikës, por edhe diplomatëve dhe ekspertëve të pavarur të çështjeve ndërkombëtare.

Krahaso këtë mbështetje të politikës së jashtme amerikane dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nga dy partitë kryesore dhe nga eskpertë e diplomatë të ndryshëm amerikanë, me politikën e jashtme të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara, sidomos kohët e fundit. Duke u mbështetur në disa burime të medias shqiptare, kjo politikë po zhvillohet në dy platforma të ndryshme të ndjekura nga dy partitë kryesore, nga ajo Socialiste dhe ajo Demokrate.  Dy kampe pra të ndara në politikën e tyre ndaj shtetit strategjik numër një për kombin shqiptar, njëra pro “sorosiane” e tjera pro “Trump”.   Edhe nëqoftse në thelb kjo politikë e Tiranës ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është e vërtetë, kam drojë se nga të përfolurat deri tani mbi këtë çështje dhe nga debatet e analistëve kryesisht të njëanshëm në televizionet shqiptare, dëmi është bërë tanimë.  Shtetet e Bashkuara, me vendimin e tyre, kurrë nuk do të jenë armike të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, siç është provuar historikisht, vetëm shqiptarët mund të bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç bëri dikur Enver Hoxha.  Prandaj, qendrimet e fundit të politikës dhe disa mediave shqiptare ndaj Amerikës dhe zhvillimeve në këtë vend, duket se kanë krijuar një atmosferë jo të këndshme në marrëdhëniet midis dy vendeve, që për ndryshe deri më sot janë përshkruar si të shkëqyeshme midis Washingtonit dhe Tiranës.  Prandaj, lindë pyetja kush është motori që inkurajon një pasiguri të tillë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve dhe pse?  Nuk kini nevojë të përlaheni e të përçaheni për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane se kini mjaftë fushë të tjera ku mund ta beni këtë.  Nëqoftse dikush dëshiron, që në vend të miqësisë midis dy vendeve, falë politikës shqiptare ndaj Shteteve të Bashskuara, Washingtoni të detyrohet të marrë qendrim indiferent politik dhe diplomatik ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, politika e tanishme ose më mirë të themi heshtja zyrtare ndaj dukurive të tilla, do të shkaktonte dëme të mëdha në interesat kombëtare të shqiptareve në Ballkanin Perëndimor, duke kënaqur kështu jo vetëm armiqtë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe armiqtë e interesave kombëtare të shqiptarëve.

Marrëdhënjet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë tepër të rëndësishme që të bëhen objekt mosmarrveshjesh ndaj nuk guxohet të luhet me to ose të manipulohen në këtë mënyrë, qoftë nga individë ose parti politike për qëllime të ngushta, personale ose politike.  Pretendimet tuaja, të nderuar politikanë,  se mund të keni mbështetjen e njërit ose tjetrit udhëheqës ose parti politike e zyrtarë amerikanë janë fals dhe mos gënjeni votuesit shqiptarë.  Politika zyrtare amerikane nuk ka përkrahur kurrë ekskluzivisht ndonjë politikan ose parti politike të vetme shqiptare.  Washingtoni zyrtar nuk do të bëjë një gjë të tillë as tani, kështuqë “sorosianë” dhe “trumpist” shqiptarë dhe mbështetsit tuaj, më mirë kujdesuni bashkë pa dallim partie, për interesat afatgjata politike, ekonomike dhe të sigurisë të shqiptarëve që mund të vinë nga marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane.

Shtetet e Bashkuara, janë mirënjohëse ndaj ndjenjave historikisht, pro-amerikane të kombit shqiptar.  Shqipëria, nga ana e saj, ka përkrahur pa mëdyshje politikën amerikane në luftën kundër terrorizmit dhe merr pjesë në operacione ushtarake në kuadër të NATO-s.  Mos e prishni pra këtë miqësi historike. Siç thashë më lartë, mjafton një qendrim indiferent i Washingtonit ndaj Shqipërisë për të dëmtuar këtë miqësi dhe njëkohsisht për të kënaqur dhe për të inkurajuar armiqët.  Jo vetëm Washingtoni zyrtar por edhe Kombi shqiptar pret prej jush – si politikanë individ dhe si parti — që para Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve të saj të flisni me një zë dhe të paraqiteni të bashkuar në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve, përfshirë zhvillimin dhe mbarëvajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore që ekzitojnë tani midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Prandaj, ashtu siç është mbështetse dhe bipartizane politika amerikane, pa dallime politike, ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve, e tillë duhet të jetë edhe politika e Shqipërisë dhe e klasës politike të saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe marrëdhënieve zyrtare midis dy vendeve.

Frank Shkreli

By admini