ftesa-per-xheladin-zenelin-nga-presidenti-nishaniLETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË , Z. BUJAR NISHANI NGA XHELADIN ZENELI

( Pse nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentit tonë me bashkatdhetarët në Nju Jork ?)

I nderuari President Nishani,
Së pari dëshiroj t’ju falenderoj për ftesën tuaj në takimin që Ju do të mbani në Nju Jork, këtë të Premte me 23 Shtator me pjesëtarët e komunitetit shqiptar .Në një rrethanë tjetër, do të ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë për mu që të marr pjesë në këtë takim, por më vjen keq që kësaj rradhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese për arsyen që do t’a potencoj më poshtë.

Me 12 Korrik të këtij viti, zyra e Presidentit të Shqipërisë, pra zyra e Juaj i ndau kryeministrit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, e cila iu dorozua nga kryetari i kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta me rastin e vizitës së tij në Podgoricë,dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë . Mendoj se vendimi për dekorimin e kryeministrit Gjukanoviq nga zyra e Juaj ishte e nxituar dhe si e tillë tepër e gabuar, për shkak se shteti shqiptar dekoroj kryeministrin i cili mban përgjegjësinë kryesore e mos realizimit e të drejtave të plota të shqiptarëve në Mal të Zi, gjatë 25 viteve të fundit, dhe si e tillë është fyese për aspiratat e shqiptarëve autokton në këtë shtet dhe së dyti, shteti shqiptar dekoroj politikanin më të korruptuar në rajon.

Z. President,
Supozoj se një gjest i tillë ishte i nxitur nga motivi i përforëcimit të marrëdhenieve fqinjësore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Por unë mendoj se pikë së pari, këto marrëdhënie duhen të bazohen në politikë parimore të shtetit tonë amë,ku prioriteti kryesor duhet të jetë interesi kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të asaj pjese të popullit e cila jeton jashtë kufijvë administrativ të tij, pra të shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Shqipërisë ( neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.

Të drejtat e tyre nuk mbrohen duke akorduar dekorime por duke hapur dialog me mirëkuptim të ndërsjelltë për çështje të hapura. Çështja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi është gjithënjë çështje e hapur dhe e pazgjidhur. Niveli i realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, do të duhej të ishte barometri kryesor i nivelit të marrëdhënieve me Malin e Zi nga ana e shtetit të cilët ne preferojmë t’a quajmë ” amë”, pra nga Shqipëria.

I nderuari President ,
Gjithashtu, akordimi i dekoratës në fjalë, dashur apo pa dashur nënkupton ate që Shqipëria aprovon metodat asimiluese dhe ç’kombëtarizuese që regjimi i Gjukanoviqit dhe i partisë së tij ( PDS) aplikon ndaj shqiptarëve me dekada me radhë. Për statusin e pa barabartë të shqiptarëve në Mal të Zi dëshmojnë edhe statistikat zyrtare të cilat konstatojnë shkeljen e të drejtave të tyre kolektive kombëtare në shumë sfera të jetës si në ekonomi,punësim, përfaqësimin proporcional në organet e administratës shtetërore, arsimim, qeverisjen lokale në vendbanimet shqiptare, çështjet pronësore, planet hapësinore,infrastrukturë etj.

Z. President,
Nuk e di se a jeni në dijeni se pak kohë para dekorimit të kryeministrit malazez me ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, së paku në dy rastet e fundit në Ulqin dhe Budvë) u gjobitën shqiptarët për mënyrën festive të përdorimit të flamurit shqiptar. Ironia më e madhe është ajo se derisa në njërën anë kryeministrit malazez i dorëzohet dekorata me simbolin tonë kombëtar, në anën tjetër qeveria e tij, për të njëjtin simbol,dënon qytetarët shqiptarë!. Gjithashtu, nuk e di se a jeni në dijeni që në Mal të Zi egziston një ligj ( Ligji për Rendin dhe Qetësinë) i cili është aprovuar nga kuvendi dhe zbatohet nga qeveria e Millo Gjukanoviqit, flamurin shqiptar, i cili njëherit është edhe flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi, e konsideron si flamur i “një shteti tjetër” apo i një “shteti të huaj”, dhe si i tillë kufizon dukshëm përdorimin e tij në shtetin me të cilin Tirana zyrtare shpeshëherë thekson se ka ” marrëdhënie të shkëlqyera miqësore”.

Z. President,
Dekorimi i kryeministrit malazez ishte poashtu mohim i punës dhe veprimtarisë së organizatave shqiptare në diasporë me prejardhje nga trojet e tyre etnike nën Mal të Zi të cilat angazhohen me vite me radhë për lobizmin dhe sensibilizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në at shtet. Ju rikujtojmë se me 8 Prill të vitit 2014 organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA në bashkëpunim dhe me përkrahjen e disa organizatave të tjera të kumunitetit shqiptar dhe me mbështetjen e fuqishme të anëtarit të Asamblesë së Nju Jork-ut ,z. Mark Gjonaj, organizuan protestë paqësore para Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në të njëjtën ditë kur kryeministri Gjukanoviq vizitoj kryeqytetin amerikan,protestë kjo e cila u cilësu nga disa mediume shqiptare si ” protesta më e madhe e dekadës në Uashington”. Kjo protestë kishte për qëllim ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi , përkrahjen e aspiratave për realizimin e të drejtave të plota të tyre dhe kundërshtimin e politikës diskriminuese të pushtetit malazez me në krye z. Gjukanoviq.

Përveç aspektit të mohimit të drejtave të shqiptarëve, me dekorimin e z. Gjukanoviq u bë edhe një gabim në aspektin moral.
Në fillim të këtij viti, Millo Gjukanoviq muar titullin “kriminel i vitit” nga organizata e njohur Projekti Raportues i Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit ( OCCRP) e cila merret me hetimin e korrupcionit të politikanëve dhe qeveritarëve të vendeve të ndryshme dhe si i tillë do të duhej të ishte personi i fundit që të konsiderohet për t’u dekoruar !

I nderuari z. President Nishani,
Me shpresë se do t’a kuptoni drejtë shqetësimin tim,shqetësim ky të cilin mendoj se e ndaj edhe me shumë bashkëvendas dhe bashkatdhetarë të mij, si dhe me shpresë që Tirana zyrtare ( pra, shteti ynë amë) në të ardhmen do të demonstrojë më shumë ndieshmëri dhe ndërgjegje për vëllezërit dhe motrat tyre të një kombi,gjaku, gjuhe e flamuri, të cilët patën fatin e hidhur të jetojnë jashtë kufijëve administrativ të saj,

Ju përshëndes dhe uroj vizitë sa më të këndshme në Nju Jork !

Me nderime,
Xheladin Zeneli
Ish Deputet në Parlamentin e Malit të Zi
22 Shtator 2016
See Translation

By admini