Në kuadër të shënimit të Ditës së Komunës së Ulqinit, të enjten, më 2 prill 2026, do të zhvillohen dy aktivitete me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal, të cilat theksojnë angazhimin për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e mirëqenies sociale, mësohet nga Kabineti i kryetarit të komunës, shkruan Ulqini Online.

Në orën 10:00, në Kabinetin e Kryetarit të Komunës, do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe një sërë organizatash të shoqërisë civile, përfshirë OJQ Green Home, Qendrën për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve, Shoqatën “Dr. Martin Schneider-Jacoby”, Shoqatën Malazeze të Ekologëve, KANA, ENVPRO, Parqet e Dinarideve dhe MogUL.

Ky memorandum synon krijimin dhe formalizimin e një Trupi Këshillimor të shoqërisë civile, i cili do të fokusohet në mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave me vlera të veçanta natyrore, me theks të veçantë në Plazhin e Madh. Iniciativa konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe sektorit civil, si dhe përmirësimit të politikave mjedisore në territorin e komunës.

Ndërkaq, në orën 13:30, në Kolomzë, do të mbahet ceremonia e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e Qendrës së re Ditore për fëmijët me nevoja të veçanta “Sirena”.

Ky projekt paraqet një investim të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes sociale dhe përkujdesjes ndaj fëmijëve. Qendra e re pritet të ofrojë kushte bashkëkohore për qëndrim, rehabilitim dhe zhvillim, si dhe mbështetje profesionale për familjet e tyre. Përmes këtij investimi synohet të rritet niveli i përfshirjes sociale dhe të ndërtohet një komunitet më gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë qytetarët.

Këto aktivitete dëshmojnë përkushtimin e institucioneve lokale për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të cilësisë së jetës në Komunën e Ulqinit.

By admini