Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri. Me të përfundojnë të gjitha proceset legjislative.
Siç shkruan rtcg, pasi të hyjë në fuqi – gjë që pritet të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së – vendimi do të fillojë të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
“Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit e Serbisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Procedurat për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe nisën në vazhdën e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti.