Krijuesja Albana Kashoxha ka botuar këto ditë pëmbledhjen me poezi, të titulluar “Zemra e shprehur”. Vëllimi poetik përbëhet nga 51 poezi, të ndara në katër cikle.
Përmes poezive, ajo shpreh kryesisht përjetimet e saj jetësore. Prehjen shpirtërore e gjen te fjala dhe vargu poetik, që buron natyrshëm nga zemra e saj e çiltër. Mesazhi poetik që rrjedh nga gulçimet e zemrës së saj për padrejtësitë e jetës, dëshpërimin, gabimet, dashurinë e vrarë, ndjenjat e ndrydhura etj. është i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ajo preferon stilin klasik të poezisë, duke mos dashur të eksperimentojë.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Libri është përgatitur për shtyp dhe redaktuar nga poeti dhe studiuesi i letërsisë Dr. Haxhi Shabani, kurse redaktor teknik është Gazmend Çitaku. Albana Kashoxha ka mbaruar shkollën e mesme për turizëm në Ulqin. Pasionin dhe talentin e saj për poezinë e ka shprehur që në fëmijëri. Ky është libri i parë i autores.