Nga Xheladin Zeneli
( Pse z. Gjukanoviq refuzon gjithënjë të marrë përgjegjësinë për kohën kur ai ishte në anën e gabuar të historisë?)
Të Enjtën, me 16 Shator 2021, në emisionin ‘Argument’ të një kanali televiziv të Malit të Zi, presidenti aktual i këtij vendi u pyet nga drejtuesi i emisionit se a ndjen pjesë të përgjegjësisë lidhur me bashkëpunimin që ai ka pasur me Millosheviqin në fillim të viteve “90-ta ?
Gjukanoviq në mënyrë cinike u përgjegj duke mohuar çfarëdo bashkëpunimi me ish diktatorin, ku në mes tjerash ai tha se me Millosheviqin ai ishte vetëm “bashkëkohës“ ?!.
Kurse në anën tjetër, faqet e para të shumë mediumeve shqiptare, si ato të shkruara dhe online ,publikuan bujshëm një deklaratë e fundit të Millo Gjukanoviq, ku thotë e se “presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të dëshironte që në projektin e ‘Serbisë së Madhe’ ta kishte Kosovën por pa shqiptarë dhe Malin e Zi ,pa malazezë…”
Për ata që nuk e mbajnë mend fillimin e viteve “90-ta në ish Jugosllavi, Gjukanoviq ishte atëherë një Vuçiq i sotëm, një adhurues i zjarrtë i politikës serbo-madhe e cila ngjallte urrejtje dhe bënte thirrje për luftë,posaçërisht ndaj shqiptarëve.
Ja se çfarë thoshte ai në vitin 1990 për Kosovën: “ Në Kosovë është sulmuar Jugosllavia.Kosova është kalaja e popullit serb dhe malazez i cili nuk mund të rrëxohet deri sa të jemi ne dhe brezi i pasardhësve tonë. Shumë herë e kemi thënë: Kosova duhet të mbrohet me të gjitha mjetet”(!?).
Vertetë Millo Gjukanoviq bëri kthesë dhe u distancu nga politika hegjemoniste e Serbisë kah fundi i viteve “90-ta , përkatësisht në vitet 1997/98 dhe mirë bëri, por problemi qendron në ate se ai kurr nuk është ballafaquar në mënyrë të sinqertë me këte pjesë të kaluarës së tij.
Si bashkëpunëtor i Millosheviqit i njohur për krimet e tia ndaj popujve të tjerë jo sllav të republikave të të ish Jugosllavisë, pa dyshim që Gjukanoviq mban pjesën e vet të përgjegjësisë.
Në raport me shqiptarët në Mal të Zi, si kryeministër i atëhershëm i kësaj republike, ai me vendimet e tia rrezikoi jetën e shumë të rinjëve shqiptarë duke i mobilizuar ata për qëllime lufte , kundër vullnetit të tyre. Kjo ngajarje e cila për pak nuk u kthy në tragjedi,shkaktoi atëherë dhimbje dhe trauma mendore te ato nëna shqiptare , bijtë e të cilave ishin pjesë e këtij mobilizimini ushtarak. Gjithashtu ai mban përgjegjësi edhe për nxitjen e egzodit masiv të të rinjëve shqiptarë si pasojë e atij mobilizimi.
Duhet potencuar se edhe pas distancimit të kreut politik të Malit të Zi nga Serbia ,në territorin e këtij shteti u kryen krime të reja, përsëri ndaj shqiptarëve. Konkretisht bëhet fjalë për ngjarjen e vitit 1999 , (gjatë luftës në Kosovë),në fshatin Husaj,afër Rozhajës u egzekutuan në mënyrë barbare 15 shqiptarë dhe u plagosën 5 të tjerë të përndjekur nga Kosova, nga forcat e atëhershme jugosllave , në përbërjen e të cilës ishim edhe ushtarët malazez. Është për ti habitur fakti se autorët e këtij krimi makabër ,gjykata e lartë në Bijello Pole në vitin 2014 i shpalli të pafajshëm!.
Mos të harrojmë aksionin famëkeq me emrin e koduar “Fluturimi i Shqiponjës” në Shtator të vitit 2006 kur organet e sigurimit malazez përmes një procesi të montuar politik, arrestuan, burgosën dhe torturuan 17 shqiptarë nga Malësia.
Millo Gjukanoviq, kurr deri më sot nuk ka dhënë përgjegjësi për veprimet e tia luftënxitëse e kriminale gjatë viteve 1990-1997.
Nëse edhe pas tre dekadave Gjukanoviqin e vret ndërgjegja për ate se dikur ishte në anën e gabuar të historisë, asnjëherë nuk është vonë që të ballafaqohet me të kaluarën e tij dhe kërkoi falje të sinqertë publike, posaçërisht ndaj shqiptarëve.
Përndryshe deklaratet e tia të kohë pas kohëshme kundër Beogradit zyrtar, tingllojnë si retorikë politike dëshpruese e momentit me ç’rast Gjukanoviq kërkon përkrahjen dhe ndihmën e shqiptarëve vetëm atëherë kur rrezikohet dhe kërcnohet interesi i tij politik por edhe interesi kombëtar i shtetit të Malit të Zi.
18 Shtator, 2021
Ulqin