Punëtoret shëndetësore vlerësojnë se qyteti i Ulqinit po shënon një situatë më të rënduar epidemiologjike në Mal të Zi. Ata vlerësojnë se situata u rëndua për shkak të mosvaksinimit të duhur të qytetarëve, por edhe për shkak se gjatë këtyre muajve të verës u shënua një fluks i madh i turistëve dhe nuk u zbatuan me përpikëri masat kundër pandemisë.

Epidemiologu Kreshnik Mustafa, për Zërin e Amerikës vë në dukje, përhapjen e shpejtë të COVID-19, e cila po shkakton një situatë të rënduar në qytet, transmeton Ulqini Online.
“Ditëve të fundit kemi një rritje shumë të madhe të rasteve pozitive me virusin SARS COV 2. Situata për momentin është e rënduar, por shpresojmë se qytetarët e Ulqinit do të përpiqen të respektojnë masat. Nëse ata respektojnë masat atëherë do të na ndihmojnë edhe neve si punonjës të sistemit shëndetësorë të arrijmë ta përballojmë sa më mirë këtë situatë”, tha zoti Mustafa për Zërin e Amerikës.

Epidemiologu Mustafa vlerëson se situata mund të mbahet nën kontrolle nëse zbatohen masat mbrojtëse dhe shtimi i vaksinimit, pasi siç shprehet ai, personat që paraqesin forma të rënda të infektimit të shtruar në spitalet anti-covid janë pjesa më e madhe e pavaksinuar.
“Masat të cilët ne si qytetarë është dashur ti marrim është që të ishim vaksinuar sa më shumë, sepse shumica prej 95% e personave që momentalisht janë të infektuar janë ata që nuk e kanë marrë asnjë dozë të vaksinës. Vaksina dihet që të mbron nga sëmundja e rëndë dhe kritike,poashtu të mbron edhe nga mos shkuarja në spital. Për këtë arsye i bëjë apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen”, tha zoti Mustafa.

By admini