Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se qyteti bregdetar i Ulqinit po shënon një situatë më të rënduar epidemiologjike në Mal të Zi.
Ata vlerësojnë se situata u rëndua për shkak të mosvaksinimit të duhur të qytetarëve, por edhe për shkak se gjatë këtyre muajve të verës u shënua një fluks i madh i turistëve dhe nuk u zbatuan me përpikëri masat kundër pandemisë.
Autoritetet shëndetësore të Malit t Zi paralajmërojnë për një vjeshtë tejet të vështirë me COVID-19 për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Delta.
Një përhapje e tillë e virusit u reflektua këtë muaj edhe në qytetin bregdetar të Ulqinit, si pasojë e mosrespektimit të masave kundër pandemisë.
Epidemiologu Kreshnik Mustafa, vë në dukje, përhapjen e shpejtë të COVID-19, e cila po shkakton një situatë të rënduar në qytet.
“Ditëve të fundit kemi një rritje shumë të madhe të rasteve pozitive me virusin SARS COV 2. Situata për momentin është e rënduar, por shpresojmë se qytetarët e Ulqinit do të përpiqen të respektojnë masat. Nëse ata respektojnë masat atëherë do të na ndihmojnë edhe neve si punonjës të sistemit shëndetësorë të arrijmë ta përballojmë sa më mirë këtë situatë”, tha zoti Mustafa për Zërin e Amerikës.
Epidemiologu Kreshnik Mustafa vlerëson se situata mund të mbahet nën kontrolle nëse zbatohen masat mbrojtëse dhe shtimi i vaksinimit, pasi siç shprehet ai, personat që paraqesin forma të rënda të infektimit të shtruar në spitalet anti-covid janë pjesa më e madhe e pavaksinuar.
“Masat të cilët ne si qytetarë është dashur ti marrim është që të ishim vaksinuar sa më shumë, sepse shumica prej 95% e personave që momentalisht janë të infektuar janë ata që nuk e kanë marrë asnjë dozë të vaksinës. Vaksina dihet që të mbron nga sëmundja e rëndë dhe kritike,poashtu të mbron edhe nga mos shkuarja në spital. Për këtë arsye i bëjë apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen”, tha zoti Mustafa.
Ndërkaq, situatës së rënduar epidemiologjike në komunën bregdetare të Ulqinit, sipas kryetarit të Komunës së Ulqinit, i ndihmoi edhe sezoni i turizmit ku gjatë muajve të verës u shënua një fluks i madh i turistëve dhe nuk u zbatuan në përpikëri masat kundër pandemisë.
“ Ne e dimë që në fokus, jo vetëm të Ulqinit por në krejt bregdetin e Malit të Zi, ka qenë turizmi, por mendoj që në këtë kuadër e kemi harruar shëndetin. Shëndeti nuk ka çmim dhe sado që neve kemi përfituar prej turizmit në fund nuk e di a do të mundemi të kompensojmë shëndetin që e kemi dëmtuar në këtë mënyrë”, tha zoti Daboviq.
Në qytetin e Ulqinit, ku po qëndron një numër i madh i turistëve nga rajoni e sidomos nga Kosova, vërehet një rritje e dukshme e të infektuarve. Në këtë komunë bregdetare janë mbi 1000 raste aktive, kurse në Mal të Zi aktualisht janë 7500 raste aktive të të infektuarve.
Nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve po arrin gati 113 mijë. Si pasojë e COVID-19 në Mal të Zi kanë humbur jetën 1710 persona. /Ali Salaj – VOA/