Nga Xheladin Zeneli
Ndryshimet e paralajmëruara të Ligjit të regjistrave të vendbanimit të përhershëm e të përkohshëm si dhe ndryshimet apo plotësimet e kriterijumeve për përfitimin e shtetësisë nga ana e Qeverisë aktuale të Malit të Zi, nxiti reagimet e përfaqësuesve politik të shqiptarëve në Mal të Zi si dhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve . Ata me të drejtë shprehën shqetësismin e tyre lidhur me këto ndryshime të cilat mund të kenë efekt në humbjen eventuale të së drejtës votuese të pjesëtarëve të Diasporës shqiptare e cila ka disa kohë që është e margjinalizuar nga shteti malazez .Ky margjinalizim, diskriminim dhe tjetërsim i kësaj Diaspore nuk fillon tani, pra me qeverinë aktuale të Krivokapiqit, por i ka fillet e veta që nga koha kur në pushtet ishte PDS-ja e Gjukanoviqit, atëherë edhe kur është aprovuar Ligji për shtetësinë e Malit të Zi.Më saktësisht, në vitin 2008, pra dy vite pas pavarësisë së Malit të Zi, është aprovuar Ligji për shtetësinë e Malit të Zi i cili nuk e njeh nënshtetësinë e dyfishtë dhe ndalon posedimin e dy apo më shumë pasaportave, çka paraqet problem dhe vështirësi ligjore për pjesëtarët e diasporës, në aspektin e së drejtës së trashigimisë pronësore në vendin e preardhjes së tyre, pra në Mal të Zi. Në rastin e Diasporës shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi , pjesëtarët e së cilës janë me qendrim dhe banim në SHBA , fëmijët e tyre që kanë lindur në këtë shtet me automatizëm fitojnë nënshtetësinë amerikane. Por Ligji i shtetësisë së Malit të Zi, paraqet pengesë për ata prindër të cilët posedojnë prona apo pasuri në vendlindjen e tyre dhe këto prona dëshirojnë t’i regjistrojnë në emër të fëmijëve (trashigimtarëve) të vet të cilët janë shetas amerikanë.Pra,Ligji për shtetësinë është aprovuar në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) i Millo Gjukanoviqit dhe vlen të theksohet se nuk hasur atëherë në reagime apo kundërshtime të qëndrueshme nga ana e përfaqësuesve politik të shqiptarëve në Mal të Zi apo subjekteve të tyre nacionale.
Edhe një ligj tjetër i rëndësishëm që ka të bëj me Diasporën shqiptare , i cili gjithashtu është aprovuar gjatë kohës kur ishte në pushtet PDS-ja, ishte Ligji për regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi. Përmes këtij ligji Enti i Statistikës së Qeverisë së Mal të Zi , në regjistrimin e popullsisë që u mbajt në vitin 2011 , pjesëtarëve të Diasporës shqiptare iu është mohuar drejta e deklarimit të përkatësisë së tyre kombëtare dhe gjuhësore, me ç’rast numri i shqiptarëve në Mal të Zi dual më i vogël në krahasim me regjistrimet e mëparshme. As atëherë nuk ka pasur reagime substanciale ndaj këtij akti diskriminues nga ana e partive nacionale shqiptare dhe përqasësuesve politik të tyre, përveç Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Rikujtojmë se në dy këto raste , pra në kohën kur është aprovuar Ligji për shtetësinë në vitin 2008 si dhe në vitin regjistrimin e vitit 2011 kur pjesëtarëve të Diasporës shqiptare nuk iu mundësua deklarimi i përkatësisë së tyre kombëtare , faktori politik shqiptar, përkatësisht subjekte të caktuara politike nacionale, ishin pjesë e pushtetit dhe bashkëqeverisjes me PDS-në e Gjukanoviqit, çka do të thotë se për këtë ata mbajnë pjesën e përgjegjësisë së vet duke mos ngritur atëherë zërin e tyre kundërshtues.
Ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi unifikoi faktorin politik shqiptar
Për rreth 22 viteve me radhë, partitë kryesore shqiptare, në formë kualicioneve apo si subjekte të veçanta, kanë qenë pjesë e bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), në nivel shtetëror.
Me zgjedhjet e fundit të 30 Gushtit 2020 kjo ndryshoj.
Për herë të parë partitë opozitare fituan shumicën parlamentare në këto zgjedhje me ç’rast PDS-ja me aleatët e saj humbën pushtetin kurse partitë politike shqiptare,pas një kohe prej më shumë se dy dekadave , nuk janë më pjesë e këtij pushteti.
Derisa në zgjedhjet e 30 Gushtit partitë politike shqiptare garuan të ndara në dy lista, pas zgjedhjeve dhe
me refuzimin e tyre për pjesëmarrjen në Qeverinë e Krivokapiqit, ata tani po paraqiten si dy subjekte të bashkuara opozitare. Që nga fillimi i zgjedhjes së kësaj Qeverie përfaqësuesit e dy kualicioneve shqiptare ( Listës Shqiptare dhe Kualicionit Shqiptar) kanë qenë kritik me qendrimet e tyre ndaj kësaj Qeverie, posaçërisht lidhur me çështjet që preokupojnë shqiptarët në Mal të Zi. Këte e dëshmon më së miri edhe paraqitja dhe reagimi i përbashkët në konferencë shtypi, kohë më parë, i dy deputetëve shqiptar të Kuvendit të Malit të Zi lidhur me Ligjin për shtetësinë malazeze.
Pra nëse mund të nxirret diçka pozitive nga ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi, atëherë është ajo se ky ndryshim , i ka afruar politikisht më shumë subjektet politike shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre, se sa ata ishin në të kaluarën.
Gjatë kohës kur partitë politike shqiptare ishin pjesë e qeverisjes shtetërore, për shkaqe të qarta ,ata nuk kanë qenë në gjendje që të shfaqnin një opozitarizëm të mirëfilltë ndaj një pushteti në përbërje të së cilit ishin ata vetë, edhe përkundër faktit se shqiptarët në Mal të Zi ishin të ballafaquar më shumë sfida dhe probleme që kishin të bënin me përmirësimimin e pozitës së tyre në këtë shtet.
Gjithashtu duhet theksuar fakti se pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet në të kaluarën, shpeshëherë ka qenë “mollë sherri” në mes tyre, përkatësisht në mes asaj partie (apo partive) që ishin pjesë e bashkëqeverisjes shtetërore dhe atyre që nuk ishin.
Mendoj se periudha e katër viteteve të ardhshme, për subjektet politike shqiptare, edhe pse janë faktor jashtë qeveritar,duhet të kqyret si një mundësi reflektimi ,por çka është më e rëndësishme edhe si një mundësi e re fuqizimit dhe faktorizimit të tyre politik duke i bashkuar forcat dhe qendrimet në angazhimin dhe qëllimin e tyre të përbashkët në mbrojtjen e të drejtave të popullit që ata përfaqësojnë, pra të shqiptarëve në Mal të Zi.