Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi Faik Nika i ka dërguar një shkresë kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurtit me anë të së cilës i kërkon të angazhojë organet kompetente për zgjidhjen e çështjes së ish-punëtorëve shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët kanë punuar me vite të tëra në ndërmarrje dhe institucione të ndryshme në Republikën e Kosovës.

Siç shkruan Nika në këtë shkresë, bëhet fjalë për periudhën deri në vitin 1999, por që akoma sot nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën e pensionit që u takon për vitet e punës në Kosovë, shkruan Ulqini Online.

Bëhet fjalë për një grup prej 60 individësh, të cilët për ta zgjidhur këtë çështje janë angazhuar me vite të tëra duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, por pa sukses deri sot dhe kjo ka sjellë një demoralizim dhe humbje shprese tek ata, sepse po u kalojnë vitet e jetës pa e përfituar të drejten që u takon.

Shkresën e Nikës mund ta lexoni më poshtë.

REPUBLIKA E KOSOVËS
KRYEMINISTRIA
Kryeministrit, z. Albin Kurti

P R I SH T I N Ë

I nderuar kryeministër z. KURTI,

Ju drejtohemi përmes kësaj shkrese, që si kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës të angazhoni organet kompetente për zgjidhjen e çështjes së ish-punëtorëve shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët kanë punuar me vite të tëra në ndërmarrje dhe institucione të ndryshme në Republikën e Kosovës deri në vitin 1999, por që akoma sot nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën e pensionit që u takon për vitet e punës në Kosovë.

Bëhet fjalë për një grup prej 60 individësh, të cilët për ta zgjidhur këtë çështje janë angazhuar me vite të tëra duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, por pa sukses deri sot dhe kjo ka sjellë një demoralizim dhe humbje shprese tek ata, sepse po u kalojnë vitet e jetës pa e përfituar të drejten që u takon.

Ju rikujtojmë se në dhjetor të vitit 2013 është arritur një Marrëveshje për pranimin e periudhës së sigurimeve për arritjen e të drejtës në pension në mes të Malit të Zi dhe Kosovës, e cila është nënshkruar në Podgoricë ndërmjet ministrave të atëhershëm të Punës dhe kujdesit social të dy vendeve z. Predrag Boshkoviq nga pala malazeze dhe Nenad Rashiq nga pala kosovare, marrëveshje e cila që nuk është zbatuar.

Ju lutemi që të bëni çka është e mundur për zgjidhjen e kësaj problematike, në mënyrë që të gjithë ato vite pune dhe kontributi në Kosovë të këtyre personave të mos u shkojnë dëm dhe të drejtat  t’u njihen para se të jetë vonë dhe ata të mos jenë më në mesin tonë.

Besojmë në vullnetin e Qeverisë që ju drejtoni për t’i dhënë epilog të drejtë dhe të shpejtë kësaj çështjeje sa humane aq edhe jetike për ata të moshuar që sot marrin gjysmën e asaj që meritojnë ose nuk e gëzojnë fare të drejtën e asaj që ju takon, jo për fajin e tyre.

Me shpresën se kjo çështje do të trajtohet me seriozitetin më të madh dhe do të fitojë zgjidhjen që meriton, ju dëshirojmë punë të mbarë.

Me respekt,

Kryetar

Faik Nika

By admini