Nga Xheladin Zeneli
Viti 2020 do të mbahet mend për një kohë të gjatë si vit i ballafaqimit të njerëzimit me sfidën e pandemisë globale dhe efektet e pasojat e mëdha ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga kjo pandemi.
Por njëkohësisht, viti që kaluam ishte njëherit edhe vit i paprecedent i solidaritetit vëllazëror të mërgatës shqiptare ndaj vendit tyre.
Konkretisht bëhet fjalë për komunitetin e Anës së Malit në SHBA i cili u angazhua gjatë kësaj kohe të vështirë duke mbledhur fonde financiare për nevojat e bashkëvendasve të tyre në vendlindje . Këto ndihma kishin për qëllim kryesisht përballimin me pasojat e Covid-19 si dhe lehtësimin e vështirësive ekonomike të individëve apo familjeve më të rrezikuara nga kjo pandemi.
Gjatë kësaj kohe u dallua aktiviteti humanitar i Fondit “Trojet Tona” me seli në Nju Jork. Ky Fond, në bashkëpunim me Shoqatën “Ana e Malit “, në kuadër të së cilës vepron, përmes plafformës online “gofundme” mblodhi rreth $77.000 mjete financiare për të ndihmuar të prekurit nga virusi Covid-19 në vendlindje. Këto mjete kryesisht u përdoren për blerjen e testeve, maskave dhe ilaçeve(medikamenteve) të ndryshme si dhe shpërndarjen e tyre nga mjekët specialist në vend për trajtimin e pacientëve të sëmurë.
Duke pasur parasysh faktin se pandemia ndikoi te shumë shkolla transferimin e mësimit online, në Shtator të vitit 2020 ,Fondi “Trojet Tona” , ka shpërndarë 16 tableta kompjuterike (iPads) për nxënësit që ndjekin shkollën fillore në Katërkollë,me vlerë prej $2,200 dollarë.
Një muaj më pas , me 31 Tetor 2020 i njëjti Fond ka dhuruar 25 tableta tjera kompjuterike dhe 6 loptopa për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës shqipe në Dacaj , në Komunën e Rozhajës. Kurse 12 tableta u dhuruan nxënësve të shkollës fillore në Shtoj të Komunës së Ulqinit. E gjithë kjo me një vlerë prej $ 9,200 dollarë. Duhet theksuar se këto fonde u mblodhen edhe me kontributin e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar me prejardhje nga trojet e tjera etnike shqiptare.
Mbledhje e fondeve për familjet që humbën anëtarët e tyre nga pandemia
Treva e Anës së Malit e cila gjindet në Komunën e Ulqinit, e prek shumë rëndë nga vala e pandemisë së vjeshtës së kaluar, m’çrast si pasojë e kësaj sëmundje ,disa dhjetra familje nga kjo trevë tragjikisht humbën të dashurit e tyre .
Kjo situatë nxiti gjithashtu mobilizimin e mërgatës së këtij vendi të cilët muarën iniciativa të përbashkta dhe individuale në ndihmë familjeve të viktimave të pandemisë.
Poashtu përmes platformës fond-mbledhëse online, “gofundme”, të inicuara nga të afërmit e atyre familjeve që humbën anëtarin e vet nga pandemia, janë mbledhur deri më tani, gjithësejt një shumë e kombinuar rreth $700,000 ndihma financiare.
Kryesisht kontributet për këto fonde kanë ardhur nga pjesëtarët e diasporës së Anës së Malit në SHBA, por njëkohësisht kanë kontribuar edhe bashkatdhetarë të tjerë.
Duhet përmendur se në shumën e lartëpërmendur përfshihen edhe fondet e mbledhura për familjet e vet pjesëtarëve të mërgatës në SHBA pasi që edhe në mesin e tyre pati viktima nga Covid-19 , posaçërisht gjatë muajëve të pranverës së vitit të kaluar , pra gjatë fazës së parë të pandemisë.
Nga koha e fillimit të pandemisë vitin e kaluar e deri më sot u mblodhën gjithësejt afër $800,000 dollarë, kryesisht kontribute dhe donacione nga pjesëtarët e kësaj pjese të mërgatës shqiptare, pra kryesisht nga Mërgata e Anës së Malit në SHBA e cila ishte dhe vazhdon të jetë shembull e një solidariteti vëllazëror gjatë kohës së një ndër krizave më të mëdha shëndetësore dhe ekonomike .
Sa herë që bashkatdhetarët apo bashkëvendasit tanë janë ballafaquar me sfida të mëdha dhe me vështirësi të natyrave të ndryshme , ka qenë mërgata shqiptare ajo e cila me zemërgjerësinë, bujarinë dhe humanizmin e vet i ka dalur në ndihmë atyre ,vendit dhe atdheut të vet. Është ky një mision të cilin ajo vazhdon ta kryej gjithënjë me dinjitet dhe me përkushtim të veçantë.
2 Shkurt 2021