Nga Frank Shkreli

 Sot, vërtetë, e ndjejë veten krenar që jam shqiptar!  Presidenti Ilir Meta nderon me Dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, me rastin e 80-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.  Kjo është dhurata më e bukur që Z. Meta mund t’i jepte Kombit në prak të Vitit të Ri.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta thekson se nëpërmjet veprave të tij të çmuara artistike, Gjergj Fishta ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit, njofton gazeta e Tiranës, Telegraf.

“Me rastin e 80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese”, thekëson i pari i shtetit shqiptar, “kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste”, shkruan në postin e tij Presidenti Ilir Meta.

Duke shtuar se, “Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.  Vepra e Tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe të ardhmes europiane”, nënvijon Z. Meta.

Postimi i Presidentit Meta:

“Me rastin e 80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste.

Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.

Vepra e Tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe së ardhmen europiane.”

                              Domosdoshmërisht, se është një vlerësim shumë me vend dhe tepër i merituar. Uroj që ky vendim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë të hapë rrugën dhe dyertë e institucioneve akademike të Kombit shqiptar dhe të ndriçojë, njëkohësisht,  edhe mendjet e disa përfaqësuesëve të mbetur të “realizmit socialist”, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, për një vlerësim mbarë kombëtar akademik, ashtu siç meriton, vërtetë, Poeti i Kombit, siç thotë edhe Presidenti Meta në vlerësimin e tij për Fishtën – për skalitjen në përjetësi të vlerave dhe virtyteve të veçanta autoktone.

Uroj që ky akt patriotik i Presidentit të Republikës të zgjojë nga letargjia 80-vjeçare, akademikët e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë dhe le të marrin shembëll nga i madhi Dr. Eqerem Çabej dhe vlerësimin që ai i ka bërë dikur Fishtës.  Dy tre vite më parë kisha shkruar se ndoshta pak njerëz e dinë, por Dr. Eqerem Çabej ka pasur konsideratë të lartë për At Gjergj Fishtën – i cili për arsye që dihen ai nuk mund të shprehte admirimin e tij për Fishtën gjatë regjimit komunist, pasi Fishta ishte shpallur “armik i popullit dhe tradhëtar i Kombit”, nga regjimi enverist. Si i tillë, Fishta dhe vepra e tij ishin të ndaluara rreptësisht nga komunistët shqiptarë, me porosi të komunistëve jugosllavë.  Por, Çabej ka vlerësuar lartë At Gjergj Fishtën — para sundimit komunist, kur ai mund të shprehej lirisht– duke e cilësuar Fishtën, ndër të tjera, edhe si “Poeti kombëtar i Shqiptarëve”.  Duke shkruar për vlerësimet edhe konsideratat e E. Çabej për Fishtën, akademiku nga Kosova, i ndjeri Prof. Dr. Engjëll Sedaj është shprehur se –vlerësimet e Çabejt për Gjergj Fishtën — si “Poet Kombëtar i Shqipërisë”, si “Përfaqësues më i pari i leteraturës së sotme shqiptare” dhe sidomos si poet më i avancuar epik ballkanik i shekullit, (Çabej) i mbështet kryesisht në Lahutën e Malcis”, veprën kryesore të At Gjergj Fishtës.

Në një prej vlerësimeve të tija për Lahutën e Malcis dhe për Fishtën, Dr. Eqerem Çabej është shprehur: “…Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalëngadalë botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar…duke qenë, njëkohësisht, në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik.  Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës…”, ka shkruar Çabej.  Ndërsa katër vjet para se të vdiste Fishta, Prof. Çabej jep këtë gjykim për At Gjergj Fishtën: “Gjergj Fishta është bërë, sidomos në Lahutën e Malcis, përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare”.  Dhe më tej Çabej është shprehur se, “Në fakt, në poezinë epike të Fishtës është kënduar thelbi i shpirtit të shqiptarëve, elementi i konservuar i popullit që njëherit më së mirë dëshmon njësinë e kombit”.  

Ndërkaq, për kontributin e Fishtës në zhvillimin e gjuhës shqipe në përgjithësi, albanologu austriak, i ndjeri Prof. Dr. Norbert Jokl ka shkruar se, “Me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë.  Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen.  Me At Gjergjin zuni fill shkolla, me shqipen gjuhë mësimi…” është shprehur albanologu i njohur austriak.

Nëqoftse dikush i ka ndjekur shkrimet e mia modeste për Fishtën gjatë viteve, unë kam qenë kritik ndaj mënyrës së si — politika shqiptare si dhe entet akademike të Shqipërisë dhe të Kosovës — e kanë trajtuar ose keq-trajtuar dhe harruar dhe përjashtuar Gjergj Fishtën, këto 30-vjet post-komunizëm, por pa humbur shpresën se

Një bashkohas i Fishtës, At Benedikt Dema është shprehur – në librin përkujtimor “At Gjergj Fishta 1871 – 1940”, botuar pas vdekjes se “Shqypnia do të nisë me e çmue ma tepër At Fishtën, kur në raste në të cilat Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.

Ndër kritikat e mia kisha shënuar se, fatkeqsisht, Atdheu i At Gjergj Fishtës nuk vepron më me entuziazmin e idealeve që ishte program i jetës së tij, “Për të vendosur themelet e patundura të idealizmit kombëtar, për të prirë në luftime në mbrojtje të Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqiptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit”, siç ka shkruar dikur bashkoasi i Fishtës,  At Benedikt Dema, duke shpresuar, njëkohësisht, se shqiptarët, si Komb i qytetëruar, do të dijnë t’i çmojnë njerzit e mëdhej të tij, duke i ndërtuar atij gjeniu, atij Ati të Atdheut, një përmendore të pashlyeshme, “një shenjë të përherëshëme e të denjë, për një komb të përparuem”. 

Vlerësimi dhe nderimi që Presidenti i Shqipërisë, Z. Ilir Meta i akordoi sot Poetit të Madh Kombëtar At Gjergj Fishtës me rastin e 80-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim, erdhi pikërisht në një moment të historisë së shqiptarëve, kur “Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.  

Urojmë që kjo njohje due nderim nga zyra më e lartë e shtetit shqiptar – një njohje e denjë për një Komb të përparuar ndaj jetës dhe veprimtarisë së At Gjergj Fishtës, të bejë që, më në fund, At Gjergj Fishta të zejë vendin që ai meriton dhe që i takon atij në historinë e vërtetë dhe në kulturën dhe letërsinë mbarëkombëtare të fisit shqiptar. Kjo është Shqipëria që duam – me At Gjergj Fishtën.  “Merre Kacel edhe njëherë Lahutën e na këndo nji kangë shqiptare….”, ndërkohë që “Arbnori i Fushës e i Malit njomë syshë me lotët e përmallit të Malcisë, këndon lahutën i lum ti, sod e për amshim…”

Falënderime Presidentit Ilir Meta për nderimin dhe vlerësimin e jetës dhe të veprës së madhe të At Gjegj Fishtës!  Gëzuar Vitin e Ri!

By admini