
Aktualisht në Mal të Zi 207 persona gjenden në vetëizolim, ka kumtuar Sanja Medenica nga Shtabi operativ për përcjelljen e situatës epidemiologjike gjatë sezonit turistik, duke shtuar se ky numër ndryshon nga dita në ditë.
Ajo, duke marrë pjesë në emisionin e mëngjesit të Televizionit “Vjesti”, ka deklaruar se testohen të gjithë individët të cilët kanë qenë në kontakt me personat e prekur nga korona virusi. Sipas informatave të saj, 4 persona të cilët aktualisht gjenden në Klinikën infektive të Qendrës Klinike të Malit të Zi janë në gjendje stabile, transmeton Ulqini Online.
Ajo ka theksuar se duke pasur parasysh ardhjen e turistëve, rritet edhe rreziku i përhapjes së virusit dhe ka shtuar se janë duke hartuar një planë se si të reagohet në raste të tilla. Përndryshe laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik kanë analizuar 142 mostra, 4 prej të cilave kanë rezultuar pozitiv në Covid-19. Këta të prekur janë, dy nga Budva dhe dy nga Podgorica. Dy të prekur janë kontakte të rasteve të vërtetuara më parë, kurse për dy rastet e tjera bëhen hetime për burimin e infektimit, kanë deklaruar nga ky Institut.
Të theksojmë se aktualisht në Mal të Zi janë 13 raste aktive të infektuar me virusin Covid 19.